presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Sejdiu: Kosova ka zgjedhur rrugën e progresit, jo të konfrontimeve

“Mendoj se Beogradi duhet të ketë një rol tjetër, jo si deri më tash. E ardhmja jonë e përbashkët e të gjitha vendeve të rajonit është në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe në komunikime ndërshtetërorë në mënyrë të mirë, jo të vihet zjarr dhe të krijohen tensione, të cilat rrezikojnë paqen dhe stabilitetin”, tha Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, gjatë një konference që pati sot me gazetarë. Në vazhdim e keni të plotë transkriptin e kësaj konference:

Pyetje: Z. President, në Mitrovicë ka pasur sërish tensione, shqiptarët janë detyruar t’i ndërpresin sërish punimet, që i kanë rifilluar sot, për rindërtimin e shtëpive. Cili është mesazhi juaj për serbët që po e pengojnë rindërtimin e shtëpive të shqiptarëve?Presidenti Sejdiu: Mesazhi ynë është ta ndërtojmë Kosovën jo të pengojmë ndërtimin e saj. Mesazhi dhe kërkesa jonë drejtuar të gjithë qytetarëve të Kosovës është që të jenë kontribues për ndërtimin e vendit, ndërtimin e demokracisë, ndërtimin e jetës dhe hapjen e perspektivave të zhvillimit. Ne i trajtojmë dhe do t’i trajtojmë gjithmonë qytetarë të barabartë. Mirëpo, ata që dëshirojnë të vijnë në konfront me ligjin dhe të mbyllin perspektivën e zhvillimit të qenies njerëzore në radhë të parë, por edhe të një komuniteti nuk e kanë drejt dhe mendoj se herdokurdo do të përballen në radhë të parë me ndërgjegjen qytetëruese dhe njerëzore dhe, e dyta, sigurisht se edhe shteti do të marrë masa ndaj tyre.Dhe e dimë se ajo pjesë e veprimeve të këqija janë të instruktuara nga njerëzit e  Beogradi. Mendoj se Beogradi duhet të ketë një rol tjetër, jo si deri më tash. E ardhmja jonë e përbashkët e të gjitha vendeve të rajonit është në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe në komunikime ndërshtetërorë në mënyrë të mirë, jo të vihet zjarr dhe të krijohen tensione, të cilat rrezikojnë paqen dhe stabilitetin. Dhe, ne e kemi zgjedhur këtë rrugë të ecjes në një kujdes të veçantë edhe për komunitetet pakicë, por rrugën e progresit, jo rrugën e konfronteve. Fundja, Kosova asnjëherë nuk mund t’i harroj tragjeditë e përjetuara, por  kemi hyrë në një garanci të re për shekullin dhe mileniumin e ri që të kontribuojmë për paqe, sepse asnjëherë s’kemi qenë kundërshtarë të paqes, por ndërtues të saj Ata që kanë bërë krime kundër njerëzimit dihet ku e kanë vendin, Gjykata Ndërkombëtare duhet të vazhdojë punën.Pyetje: Si shenjë demonstrimi kundër marrëveshjes UNMIK-EULEX- Serbi, Lëvizja “Vetëvendosja” ka demoluar një numër të konsiderueshëm të veturave të EULEX-it. Si e komentoni ju këtë?Presidenti Sejdiu: Unë nuk dua të komentoj qasjet që në një formë a në një formë tjetër janë pjesë e reagimeve jo normale. Secili ka të drejtë ta thotë fjalën e vet. Për ne është me rëndësi që institucionet e vendit ta thonë fjalën e vet dhe e kanë tepër-tepër të qartë. Ne do të bashkëpunojmë shumë thellë me EULEX-in, është mision për të mirën e Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj. Bashkëpunimi nënkupton edhe veprime të kujdesshme të përbashkëta që janë në realizim të një projekti për zhvillimin e Kosovës përgjithësisht, prandaj për ne është thirrje kryesore që çdo gjë që kalon në një situatë tjetër të ngritjes së tensioneve apo të formave të tjera, natyrisht se është e papranueshme.Pyetje: A i bëni thirrje EULEX-it që të heqë dorë nga protokolli me Serbinë?Presidenti Sejdiu: Ne kemi biseduar me EULEX-in dhe jemi në proces më të mirë të mundshëm të bashkëpunimit. Ne atë qasje që është prezantuar me një dokument nuk e kemi pranuar dhe këtë e kemi prezantuar edhe para jush.Pyetje: A ka hapësirë për kompromis?Presidenti Sejdiu: Ka hapësirë për të bërë punë të mirë gjithmonë!Pyetje: Ka disa spekulime që thonë se EULEX-i po detyrohet të bëjë një marrëveshje të tillë, për shkak të mungesës së rezultateve pozitive të institucioneve të Kosovës sa i përket luftës kundër krimit?Presidenti Sejdiu: Unë nuk merrem me spekulime dhe ju e thatë shumë mirë se janë spekulime dhe me spekulime nuk merrem asnjëherë. Institucionet e Kosovës do ta bëjnë punën e vet, EULEX-i është për të mbështet Kosovën veçanërisht në dy fusha të rëndësishme të sundimit të ligjit dhe të sigurisë dhe e thërras sikur që e kam thirrur edhe në letrën fillimisht që të jetë partner i mirë dhe besojë se është partner i mirë në këto ecje. Pyetje: Sa mund të jenë spekulime raportet kritikuese ndaj gjyqësorit dhe policisë në përgjithësi?Presidenti Sejdiu: Çdo gjë që i ka argumentet e veta, njerëzit duhet t’i kenë parasysh. Para argumenteve, është një fjalë latine, edhe zotat heshtin.Për ne është me rëndësi që të ndërtojmë realitete pozitive dhe do të ecim, asnjëherë mos ta shikojmë Kosovën në atë pjesën e metaforës, një gotë që shkon në gjysmën e zbrazët. Kemi probleme reale që dihen, të mos merrem me pjesët e historikut, edhe këtij të vonshmit, se çka ka trashëguar Kosova nga 1999 e këtej, pra edhe nga ajo periudhë që e ka sjellë 1999, por me rëndësi është që të investojmë në një ndërtim të ri, që nuk është e lehtë krejt. Pyetje: A druani se pakënaqësitë e qytetarëve me protokollin EULEX-Serbi, mund të tejkalojnë përmasat e një proteste të qetë?Presidenti Sejdiu: Jo, qytetarët kanë besim në institucionet e vendit, institucionet në mënyrën më të mirë të mundshme e kanë thënë fjalën e vet dhe ne do të bashkëpunojmë për të nxjerrë thjeshtë ecje të reja, edhe ato që lidhen me komunikime ndërshtetërorë. Kosova ka nevojë që të komunikojë edhe me vendet e tjera përreth saj për parandalimin e krimit të organizuar, si çdo vend tjetër, prandaj edhe në natyrën e bashkëpunimit me Serbinë EULEX-i ka një pjesë të objektivave të tij të qarta, sepse komunikimin e ka më të lehtë, por, natyrisht, ai nuk do të jetë partner në nënshkrimin e çfarëdo dokumenti në emër të Kosovës, absolutisht.Për ne është me rëndësi që do të bashkëpunojmë, do të gjenden formulat më të mira për të intensifikuar bashkëpunimin dhe ne e kemi thënë vazhdimisht dhe jemi për bashkëpunim për të gjitha këto tema edhe me Serbinë, për tema me interes për qytetarët e të dy vendeve.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.