presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Sejdiu: Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj pa dallim etnie a besimi

12.11.2009. – Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu dhe Ministri i Pushtetit Lokal, z. Sadri Ferati mbajtën një takim me gazetarë në Qendrën Mediale në Çagllavicë, me ç’rast ftuan qytetarët e komunitetit serb dhe të komuniteteve të tjera të vendit që të marrin pjesë dhe të jenë pjesëmarrës aktiv në procesin zgjedhor të 15 nëntorit.

Presidenti Sejdiu ripërsëriti thirrjen e tij drejtuar të gjithë qytetarëve  të nacionalitetit serb që të futen në të gjitha sferat e jetës shoqërore dhe publike të vendit. “Unë edhe një herë i falënderoj të gjithë qytetarët e nacionalitetit serb, të cilët janë shtetas dhe banorë të Kosovës dhe i ftoj që të kyçen në të gjitha sferat e jetës shoqërore dhe publike. Kjo do të jetë në interes të të gjithë neve, në interes të çdo familjeje dhe në interes të gjithë qytetarëve. Dhe qëllimi ynë është që me këtë thirrje për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit të këtij viti, të theksojmë se është rast i mirë të dëshmojmë fuqinë tonë të përbashkët si qytetarë të Republikës së Kosovës dhe me këtë rast të realizojmë njëkohësisht të drejtat tona qytetare duke filluar nga ato themelore jetësore e deri të tjerat, që janë në interes të secilit komunitet. Prandaj, unë sot kam ardhur t’ ua bëj këtë ftesë me synimin dhe qëllimin më të mirë që të kemi bashkëpunim të mirë me të gjithë qytetarët, edhe të komunitetit serb, edhe të komuniteteve tjera”, theksoi Presidenti.Gjithashtu, Presidenti tha të ketë ardhur në Çagllavicë për të adresuar mesazhin e institucioneve  të Republikës së Kosovës për të gjithë qytetarët e vendit për të vazhduar dhe përfunduar procesin e zgjedhjeve lokale të nëntorit 2009. Ai edhe një herë i ftoj përfaqësuesit e komuniteteve pakicë, në këtë rast të komunitetit serb, që të jenë aktorë aktivë në këtë proces, i cili ka të bëjë me realizimin në radhë të parë të një të drejte kushtetuese dhe njerëzore dhe paralelisht me këtë edhe realizimin interesave të çdo qytetari.Presidenti Sejdiu me këtë rast tha se zgjedhjet lokale të 15 nëntorit janë një shans i mirë i të gjithë qytetarëve të Kosovës që në mënyrën më të mirë dhe me participimin e drejtpërdrejtë të sjellin dhe të materializojnë vullnetin e tyre politik për njerëzit që duhet t’i zgjedhin, të cilëve duhet t’ua japin besimin, për njerëzit që mbi këtë bazë të besimit të elektorëve të Kosovës të jenë përgjegjës në mënyrën më të mirë të mundshme të ushtrimit të funksionit të tyre, qoftë për kryetar komunash, qoftë për asamblist nëpër komuna të Kosovës. Në këtë linjë, Presidenti ka përshëndetur thirrjen e mbi 100 intelektualëve serbë, të cilët kanë kërkuar nga serbët e Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhjet e 15 nëntorit dhe në të njëjtën kohë e ka quajtur joracionale qasjen e autoriteteve serbe që vazhdojnë t’i dekurajojnë serbët e Kosovës për pjesëmarrje në zgjedhje.Gjithashtu, Presidenti tha se janë bërë përgatitje të mira bashkë më bashkësinë ndërkombëtare, me ICO-n në radhë të parë, që të organizohen zgjedhjet në tri komuna të reja me shumicë të qytetarëve të komunitetit serb. Dhe kjo, sipas tij, është shans i demonstrimit të të gjitha energjive pozitive për të vënë në funksion të mirë këto komuna që janë zbatim i zotimit të dhënë me projektin e Presidentit Ahtisaari dhe në të njëjtën kohë një shans i mirë e integrimit aktiv edhe në procese të tjera të rëndësishme që kanë të bëjnë me jetën, preokupimet dhe interesat e secilit qytetar.Presidenti Sejdiu tha se vizioni i Kosovës është dëshmimi në praktikë që Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim etnie dhe pa dallim besimi, si dhe lëvizja e pashkëputshme dhe e palëkundur në rrugën e integrimeve veriatlantike.Ndërsa, për raportet me vendet fqinje, Presidenti Sejdiu theksoi se vizioni i institucioneve të vendit është për të pasur marrëdhënie të mira me të gjitha vendet fqinje, siç janë marrëdhëniet e mira me Republikën e Maqedonisë, Malit të Zi, Shqipërisë, e nesër dëshirojmë që këto raporte të ndërtohen në mënyrën më të mirë të mundshme edhe me Republikën e Serbisë. I gjithë rajoni, vijoi Presidenti Sejdiu, ka për bazë dhe për borxh të zhvillojë dhe të nxisë edhe më tepër raportet e bashkëpunimit dhe natyrisht, në kuadër të bashkëpunimeve që mund të jenë të rrafsheve të shumta, të përmbushen edhe kriteret e rëndësishme për proceset integruese.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.