presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Sejdiu: Christine von Kohl punoi me zell për ta ndihmuar vendin tonë në udhën e lirisë e të pavarësisë

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu ka shprehur dhembjen e tij për vdekjen e zonjës Christine von Kohl, autore e një numri të madh artikujsh e studimesh rreth çështjes së Kosovës, shqiptarëve dhe Ballkanit Perëndimor, e njohur edhe si aktiviste e shquar e Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut.

“Christine von Kohl ka qenë një humaniste e palodhshme, e cila është shquar për përpjekjet e saj të mëdha për ndriçimin e së vërtetës për çështjen e Kosovës dhe për shqiptarët në përgjithësi. Mbi tri dekada ajo ka qenë e angazhuar aktivisht në hulumtimin e ngjarjeve të stuhishme nëpër të cilat kaloi kjo pjesë e trazuar e Evropës Juglindore”, theksoi Presidenti Sejdiu, i cili zonjën Christine von Kohl e vlerësoi si një një njohëse shumë të mirë të proceseve në rajon. “Christine von Kohl ka dhënë kontribut të rëndësishëm për ta sensibilizuar opinionin perëndimor për gjendjen e vështirë dhe shtypjen sistematike që po përjetonte populli i Kosovës në ish-Jugosllavi, sidomos në dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit XX, kur regjimi i Millosheviqit bëri gjenocid të hapur, me qëllim të spastrimit etnik dhe të dëbimit të shqiptarëve nga Kosova”, tha Presidenti Sejdiu.Ndaj, vijoi ai, me dhembje theksojmë së Kosova sot ka humbur një mike, e cila punoi me zell dhe humanizëm për ta ndihmuar vendin tonë në udhën e lirisë e të pavarësisë.

This site is registered on wpml.org as a development site.