presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga ishte në vizitë private në Maqedoni, nuk pati takime as deklarata zyrtare

Në mediat e Kosovës dhe të Maqedonisë dje dhe sot është publikuar lajmi se Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, të premten pasdite ka bërë një vizitë private në Maqedoni dhe ka takuar udhëheqës të lartë të BDI-së, me të cilët kinse paska biseduar për çështjet aktuale politike.

Për këtë Departamenti për Informim i Zyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës sqaron:

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, më 20 maj 2011, në orët e pasdites, bëri një vizitë private në Republikën e Maqedonisë, me ç’rast qëndroi në një lokal në Tetovë, si dhe bëri një shetitje në këtë qytet.

Presidentja e Republikës së Kosovës, gjithashtu, vizitoi qytetin e Shkupit, ku gjithashtu shëtiti në qytet, si dhe u ndal për kafe në një lokal në sheshin kryesor të Shkupit.

Rrugës ka pasur raste që qytetarët janë ndalur, janë përshëndetur dhe kanë kërkuar të bëjnë fotografi me Presidenten, ose me stafin e saj. Gjithashtu, gjatë qëndrimit në Tetovë dhe në Shkup, janë afruar qytetarë që ta përshëndesin dhe në tavolinë janë ulur të afërm dhe miq të Presidentes ose të stafit të saj.

Departamenti për Informim sqaron se vizita ka qenë vetëm private dhe Presidentja nuk ka pasur asnjë takim zyrtar, asnjë bisedë dhe asnjë deklaratë, siç kanë raportuar disa media.

Sipas protokollit, daljet publike të Presidentes së vendit, edhe në kapacitetin e saj privat, shoqërohen me rregullat e sigurisë dhe të protokollit. Autoritetet e Maqedonisë janë informuar me kohë për llojin e vizitës dhe për gjithë itinerarin e saj, me të gjitha vizitat dhe daljet në publik, si dhe me orën e saktë të secilës lëvizje. Gjithçka është kryer sipas planit, duke mos pasur asnjë shmangie.

Presidentja e Kosovës, me një shkresë, i ka falënderuar autoritetet e Maqedonisë për ndihmën në organizimin e kësaj vizite dhe për masat e ndërmarra që vizita të realizohet plotësisht sipas kërkesës së parashtruar, duke potencuar marrëdhëniet e mira fqinjësore ndërmjet dy vendeve dhe  popujve,  si dhe vizitave krejt normale të qytetarëve dhe të udhëheqësve ndërmjet veti.

Presidentja e Republikës së Kosovës zonja Atifete Jahjaga u kthye të premten në mbrëmje në Prishtinë, ku pati një darkë pune në një lokal në periferi të kryeqytetit, me zyrtarë të lartë ndërkombëtarë. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.