presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Sejdiu vazhdon takimet në Nju Jork

Pas takimeve në Uashington, Presidenti Sejdiu ka vazhduar takimet në Nju Jork, ku është takuar me Ambasadorin Frenk Wisner dhe zonjën Rosemary DiCarlo, zëvendësambasadore e SHBA-së në OKB, si dhe ish-PSSP-në Soren Jessen Petersen

Nju Jork, 1 mars. – Presidenti i Republikës së  Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu po vazhdon vizitën në SHBA. Pas takimeve në Uashington me zyrtarët më të lartë të administratës amerikane, me Nënpresidentin Xho Bajden e sekretaren e Shtetit, Hilari Klinton, si dhe me kongresistë e përfaqësues diplomatikë të shumë shteteve në SHBA, Presidenti Sejdiu po vazhdon me takime të tjera në Nju Jork.

Ai ka takuar Ambasadorin Frenk Wisner dhe zonjën Rosemary DiCarlo, zëvendësambasadore e SHBA-së në OKB.

Në takime, bisedat u përqendruan në proceset që kanë të bëjnë me zhvillimet në Kosovë, me theks të veçantë në vazhdimin e procesit të njohjeve të Kosovës nga shtetet që ende nuk e kanë bërë këtë. Ishte një vlerësim i përbashkët se pavarësia e Kosovës është element i rëndësishëm i stabilitetit në rajon, duke pasur parasysh promovimin e politikës së paqes dhe të bashkëpunimit që po ndjek Kosova karshi të gjitha vendeve të rajonit. Presidenti Sejdiu kërkoi nga bashkëbiseduesit vazhdimin e ndihmës së tyre për njohje të reja të pavarësisë së Kosovës.

Ambasadori Wisner dhe zëvendësambasadorja e SHBA në OKB, zonja DiCarlo, theksuan përkushtimin e tyre për të vazhduar me angazhimin në procesin e afirmimit të pavarësisë dhe të njohjeve të reja të Kosovës nga vendet që ende nuk e kanë njohur atë.

Presidenti Sejdiu ka takuar edhe zotin Soren Jessen Petersen, ish PSSP në Kosovë, me të cilin po kështu ka diskutuar për zhvillimet në Kosovë dhe nevojën e intensifikimit të njohjeve të reja të domosdoshme për ta bërë vendin tonë pjesë të barabartë të institucioneve ndërkombëtare.

Presidenti Sejdiu të hënën do të vazhdojë takimet në Nju Jork, duke takuar së pari ambasadoren e SHBA-ve në OKB, zonjën Susan Rice, si dhe ambasadorë dhe përfaqësues të lartë diplomatikë të vendeve të ndryshme në OKB.

This site is registered on wpml.org as a development site.