presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Sejdiu priti kryetarin e Bashkësisë Islame të Bosnjës e Hercegovinës, z. Mustafa Ceriq 

“Republika e Kosovës është shtet sekular, i cili i respekton liritë dhe të drejtat e të gjitha bashkësive fetare të vendit tonë”, tha Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, gjatë një takimi që pati sot me z. Mustafa Ceriç, Kryetar i Bashkësisë Islame të Bosnjës dhe Hercegovinës, i cili po qëndron për vizitë disaditëshe në Kosovë me ftesën e homologut të tij nga Kosova, z. Naim Tërnava.

Presidenti Sejdiu përgëzoi drejtuesit e bashkësive islame të të dyja vendeve për bashkëpunimin e ngushtë. Ai theksoi se institucionet e Republikës së Kosovë e vlerësojnë lart punën e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe kontributin që po jep ajo për forcimin e shtetit demokratik të Kosovës, si dhe kërkoi nga z.Ceriç që të vazhdojë të punojë për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga vendet e botës islame, në të cilat Bashkësia Islame e Bosnjës e Hercegovinës mund të ndikojë drejtpërdrejt.
Në këtë takim u bisedua edhe për frymën e tolerancës dhe të bashkëpunimit, të respektit reciprok ndërmjet pjesëtarëve të besimeve fetare të njërit vend dhe të vendit tjetër, por edhe të bashkëpunimit në mes popujve.
“Tashmë kemi shënuar shekullin e gjashtë të islamit në Ballkan dhe ne dëshirojmë që këtë traditë t’ia prezantojmë Evropës dhe botës në mënyrë më të mirë”, pohoi z.Ceriç.
Ne, vijoi ai, do t’i rindërtojmë marrëdhëniet e natyrshme, si dy vende me shumicë myslimane autoktone në këtë pjesë të Evropës.
Presidenti Sejdiu dhe z.Ceriç u angazhuan për intensifikimin e bashkëpunimit në mes dy vendeve, pavarësisht faktit që Bosnja e Hercegovina ende nuk e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës. Porse, në këtë kontekst, Ceriç pohoi se ai vinte në Kosovë me ftesën e myftiut të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, me dëshirën që afria në mes popullit shqiptar dhe atij boshnjak, por edhe në mes të gjithë popujve të tjerë vullnetmirë të rajonit, të ruhet e të thellohet edhe më tej, në mënyrë që gjeneratat e ardhshme të mos i përjetojnë tragjeditë dhe gjenocidin që e kanë përjetuar paraardhësit e tyre.

This site is registered on wpml.org as a development site.