presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Sejdiu priti kryetarin e Akademisë së Shkencave të Austrisë, prof. dr. Peter Schuster

Prishtinë, 29 janar 2008 – “Kosova i është mirënjohëse Austrisë për angazhimin e përhershëm për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”, tha Presidenti Fatmir Sejdiu gjatë një takimi me një delegacion të Akademisë së Shkencave të Austrisë, të cilit i printe prof. dr. Peter Schuster, kryetar i saj dhe kryesues i Seksionit të Matematikës dhe të Shkencave të Natyrës, i cili shoqërohej nga kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve i Kosovës, prof. dr. Rexhep Ismajli.

Në këtë takim, në të cilin morën pjesë edhe prof. dr. Herwig Friesinger, sekretar i përgjithshëm i Akademisë austriake dhe sekretar i Seksionit të Shkencave Shoqërore, prof. dr. Oliver Jens Schmidtt, historian i njohur austriak, ishte i pranishëm edhe shefi i Zyrës së Austrisë në Prishtinë, z. Gernot Pfandler.   Pasi rikujtoi ndihmesën e jashtëzakonshme që kanë dhënë studiuesit e shumtë austriakë për ndriçimin e gjuhës, kulturës dhe historisë së shqiptarëve, Presidenti Sejdiu theksoi se Austria edhe sot është një derë e hapur për të rinj të shumtë shqiptarë që studiojnë në universitetet e këtij vendi. Duke folur për momentin politik që po kalon vendi, Presidenti Sejdiu tha se kanë mbetur edhe pak ditë derisa Kuvendi i Kosovës të marrë vendimin e rëndësishëm për rideklarimin e pavarësisë së vendit. Ky akt, vazhdoi ai, do të bëhet në bashkërendim të plotë me bashkësinë ndërkombëtare, me BE-në, SHBA-të dhe vendet e tjera që e përkrahin pavarësinë e Kosovës, paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon, ashtu siç parashihet edhe me planin e Ahtisarit. Ndërkaq, prof. dr. Peter Schuster, tha se Akademia e Shkencave e Austrisë bashkëpunon ngushtë me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe do të vazhdojë të punojë edhe më tej për thellimin e këtij bashkëpunimi. Ai foli për traditën e mirë të studimeve albanologjike në Austri dhe premtoi se kjo rrugë do të ndiqet me përkushtim edhe në të ardhmen. 

This site is registered on wpml.org as a development site.