presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Sejdiu priti drejtueset e shoqatës “Thirrjet e nënave”

“Fatkeqësisht, identifikimi i mbetjeve mortore nuk është proces që kryhet lehtë, por institucionet e Kosovës janë duke bërë gjithçka që është e mundur, me qëllim që ky proces të përshpejtohet”, tha Presidenti Sejdiu

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, priti sot një delegacion të shoqatës “Thirrjet e nënave”, që kryesohej nga zonja Nysrete Kumnova. Në këtë takim, në të cilin ishin të pranishëm edhe Zëvendëskryeministri Ramë Manaj dhe Ministrja e Drejtësisë, znj. Nekibe Kelmendi, u diskutua për përpjekjet e institucioneve të vendit që të ndriçohet fati i personave të pagjetur, veçmas i atyre që presin identifikimin pas analizave shkencore të mbetjeve mortore që ndodhen në morgun e Prishtinës. Presidenti Sejdiu theksoi se përpjekjet e institucioneve të Republikës së Kosovës për zbardhjen e fatit të secilit individ që ka pësuar gjatë luftës së fundit në Kosovë nuk kanë pushuar dhe nuk do të pushojnë asnjëherë. “Fatkeqësisht, identifikimi i mbetjeve mortore nuk është proces që kryhet lehtë, por institucionet e Kosovës janë duke bërë gjithçka që është e mundur, me qëllim që ky proces të përshpejtohet”, tha Presidenti Sejdiu.Ndërkaq, zëvendëskryeministri Manaj, duke prezantuar të dhëna konkrete për identifikimet që janë bërë, si dhe për ato që janë në proces të identifikimit, pohoi se procesi i identifikimi po vazhdon. Në këtë takim, Kryetarja e Shoqatës “Thirrjet e Nënave”, znj. Nysrete Kumnova, prezantoi aktivitetin e kësaj shoqate, si dhe kërkoi që institucionet e Republikës së Kosovës të vazhdojnë presionin në institucionet relevante ndërkombëtare për intensifikimin e mëtejmë të identifikimit të të gjithë personave të pagjetur, të cilët kanë pësuar gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.