presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Sejdiu i uroi Presidentit Topi Ditën e Flamurit

Me rastin e Ditës së Flamurit, 28 Nëntorit, Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu i ka dërguar një telegram urimi Presidentit të Republikës së Shqipërisë, dr. Bamir Topi.

Në vijim po e japim tekstin e këtij telegrami:Shkëlqesisë së tij, Bamir Topi,President i Republikës së ShqipërisëNë emër të popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës, ju shpreh urimet e mia më të përzemërta me rastin e Ditës së Flamurit – 28 Nëntorit.Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, ishte pa dyshim ngjarja më e madhe në historinë e kombit shqiptar që prej nëntorit të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Kjo ditë e bekuar mblodhi tok prijësit e të gjitha viseve shqiptare në qytetin e Vlorës, të cilët njëzëri e shpallën Shqipërinë shtet më vete, të lirë dhe të pavarur. Që nga ajo kohë, shqiptarët në Shqipëri, në Kosovë dhe kudo në trevat e tjera etnike janë rritur, janë edukuar dhe janë flijuar duke e mbajtur lart e me krenari Flamurin Kombëtar, këtë simbol të unitetit, të paqes dhe të dashurisë në mes të gjithë shqiptarëve pa dallim  krahine e besimi. 28 Nëntori është ditë e secilit shqiptar, pavarësisht ku jeton a punon ai. Ajo është ditë që na i përkujton sakrificat e mëdha dhe luftën e përhershme që kanë bërë shqiptarët gjatë gjithë historisë për të ruajtur të paprekshme frymën e qenies së vet nacionale.   Sot, në 97-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së saj, Republika e Shqipërisë mund të mburret me të arriturat e saj, sidomos të këtyre viteve të fundit. Anëtarësimi në NATO dhe ecja e fuqishme e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian janë një motiv i madh edhe për ne në Kosovë që të punojmë për jetësimin e standardeve të kërkuara nga këto institucione. Përmbyllja e plotë e këtij procesi të madh njëdrejtimësh do ta rrumbullakonte njëherë e mirë kthimin e kombit shqiptar në shtratin e vet të natyrshëm shpirtëror, kulturor e politik evropian. Duke ju rishfaqur ndjenjën e konsideratës sime më të lartë, i dashur President, uroj që Republika e Shqipërisë dhe populli i saj të kenë përherë vetëm mbarësi dhe suksese!Me respekt, Dr. Fatmir Sejdiu,President i Republikës së Kosovës 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.