presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Sejdiu dënoi shpërthimin e mbrëmshëm në Prishtinë

Presidenti i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, e ka dënuar ashpër dëmtimin e veturave të UNMIK-ut si pasojë e një shpërthimi që ka ndodhur mbrëmë në Prishtinë.

“Aktet e tilla kriminale janë absolutisht të papranueshme për institucionet dhe qytetarët e Kosovës. Ato e dëmtojnë drejtpërdrejt imazhin e vendit dhe nuk paraqesin frymën e vërtetë të popullit të Kosovës, për natyrën e të cilit veprimet e tilla kanë qenë gjithmonë të dënueshme”, theksoi Presidenti Sejdiu, duke kërkuar nga strukturat e rendit zbulimin sa më të shpejtë të autorëve të këtij akti të shëmtuar dhe vënien e tyre para drejtësisë.“Ne po hyjmë në fazën finale të realizimit të aspiratës shekullore për liri e pavarësi, prandaj aktet e tilla janë plotësisht në dëm të procesit të përcaktimit të statusit të Kosovës, i cili, pa dyshim, do të jetë në përputhje të plotë me vullnetin politik të qytetarëve të saj”, tha Presidenti Sejdiu. Po ashtu, ai shprehu përkushtimin e fuqishëm të institucioneve të vendit për ta përmbyllur me sukses misionin e shtetbërjes së Kosovës, pavarësisht nga pengesat që do të shkaktojnë ata që nuk e duan stabilitetin dhe prosperitetin e saj.  

This site is registered on wpml.org as a development site.