Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, ka marrë sot një letër nga Presidenti i Republikës së Palausë, z. Johnson Toribiong, me anë të së cilës ai njofton se vendi i tij e njeh Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.
Më poshtë po e japim tekstin e kësaj letre.
Republika e Palausë
Zyra e Presidentit
JOHNSON TORIBIONG
President
6 mars 2009
Numri serik: 09-187
Shkëlqesisë së Tij
Fatmir Sejdiut
Kryetar i Kosovës
Prishtinë
I nderuari z. President:
Në emër të popullit të Republikës së Palausë, unë njoh sovranitetin e Kosovës si shtet të pavarur.
Edhe ne e ndjejmë ngazëllimin tuaj, sepse edhe ne jemi bërë shtet i pavarur dhe sovran në vitin 1994 dhe i jemi bashkëngjitur Organizatës së Kombeve të Bashkuara si anëtari më i ri i saj.
Pavarësia e jonë është bërë e mundur falë përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila e ka administruar kombin e ishullit tonë paqësor në kuadër të Sistemit të Mirëbesimit të Kombeve të Bashkuara, i cili qe frymëzuar dhe udhëzuar nga parimet e demokracisë, lirisë dhe drejtësisë. Prandaj, në frymën e këtyre parimeve, ne i bashkohemi aleatit dhe partnerit tonë më të afërt, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për ta njohur Kosovën dhe për ta përgëzuar në përvjetorin e pavarësisë së saj si shtet i lirë dhe sovran.
Duke u bazuar në njohjen tonë ndaj pavarësisë suaj si shtet sovran, janë duke u ndërmarrë hapa që kujdes i duhur t’i kushtohet vënies së marrëdhënieve diplomatike midis vendeve tona, ndërsa unë mbes në pritje të krijimit të një miqësie të veçantë midis nesh.
Sinqerisht,
Johnson Toribiong