presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Michael Spindelegger : Ne do ta mbështesim Kosovën që të njihet nga sa më shumë vende

09.10.2009. – Presidenti i Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu takoi sot z. Michael Spindelegger, ministër i Jashtëm i Austrisë.

Presidenti Sejdiu e falënderoi z. Spindelegger për mbështetjen e pakursyer që Republika e Austrisë i ka dhënë Kosovës në rrugën e saj për liri dhe pavarësi, në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën e Kosovës, të qenurit shtëpi e dytë për shumë njerëz të Kosovës në kohët e vështira, mundësitë e mëdha që u janë dhënë studentëve të Kosovës që të studiojnë në universitetet me reputacion në Republikën e Austrisë, për mbështetjen e  rëndësishme për njohje, si dhe për angazhimet e mëtejshme për të pasur raporte sa më të ngjeshura në fushën ekonomike.Gjithashtu, Presidenti Sejdiu e ka vlerësuar rolin e kontingjentit Austriak në kuadër të  KFOR-it në Kosovë si dhe punën e të gjithë njerëzve të Austrisë në Kosovë në mandate të ndryshme ndërkombëtare dhe në kuadër të misionit diplomatik të Republikës së Austrisë në vendin tonë, të cilët sipas Presidentit Sejdiu,  janë një partner i mirë dhe gjithmonë derë e hapur e  bashkëpunimit me Kosovën.

Ndërkaq, z. Michael Spindelegger, ministër i  Punëve të Jashtme i Austrisë, pasi që foli për miqësinë në mes të Republikës së Austrisë dhe Republikës së Kosovës, tha se vendi i tij ishte një nga vendet e para që e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur.

“Austria është njëra nga vendet e para  që e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe ndjejmë një miqësi të veçantë me këtë vend dhe një përgjegjësi që ta mbështesim edhe në të ardhmen. Ne do të vazhdojmë të mbetemi të angazhuar jo vetëm me prezencën e ushtarëve tanë në kuadër të KFOR-it, mirëpo edhe në fushën ekonomike, Ne do ta mbështesim Kosovën që të njihet nga sa më shumë vende dhe në integrimet e saj në Evropë. Të jeni të sigurt se Austria do të mbetët në anën e Kosovës”, theksoi Ministri Spindelegger.

Sa i përket liberalizimit të vizave ai theksoi se kjo është një temë për shumë vende të Ballkanit Perëndimor.

“Mendojë se duhet të jemi realist, perspektiva të cilën veçanërisht ne duam ta mbështesim është që të vlejë edhe për Kosovën. Por, rruga drejt asaj kërkon që të bëhen edhe shumë hapa, shohim se disa vende janë më përpara sesa disa të tjera, dhe për vendet e para liberalizimi i vizave do të filloj në fillim të vitit tjetër, por ka edhe shumë shembuj të mirë për Kosovën andaj duam ta mbështesim që edhe Kosova të shkojë në këtë drejtim”, theksoi Ministri i Punëve të Jashtme i Austrisë .

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Presidenti i vendit foli edhe për çështjen e njohjes së Republikës së Kosovës nga pesë vendet e mbetura të Bashkimit Evropian të cilat ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës.

“Dëshiroj të falënderojë të gjitha vendet e Bashkimit Evropian të cilat e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, pra tri të katërtat e vendeve të BE-së, dhe megjithëse pesë vende të BE-së ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, ka hapa të ujdisë dhe të bashkëpunimi të tyre në kuadër të politikave të përbashkëta të Bashkimit Evropian për Kosovën, disa prej tyre edhe i njohin pasaportat e Republikës së Kosovës, janë në kuadër të EULEX-it, të kontingjenteve të  KFOR-it, dhe ju bëjmë thirrje që të shpejtojnë me njohje. Mendojë se është paralel borxh i të gjitha vendeve të tjera të Bashkimit Evropian që e kanë njohur Republikën e Kosovës ta bëjnë një, “do ta quaja presion konstruktiv pozitivë”, në vendet e BE-së të cilat ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës dhe t’i prezantojnë arsyet pse e kanë njohur Republikën e Kosovës.  Kosova nuk është precedent për asnjë vend dhe mund të jenë të paarsyeshme shqetësimet e ndonjërit prej tyre se Kosova mund të shërbejë si ndonjë model tjetër eventualisht shqetësimet që mund t’i kenë brenda strukturave të veta të brendshme dhe konsiderojmë se vërtet është koha që të shpejtojmë me përfundimin e ciklit të vendeve të Bashkimit Evropian për njohjen e Kosovës”, theksoi Presidenti Sejdiu.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.