presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Mesazhi i Presidentit të Republikës së Kosovës për 12 Qershorin, Ditën e Lirisë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu, u ka drejtuar qytetarëve të vendit një mesazh me rastin e 12 Qershorit, Ditës së Lirisë. Më poshtë po e japim tekstin e plotë të mesazhit:

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,Po mbushen nëntë vjet nga dita kur më 12 qershor 1999 Kosova doli e lirë, pas një periudhe të gjatë sundimi të huaj e okupimi të egër. Lufta jonë për liri e pavarësi arriti kulmet në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar. Fundi i shekullit dhe i mileniumit të kaluar shënoi fundin e traumës historike dhe agimin e lirisë e të pavarësisë sonë. Në momentet e liga të barbarisë që kishte rënë mbi ne, në krahun tonë dhe në zemrat tona u gjetën NATO-ja dhe miqtë e lirisë e të dinjitetit njerëzor nga të katër anët e globit.Lirinë dhe pavarësinë de facto i kishim nga 12 qershori i vitit 1999, dita e hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, deri më 17 shkurt 2008. Pavarësinë e kemi edhe de jure nga kjo ditë, kur e shpallëm Kosovën Republikë të pavarur dhe sovrane, në bashkërendim me aleatët tanë historikë, me vendet e Unionit Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Lirinë dhe pavarësinë i kemi fituar me përpjekje dekadash, që kanë shkuar nëpër shumë rrugë: me sistem arsimimi e kulture, me luftë politike e me luftë me armë, të cilat në kujtesën tonë historike janë sublimuar te Presidenti historik Ibrahim Rugova dhe komandanti Adem Jashari. I gjithë populli ynë ka ndërtuar lirinë për çdo ditë e javë, për çdo muaj e vit të periudhës moderne të historisë sonë. Lirinë po e ndërtojmë edhe sot, kur kemi krijuar shtyllën kurrizore të shtetit të Kosovës, me Kushtetutën dhe me simbolet shtetërore. Himni i Republikës, i miratuar në vigjilie të përvjetorit të nëntë të Ditës së Lirisë, është një moment kumbues për historinë moderne të vendit tonë.Më shumë se të tjerët, për lirinë që e kemi sot, dhanë luftëtarët e lirisë e të pavarësisë, që punuan me ideal për ta parë ditën e sotme. Një pjesë e këtyre burrave e grave nuk pati jetë për ta parë misionin e përmbushur. U falemi përjetë këtyre luftëtarëve! U falemi përjetë atyre që kanë rënë në altarin e lirisë, duke bërë flijimin më sublim! U falemi nga zemra sot, në Ditën e Lirisë sonë, edhe miqve tanë, që, si pjesë e aleancës më të madhe politike dhe ushtarake në histori, NATO-s, na dolën në ndihmë për të hequr makinerinë vrastare të Serbisë në pranverën e vitit 1999; na shpëtuan nga politikat gjenocidale që rrezikonin vetë ekzistencën e popullit tonë.Pjesëtarët e KFOR-it janë të dashur për këdo në Kosovë, sepse ata simbolizojnë uniformën e paqes e të lirisë për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim përkatësie etnike.Qytetarë të nderuar të Republikës,Në këtë qershor historik për Kosovën, ne kosovarët, shqiptarët shumicë dhe të gjitha pakicat, mbesim të përkushtuar ta kultivojmë lirinë që u shërben të gjithëve.Fryma e lirisë ndër ne krijon rrethanat për zhvillim social e ekonomik, për prosperitet të të gjithëve, për integrim në familjen e madhe të kombeve të lira.Në Ditën tonë të Lirisë, riafirmojmë përkushtimin tonë që, si shtet i pavarur e demokratik, i njohur nga dyzet e sa shtete, duke përfshirë edhe 7 nga 8 vendet më të industrializuara të botës, Kosova të hyjë në proceset integruese në strukturat euro-atlantike, me të cilat na lidh respekti për vlerat fundamentale të lirisë e të dinjitetit njerëzor. Prandaj, sot, më 12 Qershor, në këtë ditë të lirisë e të paqes, kemi veçse fjalë miradie për miqtë tanë, miqtë e popullit tonë, të Republikës, që edhe sot e tutje janë me ne: në radhë të parë NATO-ja/KFOR-i dhe prania e re ndërkombëtare civile.Gëzuar të gjithëve Dita e Lirisë, dita e falënderimit tonë të madh! Rroftë Republika e pavarur e Kosovës! 

This site is registered on wpml.org as a development site.