presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Liderët institucionalë u takuan me udhëheqësit e mekanizmave të sigurisë

Liderët institucional të Republikës së Kosovës, Presidenti Fatmir Sejdiu, Kryeministri Hashim Thaqi, Zëvendëskryeministrat Hajredin Kuqi dhe Ramë Manaj, Ministri i Jashtëm Skender Hyseni dhe Ministri i Punëve të Brendshme Zenun Pajaziti u takuan sot me udhëheqësit e mekanizmave të sigurisë për të diskutuar gjendjen e sigurisë në vend.

Në këtë takim morën pjesë edhe shefi i EULEX-it z. Ive de Kermabon, Komandati i KFOR-it, Gjeneral Gay, Zëvendësi i Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar, z. Fletcher Burton, si dhe përfaqësuesit e policisë së EULEX-it. U konstatua se është më se e nevojshme që të vazhdojë koordinimi i plotë i të gjithë mekanizmave të sigurisë dhe institucioneve të Kosovës, në mënyrë që situata në veriun e vendit të mbahet nën kontroll dhe të parandalohen veprimet e atyre që kanë për qëllim destabilizimin dhe krijimin e tensioneve në vend. Pjesëmarrësit në takim u dakorduan se reagimi i përbashkët i Policisë së Kosovës, Policisë së EULEX-it dhe forcave të KFOR-it ishte përgjigjje adekuate ndaj provokimeve për të nxitë tensione dhe destabilitet. Në këtë takim gjithashtu u theksua se duhet të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme që provokimet dhe aktet e tilla në të ardhmen të parandalohen paraprakisht nëpërmjet koordinimit të veprimeve të të gjithë akterëve në fushën e sigurisë. Përfundimisht, u përsërit thirrja për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të përmbahen ndaj provokimeve që mund të vijnë nga ata që kanë për qëllim ndaljen e ecjes së Kosovës drejt proceseve të zhvillimit dhe perspektivës së gjithëmbarshme. U theksua se të gjithë ata që veprojnë në kundërshtim me ligjin dhe që synojnë të prishin rendin dhe qetësinë në Republikën e Kosovës do të përballen me Policinë e Kosovës, me Policinë e EULEX-it dhe me forcat e KFOR-it, të cilat janë këtu për sigurinë e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim. 

This site is registered on wpml.org as a development site.