presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, në dhjetëvjetorin e vrasjes së avokatit Bajram Kelemendi dhe dy djemve të tij, Kastriot dhe Kushtrim Kelmendi

Jemi mbledhur sot që së bashku ta përkujtojmë avokatin dhe veprimtarin e shquar për lirinë njerëzore dhe kombëtare, z. Bajram Kelmendin, i cili më 25 mars 1999, bashkë me dy bijtë e tij, Kastriotin e Kushtrimin, iu bashkua panteonit të madh të tribunëve të lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës.

E nderuara zonja Nekibe Kelmendi, ministre e Drejtësisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës,
Të nderuar anëtarë të tjerë të familjes Kelmendi,
I nderuar Kryeministër Thaçi,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,
Të nderuar ministra e kryetarë komunash,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve shkencore e kulturore,
Zonja e zotërinj,

Jemi mbledhur sot që së bashku ta përkujtojmë avokatin dhe veprimtarin e shquar për lirinë njerëzore dhe kombëtare, z. Bajram Kelmendin, i cili më 25 mars 1999, bashkë me dy bijtë e tij, Kastriotin e Kushtrimin, iu bashkua panteonit të madh të tribunëve të lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës.

Pikërisht dhjetë vjet më parë, në një ditë të kobshme për familjen Kelmendi dhe për të gjithë ne që e kemi njohur dhe kemi pasur privilegjin të bashkëpunojmë me Bajram Kelmendin, Sigurimi Shtetëror i Serbisë, me urdhrin e Sllobodan Millosheviqit, e rrëmbeu në shtëpinë e tij, mikun e njeriun tonë, Bajram Kelmendin me të dy djemtë, dhe pak çaste më vonë i ekzekutoi ata në mënyrën më barbare.

Ky akt e rishfaqi për të satën herë fytyrën e vërtetë të regjimit pushtues të Millosheviqit. Duke e likuiduar avokatin Kelmendi Beogradi zyrtar synonte të arrinte dy efekte të përnjëhershme; së pari, të fuste ndjenjën e tmerrit në mesin e qytetarëve të Kosovës, sepse Bajrami ishte një ndër personalitet më të fuqishme intelektuale e atdhetare të vendit tonë, si dhe të vriste të vërtetën për krimet serbe ndaj popullsisë së pambrojtur shqiptare, meqë Bajram Kelmendi kishte përgatitur dosje të tëra për dëshmimin e pakundërshtueshëm të këtyre krimeve.

Veprimtar i palodhshëm për lirinë e njeriut, Bajram Kelmendi u dallua sidomos pas vitit 1981, në mbrojtjen e të rinjve dhe intelektualëve shqiptarë që akuzoheshin nga ish-regjimi jugosllav e më vonë nga ai serb, vetëm pse ishin shqiptarë dhe kërkonin lirinë e popullit të tyre. Ai ishte njëri ndër nismëtarët e themelimit të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, institucion ky që bashkë me klasën politike të kohës, me lëvizjen e madhe për lirinë, demokracinë dhe pavarësinë e Kosovës punoi pareshtur për ta sensibilizuar opinionin ndërkombëtar për shtypjen sistematike dhe dhunën e shfrenuar serbe në Kosovë.

Guximi intelektual e qytetar, parimet e forta profesionale e njerëzore dhe mbi të gjitha dashuria e paskajshme për popullin dhe atdheun e vet, e nxitën Bajram Kelmendin që ta sfidojë vetë kreun e krimeve që bënte Serbia në Kosovë, kryetarin e saj Sllobodan Millosheviq, të cilin ai e paditi për krime kundër njeriut në Kosovë. 

Millosheviqi u padit për krime të njerëzimit në një gjykatë në Prishtinës dhe në Beograd, pikërisht kur ai ishte kulmin e fuqisë së tij politike-policore. Ky akt trimëror vërtet e çmendi regjimin serbe, i cili, duke qenë se udhëhiqej nga ligjet mafioze, nuk mundi ta kapërdinte dot një sfidë të tillë. Vetë Millosheviqi dha urdhrin për hakmarrje, ndërsa shërbëtorët e tij e realizuan atë në mënyrën më mizore, siç e thashë edhe më parë, në mënyrë tipike mafioze.  

Atë ditë, tragjikën e njëjtë, bashkë me babanë e tyre, e përjetuan edhe dy bijtë e tij, Kastrioti e Kushtrimi, të cilët ishin rritur dhe ishin pjekur në frymën e prindërve të tyre. Ata i qëndruan pranë babait deri në çastin e fundit të jetës..

Të nderuar pjesëmarrës të kësaj akademie përkujtimore,
Zonja dhe zotërinj,

Avokati Bajram Kelmendi, luftëtar i paepur i paqes, lirisë dhe humanizmit, nuk u struk asnjëherë për ta mbrojtur jetën e vet, ndonëse ishte shumë i vetëdijshëm se e gjithë veprimtaria e tij përcillej me kujdes nga shërbimet serbe. Ai nuk pushoi së vepruari as atëherë kur bashkë me kolegët e vet i hartoi dhe i dorëzoi në Hagë tri kallëzime penale kundër Millosheviqit dhe klikës së tij për krime kundër njerëzimit dhe gjenocid në Kosovë, disa prej të cilave i dorëzoi personalisht në Gjykatën e Hagës. 

Pa asnjë dyshim, zbrazëtia që ka lënë mungesa e Bajram Kelmendit është e pakompensueshme për avokaturën në Kosovë, sepse ai ishte një njeri me vokacion e me potencial të madh intelektual e profesional për të bërë edhe shumë punë të tjera të dobishme për Kosovën.

Personalitet si Bajrami nuk krijohen brenda ditës. Humbja e tij është një goditje e rëndë jo vetëm për familjen e tij të ngushtë, por edhe për kolegët me të cilët punoi dhe për tërë Kosovën. 

Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në fushë të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut, për veprimtarinë e tij gjigante për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, Presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova me plot meritë e pati nderuar me Madaljen e Artë të Pavarësisë.

Të nderuar pjesëmarrës,

Qëndrimi stoik i  znj. Nekibe dhe i pjesëtarëve të tjerë të familjes Kelmendi për të ndihmuar zhvillimet e përgjithshme në vend dhe për të vazhduar udhën e trasuar nga Bajram Kelmendi është një shembull i rrallë jo vetëm për shoqërinë tonë. 

Ndaj, kam nderin e veçantë që ta ftoj familjen Kelmendi ta pranojë Mirënjohjen dhe Medaljen me të cilën janë dekoruar Bajram, Kastriot dhe Kushtrim Kelmendi.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.