presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentit të Republikës së Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu, në dhjetëvjetorin e vrasjes së Akademik Fehmi Aganit

Profesor Agani, sidomos në dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit njëzet, ishte njeriu më aktiv i lëvizjes sonë të përgjithshme për liri e pavarësi. Ai ishte krahu i djathtë i Presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, i cili, duke e kujtuar shëmbëlltyrën e Profesor Aganit, theksonte: “Kosova ndihet krenare me profesor Aganin, me veprën dhe figurën e tij. Profesor Agani ishte Burrë i madh i Kosovës. Njeri me mendje dhe zemër të madhe, siç e njohim dhe siç e dimë të gjithë. Profesor Agani ishte dhe do të mbetet Heroi i Kosovës. Tërë jetën dhe veprën ia kushtoi lirisë dhe pavarësisë Kosovës”.

Prishtinë, 5 maj 2009E nderuara familje Agani,I nderuar Kryeministër Thaçi, Të nderuar ministra, deputetë dhe kryetarë komunash,Të nderuar përfaqësues të partive politike, Pjesëmarrës të këtij manifestimi përkujtimor,Zonja dhe zotërinj,Dhjetë vjet më parë Kosova po kalonte tragjedinë më të madhe në historinë e saj. Në pranverën e vitit 1999, e përballur me sulmet ajrore të NATO-s dhe e bindur tashmë se shekullit të sundimit të saj të egër në Kosovë po i vinte fundi, Serbia kreu masakra të papara ndaj popullsisë civile anekënd Kosovës. Përderisa forcat e rregullta policore e ushtarake serbe po e vazhdonin ditë për ditë plojën ndaj qytetarëve të pambrojtur shqiptarë, piromanët e nxitur nga Millosheviqi dhe e gjithë kasta e Beogradit zyrtar, po digjnin shtëpi pas shtëpie, shkollë pas shkolle, duke mos i kursyer madje as objektet e kultit. Pikërisht në ato ditë të rënda, kur Serbia ashiqare po tentonte ta shndërronte vendin tonë në një tokë të djegur, u shua edhe jeta e profesorit të nderuar, politikanit e atdhetarit të madh të Kosovës, akademik Fehmi Aganit. Profesor Agani, vetëm pak javë përpara se Kosova të dilte përfundimisht nga terri i robërisë, u ekzekutua barbarisht nga forcat serbe. Si shumë veprimtarë të tjerë të Kosovës për liri, pavarësi e demokraci, edhe Fehmi Agani shkoi nga kjo botë pa e pritur agun e lirisë. Porse, për të gjithë ne që e njohëm dhe patëm fatin të bashkëpunonim me të, mbetet satisfaksion fakti se Ai, me punën dhe me veprën e madhe që na la trashëgim, jeton dhe do të jetojë përherë në kujtesën tonë individuale e nacionale si njeriu që diti t’i shkrijë në një virtytet njerëzore, dijen intelektuale dhe dashurinë për atdheun e vet.Zonja e zotërinj,Të dashur pjesëmarrës të kësaj akademie përkujtimore,Profesor Agani, sidomos në dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit njëzet, ishte njeriu më aktiv i lëvizjes sonë të përgjithshme për liri e pavarësi. Ai ishte krahu i djathtë i Presidentit historik të  Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, i cili, duke e kujtuar shëmbëlltyrën e Profesor Aganit, theksonte: “Kosova ndihet krenare me profesor Aganin, me veprën dhe figurën e tij. Profesor Agani ishte Burrë i madh i Kosovës. Njeri me mendje dhe zemër të madhe, siç e njohim dhe siç e dimë të gjithë. Profesor Agani ishte dhe do të mbetet Heroi i Kosovës. Tërë jetën dhe veprën ia kushtoi lirisë dhe pavarësisë Kosovës”. Duke i miratuar në tërësi këto vlerësime të Presidentit tonë të urtë, dr. Rugova, për Profesor Aganin, ritheksojmë se Fehmi Agani gjithmonë ka qenë i veçantë në modestinë njerëzore e morale, cilësi kjo e njerëzve të mëdhenj. Me këto veçori të personalitetit të tij dhe me forcën e argumenteve që shtronte për ta mbrojtur çështjen e Kosovës dhe kauzën nacionale përgjithësisht, Profesor Agani fitonte përkrahjen e diplomatëve të botës dhe respektin për të si burrë shteti i Kosovës. Edhe në planin e brendshëm, ai gëzoi simpatinë dhe adhurimin e qytetarëve të Kosovës, duke qenë një shembull i maturisë politike dhe i këmbënguljes për veprim të përbashkët. Fehmi Agani, pa dyshim, ka qenë njeriu më i spikatur për afrimin e qasjeve divergjente në skenën tonë politike, të cilat ndonjëherë dukeshin thuajse të papajtueshme, prandaj ai kishte autoritet të lartë si te bashkëpunëtorët e vet, ashtu edhe te ata që nuk pajtoheshin me strategjinë e klasës udhëheqëse politike të Kosovës të fundshekullit XX.Është i jashtëzakonshëm kontributi i Aganit edhe në fushë të arsimit, të shkencës dhe të publicistikës shqipe. Me vështrimet e tij, me idetë bashkëkohore dhe me vizionin e gjerë për të ardhmen e kombit të vet, pena e tij përherë zgjonte kërshërinë e lexuesve, madje jo vetëm të atyre të rretheve akademike, por të të gjitha shtresave të shoqërisë në Kosovë, pasi që Agani ishte tanimë një figurë shumë popullore. Njësoj si profesor Anton Çetta dhe Latif Berisha, ai ishte gjithnjë në mesin e studentëve, në mesin e qytetarëve të Kosovës, ndante me ta shqetësimet e përbashkëta, i udhëzonte e i këshillonte në situata të rënda jetësore e kombëtare.   Siç e kanë theksuar edhe njohësit e veprës së tij, krijimtaria intelektuale e Fehmi Aganit është shtrirë më konkretisht në fushat e sociologjisë, të sociologjisë politike dhe të filozofisë së politikës, të raporteve shoqërore, të lëvizjeve çliruese dhe çlirimtare, të grupeve dhe partive politike etj. Agani zë një vendin të dalluar në kulturën shqiptare të pjesës së dytë të shekullit të kaluar.Zonja e zotërinj, Njerëzit si Fehmi Agani mbase ikin shpejt, por ata lënë pas vetes vepra të mëdha, që u mbeten testament e udhërrëfim brezave që vijnë. E themi me bindje se profesor Agani dhe gjenerata e tij, së cilës i ra hise të luftonte për të drejtat e shkelura të bashkëkombësve dhe të merrte në dorë flamurin prijës në përpjekjet e gjithanshme politike e qytetare për lirinë e Kosovës, ishte pa dyshim një gjeneratë e artë e Kosovës, e cila na dhuroi njerëz të mençur e të urtë, njerëz të guximshëm e vizionarë, të cilët ditën që edhe në orët më të liga të historisë sonë të na prijnë me arsye të shëndoshë, duke i pamundësuar kështu realizimet e skenareve të zeza që na i përgatisnin të tjerët.Nga perspektiva e sotme kohore, mund të shihet edhe më mirë vlera e madhe që kishin këta njerëz në politikën e Kosovës, në jetën arsimore, kulturore e humane të vendit tonë. Sot, kur vizioni i tyre për Kosovën e pavarur, sovrane dhe demokratike ka prekur realitetin, ne pohojmë se kujtimi për njerëzit si Fehmi Agani tregon kulturën tonë politike e shtetërore, së cilës ata i dhanë vulën e vet. Republika e Kosovës, e integruar në NATO dhe në Bashkimin Evropian dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë motoja e veprimit dhe e vizionit politik të prijësve të Lëvizjes sonë të përgjithshme për liri, pavarësi e demokraci. Kjo moto mbetet e njëjtë edhe sot, kur Kosova është njohur nga 58 vende të botës demokratike dhe pret njohjet e tjera, për të cilat institucionet e vendit dhe miqtë tanë ndërkombëtarë po punojnë me zell. Me vullnetin e Zotit, kësaj vere, Kosova do të ketë daljen e vet në det, sepse Adriatiku po afrohet me autostradën Durrës-Prishtinë, e cila ka qenë një projekt shpirtëror i Presidentin Rugova dhe po bëhet realitet sot nga Qeveria Berisha. Për ta përmbyllur këtë fjalë timen për profesorin, politikanin dhe atdhetarin e shquar Fehmi Agani, më lejoni të theksoj se Profesor Agani ka qenë pjesë aktive në të gjitha aktet madhore të vendit tonë gjatë viteve ’90, siç janë: Deklarata e Pavarësisë, Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Referendumi për Pavarësi dhe ndërtimi i institucioneve të Kosovës. Ai ishte gjithmonë në front të veprimit si në planin publicistik e diplomatik, ashtu edhe në atë të punës në terren. Profesor Agani është një emër që i dha aq shumë formimit të kulturës politike, shtetërore e njerëzore të vendit tonë. Vokacioni dhe trashëgimia që na e ka lënë ai është pjesë e përkushtimit në punën tonë të mëtejme për ta bërë Kosovën të tillë si ai e ka dashur dhe e ka ëndërruar.Ju faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.