presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentit të Republikës së Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu, në Arizona State University (ASU) me rastin e marrjes së çmimit Distinguished Global Leadership (Lidership Global i Dalluar) Phoenix, Arizona më 23

Më lejoni që të shpreh kënaqësinë time që ndodhem sot në mesin tuaj dhe për nderin e veçantë që më bëni me akordimin e këtij çmimi prestigjioz. E konsideroj çmimin Distinguished Global Leadership, që më jepet mua sot, një nder edhe për qytetarët dhe vendin tim, Kosovën.

I nderuari Profesor Bud Rock, Nënkryetar i ASU për Angazhim Global,
E nderuara znj. Linda Lederman, Dekane e Kolegjit të Arteve Liberale dhe Shkencave, 
I nderuari Profesor Stephen Batalden,
I nderuari z. Arben Lasku, President i Organizatës “Shqipja e Arizonës”,
I nderuari Profesor Shahin Berisha,
I nderuari publik,

Më lejoni që të shpreh kënaqësinë time që ndodhem sot në mesin tuaj dhe për nderin e veçantë që më bëni me akordimin e këtij çmimi prestigjioz. E konsideroj çmimin Distinguished Global Leadership, që më jepet mua sot, një nder edhe për qytetarët dhe vendin tim, Kosovën.

Kosova para pak ditësh, pra më 17 shkurt, shënoi njëvjetorin e parë të saj si shtet sovran dhe i pavarur. Ky vit ishte një vit i rëndësishëm i dëshmimit të saj si vend i demokracisë moderne, vend dhe atdhe i të gjithë qytetarëve pa dallim etnie dhe vend që kujdes të veçantë ka për respektimin e të drejtave dhe lirive njerëzore dhe të drejtave të komuniteteve pakicë.

Të dashur miq,

Kosova paraqet shembullin më të mirë të një vendi, i cili pas një lufte të përgjakshme dhe viktimave të shumta që ajo mori, të një deportimi të dhunshëm jashtë vendit të më shumë se gjysmës së popullsisë së saj, pas shkatërrimeve gati të të gjitha potencialeve ekonomike, të shkatërrimeve masive të objekteve të banimit, të ringjallet posi feniksi.

Pas rezistencës së fuqishme politike dhe ushtarake dhe intervenimit ndërkombëtar, Kosova arriti që në bashkëpunim të thellë me mbështetësit e saj nga bota demokratike të zërë ritmin e zhvillimit dhe të ndërmarrë hapa të rëndësishëm në ndërtimin e institucioneve të lira e demokratike. Kosova i është përjetë mirënjohëse Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe popullit amerikan për mbështetjen e fuqishme që i dhanë popullit të Kosovës në përpjekjet e tij për liri, pavarësi dhe ringjalljen ekonomike të saj.

Në gjithë rrugën tonë, busull themelore të orientimit për liri njerëzore dhe nacionale kemi pasur po kështu edhe motivet për liri dhe pavarësi të këtij vendi të shenjtë, të vëna në Deklaratën e Pavarësisë së vitit 1776, të cilat janë bërë model për tërë botën liridashëse dhe lirinë e popujve.

Si njeri që në thellësi kam përcjellë zhvillimet historike dhe shtetërore të vendeve më të rëndësishme të botës nga lashtësia në bashkëkohësi, dua të veçoj se pikërisht ato motive të fuqishme që i shtruan baballarët e kombit tuaj, ishin nxitje e veçantë dhe mbështetje e pashkëputshme në luftën tonë për liri.

Asnjëherë s’mund të harroj kontributin e Washingtonit, të Jeffersonit, të Madisonit, të Hamiltonit, të John Jay-t të Patrik Henry-t, e shumë e shumë udhëheqësve të rëndësishëm të vendit tuaj që kanë qenë dhe mbeten model i veçantë i mbrojtjes dhe kultivimit të tri parimeve themelore të jetës së qytetarit tuaj, të së drejtës për jetë, të së drejtës për liri dhe të drejtës për kërkim të fatit. Të tjerët, si Presidenti Lincoln, Franklin Roosevelt dhe Kennedy ishin po aq të rëndësishëm në mbrojtjen e këtyre parimeve të rëndësishme për liri. Vetëm kur kjo frymë kërkohet drejtë dhe punohet për realizimin e saj si vlerë dhe e drejtë e pakontestueshme për të gjithë qytetarët dhe për një vend, ajo merr kuptimin e motivit të përhershëm për lirinë, paqen, demokracinë, zhvillimin. Prandaj edhe njohjet e shumta që i janë bërë Kosovës nga ana e shumë vendeve të botës demokratike kanë parasysh zotimin e saj dhe vizionin e shprehur në kushtetutën e vet dhe gjithë korpusin legjislativ të vendit.

Të dashur miq,

Edhe nga ky vend i shenjtë i dijes, dëshiroj të shpreh falënderimet më të thella për popullin amerikan për presidentin Bush plak, Presidentin Clinton, Presidentin George W. Bush, Presidentin Obama që tani morri bekimin e popullin tuaj për mbështetjen e Kosovës pa rezervë në të gjitha kohët. Kjo mbështetje që na jepet nga SHBA dhe BE është po kështu një vlerësim i përbashkët që i jepet përkushtimit të Kosovës dhe nivelit të punës që ajo bën në të sotmen e saj dhe përkushtimin që ka për të ardhmen.

Kosova nuk mund të harrojë tragjeditë e përjetuara ashtu siç kishte thënë edhe Presidenti Clinton, por është e përkushtuar që këtë kaptinë të gjatë të jetës së saj ta mbajë në kujtesë të përhershme duke iu kthyer të ardhmes me respekt dhe garanci për të gjithë qytetarët e saj. Kosova nuk don revansh ndaj pakicës serbe por ata i trajton si qytetarë të barabartë të vendit.

Kosova po zhvillon raportet më të mira ndërfqinjësore më përjashtim të Serbisë, e cila vazhdon me qasjen e saj negative në raport me Kosovën. Megjithatë jemi për relacione të  mira edhe me Serbinë në të ardhmen. E ardhmja jonë është në BE dhe NATO dhe këtë lëvizje e dëshirojmë për të gjithë vendet e rajonit.

Të dashur miq,

Duke iu rikthyer edhe njëherë momentit të pavarësimit të vendit tim para një viti, dëshiroj të kthej kujtesën time në dialogët e shumta që kisha me kolegë të universitetit tuaj gjatë kohës së qëndrimit tim ne këtë universitet dhe dua t’ju them se bie si profeci biseda që kisha me profesor Steve Batalden dhe profesor Richard Dagger (autorin e librit Idetë politike dhe ideali demokratik) në një restorant në Tempe Downtown (diku në Mars 2003). Atë kohë isha i involvuar në politikë aktivisht sikur edhe gjatë kohë më herët në proceset e rezistencës dhe profesor Batalden më pyeti: “Edhe sa vjet do të pavarësohet Kosova?”. Meqë ende nuk kishin filluar negociatat, përgjigjja ime ishte se na duhen mbase 2 deri në 4 vjet. Profesor Batalden tregoi 5 gishtërinj duke theksuar se mbase do të duhen 5 vjet të plota. Të dashur miq, ai nuk e mori notën 10 vetëm për një muaj. Falëminderit Steve!

Në zhvillimet politike që pasuan në kohën, kur unë u zgjodha president i vendit tash e tre vjet, në kohën kur unë udhëhoqa Ekipin Negociator të Kosovës, në kohën kur nxitonim që ky proces të përfundonte sa më shpejt dhe, në kohën kur kishim pengesat e shumta në proces që për pasojë e zgjatnin atë kohësisht, më beso Steve se shpesh parashikimin tënd e kisha para vetes. 

Të dashur miq, zonja dhe zotërinj

Ishin këto kohë tepër të rëndësishme për jetën dhe zhvillimin tonë. Dua të shfrytëzoj këtë rast të shpreh falënderimin tim për rolin që ka luajtur Universiteti juaj në mbështetje të Universitetit të Prishtinës dhe kuadrin mësimor të saj. Dua të kujtoj zonjën Maria Orbina nga Departamenti i Shtetit, profesor Steve Batalden, profesoreshën Nancy Roberts, profesorin Bob Denhardt, profesoreshën Barbara McCabbe, profesorin Brown dhe gjithë miqtë e tjerë që kanë pasë përkushtim të veçantë për universitetet tona.
Dëshiroj t’ju falënderoj po kështu ju për mbështetjen që u keni dhënë shumë studentëve nga Kosova që të vijojnë dhe përfundojnë studimet në këtë universitet. Besoj plotësisht se kjo mbështetje do të vazhdojë edhe në të ardhmen, me Universitetin tuaj si dhe Universitete tjera nga e gjithë Shtetet e Bashkuara. Investimet në nxënie dhe arsimim janë prioritet për Kosovën dhe qëllimi ynë është të ndërmarrim hapat e nevojshëm për zhvillim të mëtejmë në këtë fushë sikurse edhe fushat tjera, dhe si komb i lirë të integrohemi shpejt në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Të nderuar udhëheqës të Arizona State University,

Falëminderit edhe një herë për këtë nder që më bëni me ndarjen e këtij çmimi dhe mundësinë që më dhatë t’i drejtohem audiencës së Universitetit tuaj.

I dëshiroj çdo të mirë Universitetit tuaj!
Zoti i bekoftë Arizona State Sun Devils!
Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

This site is registered on wpml.org as a development site.