presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentit të Republikës së Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu, në Akademinë Përkujtimore të mbajtur me rastin e 10-vjetorit të vrasjes së Enver Malokut

Jemi mbledhur sot, këtu në Teatrin Kombëtar të Kosovës, që me këtë akademi përkujtimore të shprehim nderimin tonë të përhershëm për Enver Malokun, publicistin dhe veprimtarin e shquar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, jeta e të cilit u shua tinëzisht në muzgun e natës së acartë të 11 janarit 1999.

E nderuara familje Maloku,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,
Të nderuar miq e kolegë të Enver Malokut,
Zonja dhe zotërinj,

Jemi mbledhur sot, këtu në Teatrin Kombëtar të Kosovës, që me këtë akademi përkujtimore të shprehim nderimin tonë të përhershëm për Enver Malokun, publicistin dhe veprimtarin e shquar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, jeta e të cilit u shua tinëzisht në muzgun e natës së acartë të 11 janarit 1999.

I lindur më 1954 në Bradash të Podujevës, Enver Maloku mbaroi arsimin fillor në vendlindje, kurse gjimnazin në Podujevë. Në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës i mbaroi studimet për letërsi shqipe. Punoi pak kohë arsimtar në shkollën fillore të Bradashit, pastaj e nisi veprimtarinë rreth 20-vjeçare në gazetari. Ishte gazetar i kulturës në Televizionin e Prishtinës deri në ditën kur ky institucion i rëndësishëm i informimit u mbyll me dhunë  më 1990. Ky moment i vështirë nuk e demoralizoi atë. Ai e vazhdoi veprimtarinë e tij në lëvizjen e madhe për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, kështu që në vitin 1991 nisi të punonte në Qendrën për Informim të Kosovës (QIK), e cila në vend dhe në botë u njoh si Agjenci Kombëtare e Lajmeve e Kosovës.

Enver Maloku, me angazhimin e jashtëzakonshëm në këtë agjenci lajmesh, të cilën e drejtoi nga viti 1993 deri në ditën e ndarjes nga jeta, më 11 janar 1999, u shndërrua në një model të shkëlqyeshëm të gazetarisë aktive kombëtare, e cila, ndonëse në kushte tepër të pafavorshme, ia doli ta fitonte betejën mediatike ndaj trysnisë dhe dhunës sistematike të Beogradit zyrtar, që kishte nën kontroll të plotë një makineri të tërë të radiotelevizioneve, të agjencive të lajmeve e të gazetave të shumta.

Përveç në gjuhën shqipe, e udhëhequr nga Enver Maloku, Qendra për Informim e Kosovës arriti të botonte lajme edhe në anglisht, frëngjisht dhe gjermanisht. Lajmet dhe informacionet e kësaj agjencie ishin burimi kryesor në Kosovë dhe për Kosovën.
Më 1998, në vitin e luftës, siç e quante Maloku, falë energjisë së tij të pafundme, filloi edhe botimi i gazetës informative të mbrëmjes “Informatori”, mbase e para dhe e vetmja e sojit të tillë në botën shqiptare. Në ballinën e kësaj gazete, çdo mbrëmje, lexuesit gjenin komentet e Enver Malokut, të cilat, para së gjithash, ishin gjykime të një autori sa të mprehtë e të rreptë, po aq parashikues e të autoritetshëm.
Venerimet e tij nuk ishin analiza që shkruheshin pas një ndodhie, por të shumtën ishin tekste që sinjalizonin atë që do të pasonte. Kjo veçanti e bëri të gëzonte adhurimin e atyre që e donin dhe nderimin e atyre që e kundërshtonin. Shtatë muajt e “Inormatorit” sigurisht janë muajt më dinamikë të një të përditshmeje shqipe. Kushedi, mbase këtë ritëm kaq të lartë, që nganjëherë dukej thuajse i pamundshëm, Enver Malokut ia impononte vetë natyra e tij e gjallë dhe burrërore, guximi i tij tipik për ta thënë të vërtetën, edhe kur vorbulla e jetës e ballafaqonte me situata tepër të rënda personale jetësore, siç ishte tentim atentati ndaj tij në korrikun e vitit 1998, prej të cilit e shpëtoi vetëm mrekullia e fatit.

Sot, dhjetë vjet më pas, pa asnjë ngurrim mund të pohohet se puna e jashtëzakonshme e Enver Malokut dhe e brezit të tij të gazetarëve dhe publicistëve të vyeshëm të Kosovës, ishte një fitore mediatike dhe diplomatike e Kosovës ndaj Serbisë. Ishte fitore në fushë të informimit, sepse e vërteta e Kosovës u njoh në botë e atillë siç ishte në realitet, e rëndë dhe tragjike deri në përmasat që s’mund të paramendoheshin nga bota e qytetëruar. Ishte fitore diplomatike, sepse për herë të parë në historinë e Kosovës bota perëndimore e demokratike u rreshtua përkrahë vullnetit tonë politik e kombëtar për liri, demokraci e pavarësi, duke e demaskuar njëherë e mirë propagandën agresive të Millosheviçit kundër vendit tonë.

Qytetarë të nderuar të Republikës së Kosovës,

Më 23 dhjetor 2004, në cilësinë e Presidentit të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova i dekoroi me Medaljen e Artë të Pavarësisë njëmbëdhjetë veprimtarë të dalluar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ndër të cilët ishte edhe Enver Maloku. 

Në cilësinë e Presidentit të Republikës së pavarur, sovrane dhe demokratike të Kosovës, unë sot kam nderin e veçantë që këtë medalje t’ia jap familjes Maloku, e cila, ashtu si të gjithë ne që e njohëm dhe e deshëm këtë gazetar të madh të Kosovës e të botës shqiptare, duhet të jetë krenare që pati në mesin e saj një njeri të tillë, një njeri që vite të tëra afirmoi në Kosovë dhe në botë mesazhin e vullnetit tonë politik e kombëtar.

Ndaj, lus Zonjën Maloku, që në emër të familjes Maloku, të vijë dhe ta marrë këtë mirënjohje për bashkëshortin e saj, Enver Malokun, këtë burrë trim të Kosovës, i cili pati fuqinë që t’i veneronte zhvillimet si rreth, ashtu edhe brenda nesh me një kthjelltësi të habitshme, edhe atëherë kur të gjithëve na dukej se mendimi i arsyeshëm po mbytej nga amullia.

This site is registered on wpml.org as a development site.