presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentit Sejdiu në ceremoninë e zbulimit të shtatores së presidentit Clinton në Prishtinë

Është nder i veçantë për Kryeqytetin e Republikës së Kosovës dhe për vendin tonë në përgjithësi që sot po e inauguron shtatoren e Presidentit Bill Clinton.Ne të gjithë jemi të nderuar me pjesëmarrjen Tuaj në këtë solemnitet, President Clinton, dhe me këtë akt simbolik duam t’ju shprehim edhe një herë gjithë nderimin tonë për Ju dhe për vendin tuaj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Në ditët më të vështira për Kosovën dhe popullin e saj të rrezikuar nga zhbërja totale fizike, Ju dolët në ballë të vendeve demokratike e liridashëse të botës, që e ndaluan makinerinë paramilitare, policore dhe ushtarake të Millosheviqit, e cila po i dëbonte me brutalitet të paparë qytetarët e vendit tonë nga shtëpitë e veta dhe dëshironte t’i vriste të gjithë.

I nderuar President Clinton,Falë përkrahjes suaj të madhe dhe sakrificës sublime të njerëzve tanë, Kosova arriti lirinë e saj. Tani, kur shteti ynë gëzon njohjen e 62 vendeve anekënd globit, ne ripohojmë zotimin tonë për ta bërë Republikën e Kosovës atdhe të dashur për të gjithë qytetarët e saj pa dallim etnie e besimi, një vend i cili do t’i respektojë me këmbëngulje vlerat dhe trashëgiminë kulturore e shpirtërore të secilit komunitet e të secilit qytetar.Kosova është një vend i vogël, me vështirësi të ndryshme ekonomike e sociale. Por, njëkohësisht, Kosova ka resurse të bollshme të pasurive minerare, ka një tokë të bereqetshme dhe një rini të arsimuar dhe të shkëlqyeshme, e cila jep garanci të fuqishme se e ardhmja jonë do të jetë më e ndritshme. Vizioni ynë është Kosova e integruar në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në institucionet e tjera ndërkombëtare. Jemi të bindur se përkrahja Juaj për ta arritur këtë synim nuk do të na mungojë asnjëherë, sikundër që nuk na ka munguar kurrë deri më sot, as në kohën e Lëvizjes së madhe për liri, demokraci e pavarësi, së cilës i printe Presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, as në kohën e luftës çlirimtare të UÇK-së, dhe as tani, në betejën e madhe për zhvillimin e Kosovës së pavarur, sovrane e demokratike. I nderuari President Clinton,Pjesëmarrës të këtij manifestimi,Rastisi që kjo shtatore të zbulohet në kohën e zgjedhjeve të para lokale pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ne besojmë që vizita Juaj në Kosovë do të jetë një nxitje e fuqishme për të gjithë qytetarët, për të gjitha partitë politike të Kosovës që ta përmbyllin këtë proces të rëndësishëm me sukses. Jemi të vetëdijshëm se më 15 nëntor sytë e botës do të jenë të drejtuar kah vendi ynë, ndaj duam që ajo ditë, njësoj si kjo e sotmja të kalojë në frymë paqeje, tolerance e gëzimi. Përmbyllja e qetë dhe e dinjitetshme e këtij procesi të rëndësishëm për vendin tonë sigurisht që do të ishte dhurata më e mirë për miqtë tanë të shumtë kudo në botë, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe të gjitha vendet e tjera demokratike të botës, të cilat na kanë ndihmuar në rimëkëmbjen tonë. Zgjedhjet e 15 nëntorit janë një rast i mirë që Kosova t’i tregojë botës se është e zonja dhe e gatshme të ndërtojë institucione të lira e demokratike, të cilat i përgjigjen popullit, sovranit të vërtetë të Kosovës.Duke ju falënderuar sërish, uroj që kjo shtatore të jetojë gjatë, ashtu siç do të jetojë deri në pafundësi miqësia në mes dy vendeve tona, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës!Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës!Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.