presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Augusto Santos Silva: Vizioni i Portugalisë për Kosovën është shumë i qartë

“Portugalia gjithmonë ka luajtur një rol të rëndësishëm për Kosovën, si para, ashtu edhe pas pavarësimit të vendit tonë dhe ne nuk mund ta harrojmë kurrë aktin e njohjes së pavarësisë sonë, në një moment krucial për ne”, theksoi Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, gjatë një takimi që pati sot me ministrin e Mbrojtjes së Portugalisë, z. Augusto Santos Silva.

“Pas pavarësisë, ne kemi pasur zhvillime pozitive në Kosovë. Më e rëndësishmja është se nuk janë realizuar parashikimet e këqija të kundërshtarëve të pavarësisë. Përkundrazi, Kosova gjatë kësaj kohe ka dëshmuar përgjegjësi të lartë dhe është bërë faktor i rëndësishëm i paqes dhe i stabilitetit në rajon”, vijoi Presidenti Sejdiu.Duke rikujtuar faktin se Republika e Kosovës deri më sot është njohur si shtet i pavarur dhe sovran nga 63 vende anekënd botës, Presidenti Sejdiu kërkoi nga ministri portugez Silva që Portugalia të shfrytëzojë influencën për ta ndihmuar edhe më tej procesin e njohjes së Kosovës nga sa më shumë vende.Sa i përket reduktimit të trupave të KFOR-it, Presidenti Sejdiu ripërsëriti qëndrimin e tij dhe të institucioneve të vendit, se reduktimi duhet të bëhet duke i pasur parasysh nevojat dhe zhvillimet në Kosovë, krahas forcimit të kapaciteteve të saj të sigurisë.Në këtë kontekst, ai kërkoi që të mos ketë deklarime unilaterale të tërheqjes së ushtarëve të NATO-s nga Kosova, sepse misioni i KFOR-it në Kosovë ka qenë dhe duhet të jetë i përbashkët.Ndërkaq, ministri portugez i Mbrojtjes, z. Augusto Santos Silva tha se vizioni i Portugalisë është shumë i qartë, Kosova ka perspektivë evropiane dhe duhet të integrohet në Bashkimin Evropian dhe në NATO, ashtu si edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.“Portugalia është e përkushtuar për stabilitetin dhe sigurinë e Kosovës dhe nuk do të bëjë asnjë reduktim të trupave të saj në Kosovë gjatë muajve të ardhshëm”, theksoi ministri Augusto Santos Silva, duke shtuar se kontingjenti i ushtarëve portugezë në kuadër të KFOR-it paraqet misionin më të madh ushtarak të Portugalisë jashtë kufijve të këtij vendi. Kjo, sipas tij, dëshmon përkushtimin e thellë që ka Portugalia për Kosovën, për sigurinë dhe të ardhmen e saj euroatlantike.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.