presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

“Zëri i Amerikës”: KOSOVA NUK MUND TË MBETET PENG I ASKUJT

Ne do të kemi nevojë vërtetë që të kemi njohje edhe nga vende që mbase mund të jenë gjeografikisht edhe më të vogla se Kosova, por edhe të tjera për të përmbushur edhe një pjesë të rëndësishme të atij bonusit për të qenë anëtarë edhe në Kombet e Bashkuara. Është e mirë e madhe që Kosova është anëtarësuar në dy mekanizma të rëndësishëm ndërkombëtarë, Fondin Monetar dhe Bankën Botërore dhe kjo hapë rrugën edhe për anëtarësime të tjera. Dhe të gjitha këto janë bërë duke vlerësuar pozitivisht zhvillimet tona.

Zëri i Amerikës: Zoti President, Kosova sot po shënon një vit që kur është bërë me Kushtetutën e saj. Si e vlerësoni ju rrjedhën e deritashme të zbatimit të kësaj Kushtetute? Fatmir Sejdiu: Them se është një vit i dëshmimit të rëndësishëm të Kosovës për realizimin e projektit politik të saj për të qenë një vend i demokracisë bashkëkohëse, moderne, duke pasur parasysh se kushtetuta si akt më i lartë juridik i vendit ka përmbledhur në vetvete parimet më të rëndësishme të ndërtimit të një shteti demokratik. Duke pasur parasysh, po ashtu se në këtë kushtetutë Kosova ka hyrë me zotime të veçanta sa i përket të drejtave dhe lirive njerëzore dhe veçanërisht të drejtave dhe lirive të komuniteteve. Për këtë kohë mund të them se, mbështetur në kushtetutën e Republikës, janë ndërtuar apo është në përfundim cikli i ndërtimit i të gjithë institucioneve edhe vitale të Republikës, duke pasur parasysh edhe formimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, ndërtimin e Forcës së Sigurisë, Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Këshillin Nacional të Sigurisë dhe elemente të tjera të themi që janë pjesë e sistemeve apo pushteteve. Zëri i Amerikës: Zoti President, thatë se kjo kushtetutë ofron mundësi të mira edhe për komunitetet. Por, pse ata nuk po e pranojnë një gjë të tillë? Fatmir Sejdiu: Janë probleme që janë të trashëguara tash e sa kohë dhe mund të them, fatkeqësisht, një pjesë e komunitetit serb ende mbetet në iluzionet si pjesë e vazhdimit të obstruksioneve të instrumentuara nga Beogradi dhe them se nuk kanë arsye. Gjithë atë që ka qenë e nevojshme që të bëhet në kuptimin e ofertës së institucioneve të Republikës së Kosovës, ne e kemi bërë dhe do ta bëjmë ne vazhdimësi, por natyrisht se do të nevojitet edhe një bashkëpunim më i ngjeshur edhe me faktorin ndërkombëtarë në Kosovë për t’u thënë realisht se shansi i tyre dhe perspektiva e tyre është e përbashkët me qytetarët e tjerë të Kosovës, duke pasur po ashtu paralelisht shembullin e mirë të integrimit të gjithë komuniteteve të tjera pakicë, por them edhe të një pjese të rëndësishme të komunitetit serb. Prandaj ne do të vazhdojmë në qasjen tonë për të dhënë, të themi edhe shpjegime praktike për ata që nuk e dinë përmbajtjen e kushtetutës së Republikës së Kosovës, apo s’duan ta dinë. Dhe natyrisht gjithë spektri i ligjeve të tjera që del nga kushtetuta të jetë një ofertë paralele. Zëri i Amerikës: Zoti President, është thënë se oferta nga Beogradi është më e fuqishme sesa oferta nga Prishtina për pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë. Apo ju mund ai me ofertën e tij? Fatmir Sejdiu: Jo, unë s’them se mund të ketë një balancë të tillë. Njerëzit duhet ta duan vendin në të cilin ndodhen. Dhe oferta e Beogradit deri tash, fatkeqësisht, ka qenë ofertë destruksioni. Ka qenë ofertë që mban peng vetë qytetarët serbë. Dhe në njëfarë forme është ofertë që sillet thjeshtë e kundërt me të gjitha zhvillimet e rëndësishme ndërkombëtare për Kosovën. Kosovën e kanë njohur 60 shtete të anëve të ndryshme të globit dhe do të ketë edhe njohje të tjera dhe Kosova ka dëshmuar në mënyrën më të mirë të mundshme qëndrueshmërinë e saj si një shtet i demokracisë moderne, them edhe njëherë dhe një shtet i garancive për të gjithë qytetarët. Prandaj, për Beogradin do të nevojitet vërtetë që të ketë një këndellje dhe të ketë një qasje krejt tjetër ndaj Kosovën në këtë rast, por edhe ndaj serbëve të Kosovës. T’i lërë të qetë që ata vet të zgjedhin dhe të ecin me fatin e tyre ne tokën e përbashkët, apo atdheun e përbashkët që e quajmë Kosovë dhe që garancitë e tyre kushtetuese të jenë të realizuara pikërisht edhe me pjesën e vullnetit të tyre. Është tepër vështirë që gjithmonë siç thuhet, të jetë një ofertë e njëanshme dhe paralelisht them se do të nevojitet që edhe nga ana e Serbisë t’u thuhet serbëve të Kosovës se “atdheu juaj, vendi juaj është Kosova” dhe se Kosova është e të gjithë qytetarëve, atë që ne e themi vazhdimisht, është e shumicës shqiptare por është edhe e pakicave dhe në këtë kuadër duhet të realizohet ajo që është e garantuar. Zëri i Amerikës: A mund të ndodhë që Beogradi një ditë ta bëjë një hap të tillë? Fatmir Sejdiu: Unë besoj se tash për tash ata nuk e kanë gjetur ende fuqinë, ndonëse ne do ta dëshironim dhe siç dihet, ne e kemi shikuar me kujdes edhe mbështetjen ndërkombëtare që i është dhënë kësaj qeverie që është në pushtet dhe vet presidentit Tadiq për të fituar zgjedhjet presidenciale, gjithmonë me bindjen se do të vijë koha që do të dëshmojë me prova të drejtpërdrejta orientimin pro evropian dhe pro perëndimor. Fatkeqësisht deri tash nuk ka pasur një lëvizje të tillë. Ne e themi se aty realisht do të nevojitet edhe një guxim në lidershipin serb, për t’u përballur në radhë të parë themi me atë retorikën vetjake të ashpër që e kanë pasur deri tash dhe për të thënë se është një realitet i ri i cili duhet të çmohet dhe të respektohet, duke e hequr thjeshtë iluzionin që kanë se mund ta mbajnë peng Kosovën. Kosova s’mund të mbahet peng. Rrota e historisë as që mund të kthehet mbrapa e as nuk mund të ndalet. Ajo do të ecën me vetveten. Dhe Kosova në mënyrë shumë të mirë e ka dëshmuar vetveten me vlerat e shpalosura para vetes në radhë të parë por edhe para bashkësisë ndërkombëtare. Zëri i Amerikës: Zoti President, tashmë më shumë se një viti Kosova është e pavarur dhe është njohur nga 60 vende të botës. A jeni të kënaqur, a është e mjaftueshme kjo njohje? Fatmir Sejdiu: Po do të ketë nevojë edhe për njohje të tjera që është shumë e qartë dhe mendoj se është një kualitet i veçantë i arritur deri tash në këtë ecje me 60 njohje që vijnë nga vende të anëve të ndryshme të rruzullit tokësor, nga vende të fuqishme, nga vende me peshë të veçantë në skenën ndërkombëtare në atë politike dhe ekonomike. Ne do të kemi nevojë vërtetë që të kemi njohje edhe nga vende që mbase mund të jenë gjeografikisht edhe më të vogla se Kosova, por edhe të tjera për të përmbushur edhe një pjesë të rëndësishme të atij bonusit për të qenë anëtarë edhe në Kombet e Bashkuara. Është e mirë e madhe që Kosova është anëtarësuar në dy mekanizma të rëndësishëm ndërkombëtarë, Fondin Monetar dhe Bankën Botërore dhe kjo hapë rrugën edhe për anëtarësime të tjera. Dhe të gjitha këto janë bërë duke vlerësuar pozitivisht zhvillimet tona. Zëri i Amerikës: Zoti President, i përmendët Kombet e Bashkuara. Sekretari i përgjithshëm i kësaj organizate Ban Ki Moon ka theksuar në raportin e tij se ju, mendoj institucionet e Kosovës, po e injoroni misionin e tij në Kosovë? A po ndodhë vërtetë kjo? Fatmir Sejdiu: Jo. Shiko, ne kemi çmuar dhe çmojmë rezultatet pozitive që janë arritur në Kosovë me bashkëpunim me misionin e UNMIK-ut dhe mendoj se janë bërë punë të mëdha dhe është një periudhë e tash një dekade. Gjithmonë themi se shumë procese kanë mundur të lëvizin mbase edhe më shpejtë, por është e rëndësishme që megjithatë është arritur në një periudhë që misioni i UNMIK-ut të jetë në reduktim aktiv dhe ne e çmojmë atë përpjekje për ri konfigurimin e tij dhe mbetjen simbolike në këtë kohë. Natyrisht Edhe në shpejtimin e hapave që duhet të përmbyllet si mision. Gjithmonë si një mision që ka bërë punë dhe investime të suksesshme. Pra mund të themi se Kosova është storja më e suksesshme e investimit dhe protektimit ndërkombëtar. Paralelisht mund të them se ne e çmojmë në veçanti edhe rolin që ka KFOR-i në Kosovë. Është një faktor tepër i rëndësishëm me prezencën e vet, që nuk ka mbetur vetëm në rolin e asaj që ne mund ta quajmë siguri fizike dhe psikologjike për qytetarët dhe integritetin e Kosovës, por them në të njëjtën kohë që ka qenë një faktor tepër i rëndësishëm edhe në proceset integruese.

This site is registered on wpml.org as a development site.