presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga mbajti ligjëratë në Kolegjin Dartmouth

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mbajti një ligjëratë në Kolegjin Dartmouth të Hanoverit në SHBA, me temën “Sukseset dhe sfidat e procesit të shtetndërtimit në Kosovë”.

Ligjërata e Presidentes Jahjaga, u përcoll nga një numër i madh i studentëve dhe profesorëve të Kolegjit Dartmouth, dhe ajo në fund të kësaj ligjërate iu përgjigj një numri pyetjesh të pjesëmarrësve.  Në vazhdim po e japim të plotë, fjalën e Presidentes Jahjaga në Kolegjin Dartmouth:  I nderuari President i Universitetit të Dartmouth,I nderuari Dekan,Të nderuar Studentë, Jam e nderuar që kam rastin t’ju drejtohem, të mbaj një fjalë para një auditori të tillë. Kur të jeni në vendin tim atëherë do të thoni saktësisht këto fjalë që po i them tash, por më duhet ta them se vitet më të mira të miat kanë qenë në kohën ku jeni ju tash. Sepse vitet e moshës studentore janë vitet më të mira me kujtimet më të mira që ju mbajnë gjallë dhe i mbani për jetë.  Edhe pse vitet e mia të studimeve nuk kanë qenë vite të rregullta të studimit dhe kështu normale si tuajat, sepse regjimi i Milosheviqit për të cilin tanimë ju keni dëgjuar, neve qytetarëve të Kosovës na ka përzënë nga puna, na ka përzënë nga shkolla, na ka përzënë nga Universiteti dhe unë fakultetin e kam kryer nëpër shtëpi private, të cilat njerëzit zemër mirë i hapen për neve të rinjtë dhe ne i shndërruam në dhoma mësimi dhe në kabinete pune.  Ju dëshmoj se unë dhe gjenerata ime në Kosovë dëshirën për mësim dhe për dije e kemi pasur të ndërlidhur me ndjenjën e frikës nga represioni dhe nga mundësia që policët befas të hyjnë dhe ta ndërpresin mësimin dhe t’i burgosin mësimdhënësit. Që nga viti 1999 vendi im e ka fituar lirinë në saje të rezistencës gjithëpopullore, të luftës së armatosur dhe të ndihmës ndërkombëtare të intervenimit të NATO-s. Tani fëmijët dhe të rinjët në vendin tim si në cdo vend tjetër të zakonshëm mësojnë në shkolla të rregullta, që nga mosha parashkollore deri në mësimin universitar. Në Republikën e Kosovës përvec dy Universiteteve publike kemi edhe më se dhjetëra Universitete private, ndër ta edhe Universitetin Amerikan. Sot të Rinjët e vendit tim, dhe unë vehten e konsideroj të tillë, mësojmë me programet më të mira dhe më bashkëkohore sikurse në cdo metropol të botës. Tash më është  ringjallur dëshira që posa ta përfundoj mandatin e Presidentes, të ulem prap në amfiteatër, kuptohet si mësimdhënëse, sepse kam plot përvojë dhe eksperiencë që dua ta ndaj me studentët dhe që do të ishte e dobishme për studentët. Kosova është shteti më i Ri i Evropës, jo vetëm për nga mosha sepse tek ne rreth 60%  e popullatës janë më të rinj se 23 vjec, por që jemi shteti më i ri i pranuar ndërkombëtarisht dhe shteti i fundit që doli nga shpërbërja e ish Jugosllavisë. Ne jemi Republikë parlamentare demokratike me pushtet të koncentruar në duar të kryeministrit dhe Qeverisë, por me një Presidente të fuqishme, cfarë më shihni këtu para jush që jam zgjedhur me konsensus partiak dhe nacional, duke u votuar me dy të tretat e votave të deputetëve të Parlamentit të Kosovës. Vendi im ka marrëdhënie fqinjësore të mira me të gjitha shtetet në rajon, kjo ndoshta juve nuk ju bënë përshtypje, sepse ky është një parakusht te marrëdhëniet ndërkombëtare por duke ditur historinë e vendeve të Ballkanit ne një fakt të tillë e vlerësojmë si sukses, që e dëshmon përkushtimin tonë që të jemi faktor paqeje dhe stabiliteti dhe mirëkuptimi ndërmjet popujve dhe vendeve në mënyrë që e kaluara e dhimbshme pasojat e së cilës po i vuajmë të gjithë ne, të mos përsëritet më kurrë, të mos ketë më dhunë dhe hegjemonizëm dhe që të gjithë popujt dhe vendet të jetojnë të lirë, të dinjitetshëm dhe të barabartë. Republika e Kosovës është një shtet i ndërtuar në parimin qytetar edhe pse më shumë se 90% e banorëve janë shqiptarë. Parimi qytetar në ndërtimin e shtetit na ndihmon që ne të ndërtojmë një shoqëri demokratike me të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët pa dallim. Një shoqëri ku secili ndihet zot i vetëvetes pa frikë nga majorizimi dhe pa frikë nga imponimi i cfardo norme e cila nuk është përcaktim i vullnetshëm i tij. Në Republikën e Kosovës, shqiptarët, serbët, boshnjakët, turqit, goranët, ashkalinjët, romët, malazezët, kroatët i gëzojnë të drejtat dhe obligimet e barbarta, pa marrë parasysh numrin. Në Kuvendin e Kosovës që ka 120 ulëse të gjitha këto komunitete janë të përfaqësuara, përmes vendeve të zgjedhura apo përmes vendeve të garantuara. Ky përfaqësim është i aplikueshëm edhe në Qeverinë e Republikës së Kosovës duke përfshirë edhe të gjitha nivelet e administratës lokale. Ne me kushtetutë dhe ligjet tona kemi paraparë spektër të gjerë të të drejtave të pushtetit lokal duke marrë parasysh se në disa komuna jeton i koncentruar një komunitet i caktuar, ku ata më lehtë dhe më drejtëpërdrejt i realizojnë të drejtat kolektive. Edhe pse shteti im është i pranuar nga 88 vende të botës duke përfshirë këtu 22 nga 27 vende të Bashkimit Evropian ne ende nuk po mund të bëhemi vend anëtar i Kombeve të Bashkuara dhe të antarësohemi në organizatat  dhe mekanizmat ndërkombëtare, si anëtar i barabartë. Arsyeja formale qëndron në Rezolutën 1244 të miratuar nga Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara me të cilën në Kosovë është vendosur një administratë civile ndërkombëtare.  Sic e dini, më 17 Shkurt të vitit 2008, vendi im shpalli pavarësinë e plotë duke siguruar njëkohësisht edhe sovranitetin dhe integritetin territorial. Pasi u paraqit një kontestim, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara kërkoi nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë që të deklarohet a ishte shpallja e Pavarësisë së Kosovës në përputhje me Ligjin Ndërkombëtar dhe me Rezolutën 1244. Vendimi i kësaj gjykate, që është mendim këshilldhënës, e përcaktoi se shpallja e pavarësisë nga përfaqësuesit e zgjedhur të popullit nuk është në kundërshtim dhe nuk shkel normat ndërkombëtare dhe është në harmoni me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara. Edhe pse vendimi nuk është detyrues kjo Gjykatë është autoriteti më i lartë dhe përfundimtar për këto cështje, duke i dhënë kështu legjitimitet por edhe legalitet ndërkombëtar deklaratës së pavarësisë së Kosovës. Sic e dini Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara vendos me konsensus që do të thotë se asnjë vend anëtar nuk duhet të jetë kundër kërkesës së Republikës së Kosovës për t’u bërë vend anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Janë dy anëtarë të përhershëm Rusia dhe Kina që ende e mbajnë peng një proces të tillë.  Këto ditë Qeveria e vendit tim u pajtua që vendi të përfaqesohet në organizatat rajonale me fusnotë e cila thotë se kjo nuk ndikon në qëndrimin për statusin dhe është në përputhje me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së dhe me mendimin e GJND-së për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Me këtë, Republikës së Kosovës i hapet perspektiva që të anëtarësohet në të gjitha organizatat rajonale duke përfshirë edhe ato evropiane, duke përfaqësuar veten si e barabartë me vendet e tjera anëtare, dhe duke mos qenë pengesë për këtë, fakti se Republikën e Kosovës ende nuk e kanë  njohur 5 shtete të Bashkimit Evropian, ose ndonjë shtet tjetër që është anëtar i këtyre organizatave dhe i cili më herët përdorte veton për të penguar këtë anëtarësim. Vendi im dëshiron të jetë anëtar i Bashkimit Evropian sepse perspektiva e të gjitha vendeve të rajonit është në këtë anëtarësim duke siguruar përkrahje dhe ndihmë reciproke dhe duke siguruar standarde të larta në lëmin e lirive dhe të drejtave të njeriut në qeverisje më të mirë, në zhvillim ekonomik, arsimor, etj. dhe në avancimin e proceseve demokratike. Pas pranimit të kësaj fusnote neve na është hapur perspektiva e rrugës së rregullt për aëntarësim në Bashkimin Evropian, kemi hyrë në procesin e liberalizimit të vizave, në përcaktimin e fizibilitetit për stabilizim asociim dhe në marrëdhëniet kontraktuale ekonomike. E di se ju nuk mund të kuptoni se cka është procesi i liberalizimit të vizave, por sot vetëm qytetarët e shtetit tim nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor nuk mund të udhëtojnë jashtë vendit, as për vizitë, as për shkollim, as për mjekim por as edhe për turizëm nëse paraprakisht nuk i nënshtrohen procesit të marrjes së vizave. Të rinjët e vendit tim mund të udhëtojnë vetëm në katër shtete të botës pa pasur nevojë për viza. Na është premtuar dhe ne si institucione të Kosovës jemi zotuar se do t’i kryejmë të gjitha procedurat dhe obligimet që deri në fund të këtij viti qytetarët e mi të mund të udhëtojnë lirshëm, pa viza  në shtetet e Bashkimit Evropian. Të nderuar studentë, Ju të gjithë tashmë e keni mësuar se si lindin, si krijohen dhe si ndërtohen shtetet, sidomos shekulli i XX është interesant për të gjitha modelet dhe format e ndryshme. Republika e Kosovës është një model i vecantë, e keni dëgjuar tashmë se rasti i Kosovës është sui generis, nuk mund të krahasohet me një rast nga e kaluara dhe nuk mund të shërbejë si rast apo si model për të tjerët në të ardhmen. Unë tashmë e përmenda intervenimin ushtarak të NATO-s i cili nga teknika dhe nga metoda por edhe nga efektet dhe qëllimet cilësohet si intervenim humanitar. Unë konsideroj se më të drejtë e ka këtë emër sepse duke falënderuar sulmet ajrore të NATO-s mbi objektivat e caktuara, për 78 ditë me radhë, u parandalua gjenocidi dhe u ndalua shpërngulja me dhunë e popullatës me qëllim të spastrimit etnik të territorit dhe u ndërpre dhuna e egër djegiet, plackitjet, vrasjet, dhe dhunimet mbi popullsinë civile. E konsideroj se intervenimi nuk do të kishte efekt nëse nuk do të përcillej me masa të administrimit civil ndërkombëtarë si dhe me prezencë ndërkombëtare policore dhe ushtarake, që në terren siguruan mbrojtjen e kufijve dhe tërësinë territoriale të vendit tim por edhe parandaluan konfliktet ndëretnike dhe shpërthimin e një lufte civile.  Ky administrim që u bë në formën e UNMIK (United Nations Mission in Kosovo), i cili ndihmoi në rindërtimin e vendit pas luftës dhe ngritjen e institucioneve qeverisëse dhe aftësimin e institucioneve vendëse për marrjen e plotë të përgjegjësive. Mendimi im është se ky mision zgjati shumë, sepse po të kishte ndodhur pavarësia e vendit tim disa vite më herët ne sot do të ishim më afër në proceset e integrimeve euroatlantike. Përvojat e angazhimit ndërkombëtar në vendin tim sigurisht do të shërbejnë për analiza që misionet e tilla në rindërtim, në ripajtim dhe në ndërtimin e kapaciteteve qeverisëse duhet të jenë më efikase më konkrete dhe më të shkurtëra për të mos rënë ndesh me aspiratat legjitime të popullit dhe për të mos degraduar në një aparat të padobishëm dhe efikas. Vendi im sot është një shtet stabil që e ka kaluar me sukses fazën e tranzicionit dhe prej një vendi që më shumë se një dekadë pranonte ndihma jemi bërë një vend që mund të ndihmojmë edhe ne misionet humanitare emergjente, por edhe në misione paqëruajtëse por edhe në rindërtim në vendet e paskonfliktit dhe sidomos në ndërtimin e kapaciteteve të administratës dhe qeverisjes si dhe të pajtimit. Të ndalem pak në procesin e kthimit të besimit dhe në pajtim. Vendet e dalura nga lufta kanë probleme një kohë më të gjatë me kthimin e besimit dhe me procesin e pajtimit dhe nëse nuk intervenohet me kohë dhe nëse nuk ndërmerren masat e nevojshme, vendet mund të rrëshqasin në konflikte fisnore, krahinore ose etnike me rrezik të ndezjes së luftës civile. Republika e Kosovës pas bisedimeve në procesin e Vjenës adaptoi pakon e Presidentit finlandez, Martti Ahtisaari, i cili ishte ndërmjetësues në këto bisedime, me këtë pako e cila tash është pjesë e Kushtetutës dhe e ligjeve të vendit tim, komuniteteve etnike dhe fetare ju garantohen të drejta të gjëra, nëpërmjet procesit të decentralizimit kemi krijuar 6 komuna të reja, në të cilat jetojnë komunitetet e caktuara në numër më të madh, 5 komuna për komunitetin serb dhe një komunë me shumicë etnike turke. Edhe pse këto komuna janë miniaturiale dhe kanë vetëm 5000 deri 10000 banorë ato e kanë efektin psikologjik por edhe praktik që komunitetet i realizojnë lirshëm të drejtat e tyre kolektive por edhe marrin përgjegjësi të plota në ushtrimin e kompetencave në pushtetin local. Kjo ndikon që edhe pjesëmarrja e tyre në institucionet qendrore duke pranuar autoritetin e Republikës së Kosovës, sovranitetin dhe integritetin territorial të saj të jetë e përshtatshme.  Në qeverinë e vendit tim sot janë tre ministra të komunitetit serb dhe një turk. Sic edhe keni dëgjuar ne kemi probleme të caktuara në veri të Kosovës. Fjala është për tri komuna që janë të banuara me shumicë etnike serbe dhe që janë gjeografikisht në veri të territorit të Kosovës dhe që kanë lidhje direkte tokësore me Serbinë. Popullata lokale serbe, që janë qytetarë të Kosovës, nuk e pranon autoritetin e pushtetit të Republikës së Kosovës, madje ditë më parë ata mbajtën edhe një referendum lokal për këtë cështje. Numri i banorëve në këtë pjesë të vendit tim nuk është më i madh se 50.000 veta ndërsa i gjithë territori është 900 km katrorë, këtë po e them për të treguar se ky numër dhe ky territor nuk është i mjaftueshëm që të vetëdeklarojë pavarësinë, apo të shfrytëzojë të drejtën e vetëvendosjes. Në fillim të kësaj ligjerate fola për parimin qytetar të ndërtimit të shtetit tim, kjo nënkupton se unë jam fuqimisht kundër ndarjeve në vija etnike, kundër coptimit të territoreve, kundër shkëmbimit të territoreve dhe të popullsisë dhe kundër ndërrimit të strukturës etnike të territorit. Të gjithë ne popujt dhe vendet e rajonit po shkojmë drejt integrimeve euroatlantike dhe nuk ka nevojë të copëzohemi më tepër. Unë e mbështes konceptin se të drejtat e minoriteteve në vendin tim përvec përkrahjes time si Presidente e vendit dhe të institucioneve të Kosovës, që është bindja dhe vullneti, janë të garantuara me Kushtetutën dhe me ligjet e vendit tim, por gjithashtu është kornizë e mjaftueshme për zhvillim dhe përparim zbatimi i pakos së Ahtisaarit. Ky model ka dhënë rrezultate në pjesën më të madhe të Kosovës, në të cilën jeton komuniteti serb. Kam shumë arsye të besoj se pakoja e Ahtisaarit është dokument i përshtatshëm edhe për pjesëmarrjen në qeverisje dhe integrimin e komunitetit serb që jeton në tri komunat veriore të Kosovës. Kjo është lehtë e zbatueshme dhe në këtë unë e shoh të nevojshme, përkrahjen nga komuniteti ndërkombëtar: Bashkimi Evropian por edhe përkrahjen nga Republika e Serbisë, e cila tash nuk është në këtë linjë dhe po përkrahë strukturat e ashtuquajtura paralele të pushtetit dhe kështu po nxitë model të diferencuar të të drejtave të serbëve, që nuk është në interesin e ketij komuniteti, por as që është në interes të dy vendeve tona.  Kjo që po e them nuk ka alternativë. T’i kthehem në fund – fillimit: Republika e Kosovës sic thash është shteti më i ri i Evropës, gjithashtu ju thash se ky është një rast i vecantë, jo pse secili shtet që krijohet nuk është rast i vecantë, por sepse në rastin e Kosovës gërshetohen shumë momente por edhe shumë elemente dhe faktor. Vendi im për një kohë të gjatë iu nënshtrua një represioni që vazhdoi me konflikt dhe luftë që u shpreh edhe me shpërnguljen me dhunë të më shumë se 60% të banorëve, por që patëm një intervenim ushtarak të NATO-s për t’i ndalur këto procese dhe për të rikthyer normalitetin e gjendjes, për të kthyer popullatën e shpërngulur në territore të veta, për të hequr administratën e pushtetit të dhunshëm dhe për të larguar forcat policore, ushtarake dhe paramilitare, që e terrorizonin popullsinë civile. E gjithë kjo krijoi parakushtet që në vendin tim të vendoset një administratë civile ndërkombëtare e cila pas shpalljes së pavarësisë ka kaluar në një mision të mbikëqyrjes ndërkombëtare dhe në një mision evropian të ndihmës në sundimin e rendit dhe të ligjit. Mësimi i mësuar nga e gjithë kjo: Është se intervenimi i NATO-s nëpërmjet sulmeve ajrore konsiderohet humanitar, efektet ishin të dukshme, porositë e qarta dhe qëllimi u arrit plotësisht duke mos pasur asnjë ushtar të Aleancës të humbur. Rasti i Kosovës deri më tash konsiderohet si  tregimi më i suksesshëm i veprimit të NATO-s edhe në pikëpamje operacionale, edhe në angazhimin proporcional të forcës dhe të përdorimit adekuat të mjeteve dhe të realizimit të objektivave ushtarake dhe politike. Është një ndërthurrje e diplomacisë me forcën ushtarake. Ky mësim i mësuar së fundmi dha rezultat edhe në pranverën Arabe në angazhimin humanitar dhe ushtarak të forcave euroatlantike. Ky karakterizohet me intervenimin multilateral të forcave të Aleancës duke kaluar në doktrinën paqëruajtëse të intervenimit dhe duke pasur vazhdimësi në misionin ndërkombëtar të administrimit, i mbështetur në forcat policore dhe ushtarake me ndikimin parandalues.          Rasti i vendit tim, është shembull i suksesshëm të bashkëpunimit të plotë rreth një qëllimi, të faktorit të brendshëm me faktorin e jashtëm dhe Republika e Kosovës është rezultat i këtyre dyjave dhe pa njërën ose tjetrën nuk do të ishte e mundur. Qëllimi është, ndërtimi i demokracisë funksionale, i një shoqërie të së drejtës, i sundimit të rendit dhe ligjit dhe i vlerave që sot cilësohen si vlera të civilizimit perëndimor. Që sublimohen në të drejtat dhe liritë e plota të njeriut dhe në barabarësinë e të gjithë njerzëve, pa marrë parasysh gjininë, racën, fenë apo përkatësinë kombëtare. Ky shekull e kam thënë është shekull i integrimeve dhe jo i ndarjeve. Duke ndërtuar vendet tona në e ndërtojmë edhe njerëzimin.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.