presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Jahjaga në Kuvendin Zgjedhor të Odës së Avokatëve të Kosovës

Me përzgjedhjen tuaj që të ushtroni profesionin e avokatit ju keni marrë obligim të jeni në shërbim të qytetarit të Kosovës dhe të garantoni respektimin e të drejtave në kuadër të rendit juridik të shtetit tonë.

Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, Të nderuar pjesëmarrës të Kuvendit Zgjedhor të Odës së Avokatëve të Kosovës,Të nderuar avokatë të Kosovës,Me përzgjedhjen tuaj që të ushtroni profesionin e avokatit ju keni marrë obligim të jeni në shërbim të qytetarit të Kosovës dhe të garantoni respektimin e të drejtave në kuadër të rendit juridik të shtetit tonë. Jeni betuar se do ta ushtroni profesionin tuaj “me dinjitet, ndërgjegje të pastër e të pavarur dhe me nder, duke respektuar rendin juridik dhe kushtetues të vendit”.Me këtë betim keni marrë angazhim që nuk kufizohet vetëm në definicionin profesional të kompetencave tuaja, por edhe për të ndërtuar një shtet të së drejtës në Kosovë. Raportin e Progresit, të cilin sapo e kemi marrë nga Komisioni Evropian, duhet ta shohim si një dokument real që me gjetjet e tij na ndihmon të përqendrohemi në fushat në të cilat kemi ngecur. Reformimi i pamjaftueshëm i sistemit gjyqësor përpos që e zbeh arritjen e qëllimeve tona strategjike të integrimit euroatlantik, frenon zhvillimin demokratik të shoqërisë tonë.Andaj, sundimi i rendit dhe ligjit duhet të jetë prioriteti kryesor i të gjitha institucioneve të Kosovës. Krijimi i një sistemi efikas dhe transparent të drejtësisë në shërbim të qytetarëve është elementi më i rëndësishëm i realizimit të këtij qëllimi. Ndërtimi i tij duhet të jetë thelbi i përpjekjeve tona për të ndërtuar shtet të mundësive të barabarta, ku mbizotëron ligji dhe zbatimi i tij. Forcimi i shtetit të së drejtës fillon me respektin që ju si avokatë e tregoni për ligjin dhe mbrojtjen që ai ofron, e vazhdon me përpjekjet tuaja maksimale që qytetarëve t’ua siguroni qasjen në drejtësi. Por, në veçanti, ju e forconi shtetin e së drejtës me insistimin tuaj të argumentuar për ndërtimin e një sistemi të drejtësisë të zhveshur nga ndikimi politik, të pakorruptuar dhe të përgjegjshëm ndaj secilit qytetar, pavarësisht nga përkatësia etnike apo preferencat politike.E nënvizoj këtë nevojë për forcimin e sistemit tonë të drejtësisë sepse në këtë kthesë historike e cila përcakton drejtimin për të ardhmen e vendit tonë, qytetarët kanë nevojë ta ndjejnë forcën e ligjit dhe paanshmërinë e tij në përditshmërinë e tyre. Qytetarët duan trajtim korrekt, duan jo vetëm t’i kenë por edhe t’i realizojnë të drejtat e tyre kushtetuese, dhe ata e meritojnë aplikimin e përpiktë të tyre. Si përfaqësues të institucioneve, por edhe si profesionistë që kemi zgjedhur të jemi në shërbim të qytetarëve, duhet të angazhohemi që ta ngrisim besimin  në sistemin tonë të drejtësisë. Një pjesë e madhe e këtij angazhimi natyrisht është në duart e gjykatësve dhe të  prokurorëve. Por edhe ju avokatë të nderuar, me punën tuaj të përditshme, jeni ura lidhëse që ndihmon në krijimin e traditës së rendit dhe sundimit të ligjit në Kosovë.Këtë e bëni duke treguar përgjegjësi profesionale dhe morale në ushtrimin e detyrës tuaj. E demonstroni duke e zbatuar Ligjin mbi Avokatinë dhe duke e respektuar Statutin dhe Kodin e Etikës Profesionale nga Oda e Avokatëve të Kosovës. Duke zgjedhur këtë standard për aplikimin e dijes dhe të ndihmës tuaj profesionale ju përcaktoheni për sundimin e rendit dhe ligjit. Duke ndjekur këtë rrugë etike të përfaqësimit të barabartë dhe të paanshëm të qytetarëve pranë gjykatave ju përkushtoheni rishtazi për parimin se askush nuk duhet dhe nuk mund të jetë mbi ligjin. Me punën dhe përkushtimin tuaj ju do t’i inkurajoni mijëra palë të kontesteve dhe halleve të ndryshme në mbarë vendin të gjejnë mbështetje te ligji dhe te institucionet, sepse ato ekzistojnë për t’i mbrojtur ata. Kërkoj nga ju që t’ua demonstroni atyre se rruga ligjore, ndonëse shpesh e ngadalshme, është e vetmja për të cilën shoqëria jonë është përcaktuar.Ju falemnderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.