presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentes së Republikës së Kosovës në pritjen tradicionale për Korin Diplomatik

Para se t’i them dy fjalë për vendim tim, më lejoni të shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për humbjen e jetës së dy ushtarëve të Republikës së Shqipërisë gjatë misionit paqeruajtës ndërkombëtar në Afganistan.

Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve Diplomatike në Republikën e Kosovës,Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,Të nderuar miq, Ju dëshiroj shëndet, lumturi e gëzime juve dhe familjeve Tuaja. Ju dëshiroj suksese në punën Tuaj. Ju dëshiroj mirëqenie e begati në vendet Tuaja dhe dëshiroj që marrëdhëniet e vendit tim me vendet e Juaja të zhvillohen dhe të përparohen gjithanshëm. Idealet tona dhe idealet tuaja janë të jetojmë të lirë, të dinjitetshëm, në paqe, në prosperitet, duke respektuar dhe duke dashur njëri tjetrin. Para se t’i them dy fjalë për vendim tim, më lejoni të shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për humbjen e jetës së dy ushtarëve të Republikës së Shqipërisë gjatë misionit paqeruajtës ndërkombëtar në Afganistan. Ambasador Lauka, pranoni ngushëllimet e qytetarëve dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës.  Të nderuara zonja dhe zotërinj, Republika e Kosovës shtet sovran dhe i pavarur, si faktor paqeje dhe stabiliteti, është ndërtuar në parimin qytetar, në respektimin e të drejtave dhe lirive të gjithë qytetarëve pa dallim. Kjo është shprehje e vullnetit të lirshëm të të gjithë qytetarëve, por gjithashtu është shprehje e përkrahjes së Juve miqve tanë ndërkombëtarë, të vendeve Tuaja, para së gjithash të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Bashkimit Evropian, të Britanisë së Madhe të Gjermanisë, Francës, të Turqisë dhe të mos i përmend këtu të gjitha vendet që e kanë njohur pavarësinë e Republikës se Kosovës, me një falënderim të veçantë për vendet ku pata vizita shumë të suksesshme zyrtare dhe pjesëmarrje në konferenca dhe samite ndërkombëtare. Edhe pse kanë kaluar katër vjet nga shpallja e pavarësisë dhe trembëdhjetë vjet nga liria e vendit tim, ne ende ndiejmë nevojë, si obligim dhe si respekt të flasim për këtë, sepse Republika e Kosovës ende nuk është pranuar nga të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian dhe ende nuk është bërë anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Edhe pse askush këtu nuk sheh alternativë tjetër përveç Kosovës Shtet Sovran dhe të Pavarur, vend të Bashkimit Evropian, anëtare të NATO-s, anëtare të OKB-së dhe të gjitha organizatave dhe mekanizmave tjerë ndërkombëtare. Kjo është zgjidhja më e mirë dhe më e drejtë. Ne jemi përcaktuar për shtet qytetar në kufijtë ekzistues, sepse kjo e ka një histori, e ka një traditë. Ndarja ose tentimi për përkufizim në vija etnike ndërmjet popujve dhe shteteve në të kaluarën na solli shumë dhimbje dhe shumë vuajtje.  Të nderuar miq, Republika e Kosovës zhvillon marrëdhënie bilaterale me një varg shtetesh dhe jep shembull të mirë për marrëdhëniet fqinjësore qe i zhvillon me shtetet përreth, duke u bërë faktor paqeje, stabiliteti e mirëkuptimi. Ne po zhvillojmë një dialog me Serbinë në Bruksel që po ndërmjetësohet dhe po lehtësohet nga Bashkimi Evropian dhe që në një formë është edhe garantues i zbatimit të marrëveshjeve të arritura. Kjo është në dobi të qytetarëve dhe në dobi të Kosovës dhe të Serbisë, si dy vende fqinje që duhet të normalizojnë marrëdhëniet dhe që në rrugën e integrimeve evropiane mund dhe duhet ta ndihmojnë njëra-tjetrën. Dialogun unë e shoh si të vetmen mundësi që Serbinë ta ulim në tavolinën e bisedimeve dhe që ta bindim që të respektojë realitetin dhe të sillet si vend fqinjë duke respektuar standardet dhe obligimet ndërkombëtare. Dialogu gjithherë zhvillohet ndërmjet të barabartëve dhe ne kështu i kemi hyrë këtij procesi në Bruksel dhe kështu edhe do ta përmbyllim këtë proces, me marrëveshjet që janë evropiane, me zgjidhjet që lehtësojnë jetën dhe qarkullimin e njerëzve dhe të mallrave dhe që normalizojnë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona. Për atë edhe angazhohemi për reciprocitet të plotë në mënyrë që nga ky proces askush mos të ndihet i humbur. Ne Bashkimin Evropian e shohim si një familje të kombeve të lira dhe të dinjitetshme me standarde të larta të respektimit të lirisë dhe të drejtave të njeriut individuale dhe kolektive. Kjo është kornizë e mjaftueshme për neve popujt e Ballkanit perëndimor që të kapërcejmë animozitetet historike dhe teoritë e dominimit. Krahas zhvillimit ekonomik dhe sundimit të rendit dhe të ligjit kjo për neve është e mjaftueshme dhe Kosova është e aftë dhe e gatshme të marrë të gjitha obligimet dhe përgjegjësit e veta si faktor konstruktiv dhe të kontribuojë në misionet humanitare dhe paqësore ndërkombëtare, por ajo që e konsiderojmë të rëndësishme të jap kontributin e saj në kuadër të institucioneve dhe të arkitekturës evropiane.  Të nderuar miq, Dëshirat e mia dhe të gjithë qytetarëve të vendit tim janë të thjeshta. Dëshirojmë të jetojmë të lirë, të barabartë, të dinjitetshëm, me të drejta dhe liri të plota, në begati e mirëqenie, me punë dhe me mundësi shkollimi e arsimimi, me shërbim shëndetësor dhe me politika të drejta sociale, me zhvillim ekonomik duke shfrytëzuar potencialin njerëzor dhe resurset tona dhe duke e ndërlidhur me kapitalin botëror. Të jetojmë në paqe dhe në harmoni me të gjithë të tjerët. Të gjitha këto ne mund t’i arrijmë së bashku me vullnetin dhe me angazhimin tonë me ndihmën dhe me përkrahjen Tuaj. Ju të gjithë e keni vërejtur se rinia e Kosovës sot është e njëjtë me rininë e metropoleve evropiane dhe botërore, se ka të njëjtat vlera dhe se ndërmjet vete komunikon lirshëm duke ndërtuar edhe një filozofi dhe një pikëpamje të përbashkët politike, njerëzore dhe jetësore. Gëzuar për rininë dhe për të ardhmen e vendeve tona,Ju faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.