Presidentja Jahjaga u kthye nga vizita zyrtare në Poloni

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga u kthye sot nga vizita zyrtare në Republikën e Polonisë, ku mori pjesë në Samitin e 17-të të presidentëve të vendeve të Evropës Qendrore.

Në Aeroportin e Prishtinës, Presidentja Jahjaga u prit me ceremoni zyrtare nga Garda e Nderit e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Më pas, ajo mbajti një konferencë për media, transkriptin e së cilës po e sjellim në vijim:

Unë u ktheva sot nga një udhëtim jashtëzakonisht i mirë dhe jashtëzakonisht i suksesshëm. Kthehem me porosi shumë të mira për institucionet dhe qytetarët e Kosovës. Sepse pjesëmarrja për herë të parë e imja dhe e Kosovës në një Samit të tillë, në nivel të njëjtë me të gjithë presidentët e Evropës Qendrore dhe Juglindore është një arritje shumë e madhe e Kosovës, e institucioneve të saj dhe veçanërisht e qytetarëve të Kosovës.

Unë kam marrë pjesë në mënyrë të barabartë si të gjithë presidentët e mbi 20 shteteve që ishin të pranishëm në tryezën e rrumbullakët dhe kam prezantuar Kosovën, të arriturat e Kosovës, progresin e Kosovës si dhe shtetndërtimin demokratik, reformat pozitive të arritura në këto vitet e fundit. Po ashtu, gjatë këtij Samiti, janë shtjelluar shumë tema, në bazë të programit të paraparë nga ana e udhëheqësit, organizatorit, presidentit Komorowski të Republikës së Polonisë, ku Kosova mori pjesë dhe unë prezantova me një fjalë gjatë seancës së parë plenare dhe gjithashtu mora pjesë në të gjitha diskutimet.

Ishte hera e parë që Kosova mori pjesë në diskutime, jo vetëm për çështjet e brendshme të saj, por në çështjet e përgjithshme që janë brengë e të gjitha shteteve të Evropës. Unë personalisht e konsideroj këtë si një të arritur shumë të madhe, që Kosova më në fund po prezantohet si shtet i barabartë me të gjitha shtetet dhe mund të japë kontributin e saj në një nivel të barabartë edhe me presidentët e vendeve të tjera të Evropës.

Kam pasur, gjithashtu, një numër takimesh biletarale me presidentë apo homologë të shteteve të tjera; me presidentin e Hungarisë, me atë të Sllovenisë, presidentin e Kroacisë, me presidentin e Gjermanisë, me presidentin e Austrisë, me presidentin e Maqedonisë, të Bullgarisë, të Shqipërisë, të Malit të Zi dhe disa presidentë të tjerë.

Në këto takime bilaterale kemi diskutuar çështje të interesit të përbashkët si në fushën politike po ashtu edhe në fushat e zhvillimit ekonomik. Nga shumica e presidentëve kam kërkuar që të vazhdojnë të ndihmojnë Kosovën në agjendën e integrimit evropian dhe kam marrë edhe konfirmimin e tyre pozitiv, që Kosova duhet të punojë fuqimisht, ashtu siç ka bërë deri tash, në arritjen e parakushteve sa i përket agjendës evropiane dhe integrimeve evropiane.

Po ashtu,  kam kërkuar fuqimisht që Kosova sa më shpejtë të hyjë në marrëdhënie kontraktuale me shtetet e BE-së, që do të fuqizonte jo vetëm reformat e brendshme, do të nxiste debatin e brendshëm për arritjen e këtyre reformave, por gjithashtu do të nxiste edhe çështjen e zhvillimit ekonomik, do të hapte mundësitë tregtare për Kosovën.

Kishim një darkë të përbashkët me të gjithë presidentët, ku ishte i pranishëm edhe Presidenti i SHBA-së, dhe edhe aty në mënyrë shumë të hapur, në mënyrë të barabartë me të gjithë presidentët e tjerë, diskutuam për çështje që janë të interesit vital për Evropën në tërësi dhe sidomos për shtet e Evropës Juglindore që janë në korridorin më të rëndësishëm në mes të Lindjes dhe Perëndimit si dhe për sukseset e të arriturat e këtyre shteteve përfshirë edhe Kosovën. Është dhënë mesazhi se do të jetë e hapur porta për të gjitha shtetet, duke përfshirë Kosovën, drejt integrimit në BE, NATO dhe OKB.  

Në vijim, Presidentja Jahjaga u përgjigj në pyetjet e gazetarëve:


Pyetje: A keni marrë premtime për njohje të reja dhe cili është qëndrimi juaj për ndarjen e Kosovës, ide që po flitet nga zyrtarët serbë:

Përgjigje:
Kërkesën dhe nevojën për zgjerimin dhe intensifikimin e procesit për njohjen e Kosovës jo vetëm që e kam shtruar në takimin e përbashkët me presidentët e shteteve, pjesëmarrës në Samitin e Varshavës, por kjo ka qenë kërkesë specifike edhe në takimet bilaterale që kam pasur me secilin president. Nga secili prej tyre kam marrë premtime se do ta kemi mbështetjen e tyre të fuqishme drejt procesit të lobimit për njohjen e shtetësisë së Kosovës.

Po ashtu, gjatë këtyre takimeve, pata ftesa të shumta nga presidentët për të zhvilluar vizita në shtetet e tyre, duke përfshirë Kroacinë, Slloveninë, Gjermaninë, Hungarinë e Lituaninë. Besoj se me vizita në këto shtete mund të zgjerojmë lobimin tonë, nevojat tona për njohjen e shtetësisë së Kosovës.

Çështja e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë sigurisht që ka qenë temë e takimeve. Qëndrimi im ka qenë qëndrimi që gjithnjë kam pasur, që ky është një dialog teknik, në të cilin diskutohen çështje teknike që lehtësojnë jetën e qytetarëve, si të Republikës së Kosovës, po ashtu edhe të Republikës së Serbisë dhe çdo çështje tjetër që hapet, sa i përket riorganizimit të brendshëm apo çështjen e statusit, këto janë çështje që kanë vijën e kuqe. Unë disa herë e kam përmendur çështjen e vijës së kuqe dhe këtu nuk do të ketë asnjë diskutim.

Pyetje: Sa jeni e sigurt rreth kësaj, kur Presidenca nuk është e inkuadruar drejtpërdrejt në dialog?

Përgjigje:
Ju e dini se rezoluta e aprovuar nga Kuvendi i Kosovës thekson se kjo çështje udhëhiqet nga Zyra e Kryeministrit dhe e përfaqësuar nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri. Ne gjithsesi, në mënyrë të vazhdueshme pas shkuarjes dhe pas kthimit nga Brukseli, unë kam takim dhe njoftohem lidhur me progresin dhe mund t’ju them se deri tash ka qenë në fazat e dialogut teknik.

Ju e dini shumë mirë mbështetjen që kemi edhe nga SHBA, por edhe nga BE, që e fasciliton procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë