Presidentja Jahjaga mori pjesë në mbledhjen e Këshillit Konsultativ për Komunitete

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mori pjesë sot në mbledhjen e Këshillit Konsultativ për Komunitete (KKK), i cili funksionon në kuadër të Zyrës së Presidentes së Kosovës.

Duke folur para anëtarëve të këtij këshilli, Presidentja Jahjaga çmoi lart rolin e këtij këshilli konsultativ dhe u ofroi atyre përkrahjen për të gjitha çështjet që ata i ngritin për diskutim.

Presidentja u tha anëtarëve të KKK se ata duhet të jenë sa më afër komuniteteve që përfaqësojnë, në mënyrë që të njihen me të gjitha çështjet që ata shtrojnë, qoftë në lëmin e të drejtave dhe lirive të njeriut, çështjet në arsim, kulturë, shëndetësi apo çështje të tjera në nivel lokal apo në nivel vendi, sepse ato janë të ndërlidhura dhe ndikojnë njëra në tjetrën.

Në këtë takim z.Petar Miletiq u rizgjodh kryesues i Këshillit Konsultativ për Komunitete, z.Qerim Bajrami u rizgjodh zëvendëskryesues, ndërsa z.Bashkim Kurti u zgjodh zëvendëskryesues.

Në takim, gjithashtu u formua grupi punues për mbikëqyrjen e zbatimit të planit të punës së Këshillit Konsultativ për Komunitete për vitin 2011.