Presidentja Jahjaga mori pjesë në manifestimin qendror të festimit të 150 vjetorit të Bashkimit kombëtar italian

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mori pjesë në manifestimin qendror të festimit të 150 vjetorit të Bashkimit kombëtar italian, të organizuar në Romë, krahas rreth 80 udhëheqës shtetesh nga e mbarë bota. Ajo gjithashtu u takua me Presidenten e Konfederatës së Zvicrës, Michelin Calmy-Rey, koprincin e Andorës, arqipeshkvin Joan Enric Vives i Sicilia, Presidentin e Kroacisë, Ivo Josipoviq, Presidentin e Maqedonisë, Gjorgji Ivanov, Presidentin e Sllovenisë, Danilo Turk, Presidentin e Afganistanit, Hamid Karzai, Presidentin e Hungarisë, Pal Shmit, e shefa të tjerë shtetesh, pjesëmarrës në manifestim

Romë, 2 qershor 2011 – Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Italisë, me ftesë të Presidentit Giorgio Napolitano, mori sot pjesë në manifestimin qendror të festimit të 150 vjetorit të Bashkimit kombëtar italian.

Në ceremoninë madhështore, të përcjellë edhe me paradë ushtarake, Presidentja Jahjaga, ishte e ulur krahas Presidentes së Zvicrës, Micheline Calmy-Rey, Presidentit të  Afganistanit, Hamid Karzaj, nënkryetarit të SHBA, Jozef Bajden, Presidentit të Kroacisë, Ivo Josipoviq e të tjerë.

Presidentja Jahjaga u takua dhe bisedoi me nënkryetarin e SHBA, Jozef Bajden. Z.Bajden e përgëzoi Presidenten Jahjaga për zgjedhjen e saj në krye të vendit. Ai e quajti zgjedhjen e Presidentes Jahjaga një moment shumë të rëndësishëm në angazhimin e vazhdueshëm të integrimit sa më të shpejtë të Kosovës në strukturat euroatlantike dhe përparimin e përgjithshëm të vendit.

Nënkryetari Biden theksoi marrëdhëniet shumë të mira mes SHBA dhe Republikës së Kosovës të cilat do të zhvillohen më tej sepse SHBA e kanë përkrahur dhe do të vazhdojnë edhe më tej ta përkrahin Republikën e Kosovës në të gjitha drejtimet.

Presidentja Jahjaga falënderoi z.Bajden për përkrahjen e SHBA për Republikën e Kosovës  që është vendimtare dhe që vlerësohet shumë nga populli dhe institucionet e Republikës së Kosovës.

Presidentja Jahjaga u takua edhe me Presidenten e Konfederatës së Zvicrës, Michelin Calmy-Rey, koprincin e Andorës, arqipeshkvin Joan Enric Vives i Sicilia, Presidentin e Kroacisë, Ivo Josipoviq, Presidentin e Maqedonisë, Gjorgji Ivanov, Presidentin e Sllovenisë, Danilo Turk, Presidentin e Afganistanit, Hamid Karzai, Presidentin e Hungarisë, Pal Shmit, e shefa të tjerë shtetesh, pjesëmarrës në manifestim.