Presidentja Jahjaga dekoroi gjenerallejtënant Sylejman Selimi me Medaljen e Artë të Lirisë

Në një ceremoni të organizuar në kabinetin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Presidentja Atifete Jahjaga ia ka dorëzuar sot komandantit të deritashëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Sylejman Selimi, Medaljen e Artë të Lirisë.

Presidentja Jahjaga e ka dekoruar gjeneral Selimin, për kontributin e lartë dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
 
Vendimi për dekorim është marrë në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, neni 84, pika 28, si dhe në bazë të Rregullores mbi Dekoratat, Urdhrat dhe Titujt e Nderit dhe Procedurat e Dhënies së Tyre, neni 3,4,6,35,39 dhe 41.
 
Medalja e Artë të Lirisë u jepet qytetarëve të Kosovës dhe të huaj, për kontribut në mbrojtjen e lirisë së Kosovës.