Presidenti Thaçi: Xhemajl Fetahaj ishte veprimtar dhe luftëtar i jashtëzakonshëm

Prishtinë, 31 maj 2019 - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në Akademinë Përkujtimore për heroin Xhemajl Fetahaj.

Presidenti Thaçi ka thënë se në prag të çlirimit të vendit tonë, para njëzet vjetëve, Ushtria Çlirimtare e Kosovës krahas luftës heroike pati edhe goditje.

“Sot e njëzet vjet më parë ranë heroikisht bashkëluftëtarët tanë Xhemajl Fetahaj dhe Milazim Shala në Rrasën e Zogut, aty ku po thyhej përfundimisht kufiri Shqipëri–Kosovë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se Xhemajl Fetahaj hyn në radhën e veprimtarëve dhe luftëtarëve që kanë një biografi të jashtëzakonshme në rrugën e realizimit të idealit të tyre për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Xhemajl Fetahaj si pjesëtar i organizatave çlirimtare, si student i historisë përjetoi burgun, prej nga e forcoi edhe më shumë bindjen për të punuar edhe më shumë kundër sundimit serb të Kosovës. Pas daljes nga burgu ai dha një kontribut të çmuar në lëvizjen për pajtim dhe kundër hakmarrjes”, ka theksuar presidenti Thaçi.

I pari i vendit ka thënë se Xhemajl Fetahaj për t’i ikur arrestimit të dytë përjeton mërgimin, por asnjëherë nuk e ndali aktivitetin e tij kombëtar për çlirimin e Kosovës.

“Edhe unë kisha nderin të bashkëveproja në të njëjtën organizatë politike me Xhemajl Fetahajn. Me fillimin e luftës në Kosovës, ai nuk mjaftohet me kontributin e dhënë në diasporë, por ngjesh armët në frontin e betejave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pra në istikame”, ka thënë presidenti Thaçi.

Rënia e dëshmorëve të shumtë në beteja, sakrifica e martirëve gjithandej Kosovës, sipas presidentit Thaçi, tregon më së miri çmimin e lartë të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës është projekti më i suksesshëm politik dhe ushtarak i popullit shqiptar në shekullin e kaluar. Është projekti më produktiv dhe rezultatdhënës për Kosovën, si në aspektin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar”, ka thënë ai.

Kreu i shtetit ka thënë se sa më shumë po kalon koha, aq më shumë po dalin në pah vlerat e luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vlerat e heronjve dhe dëshmorëve të saj.

“Nuk do të ketë sukses asnjë përpjekje për ta njollosur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë ai.

Për dy dekada Kosova ka bërë një progres të jashtëzakonshëm, por sipas presidentit Thaçi, Kosova ballafaqohet ende me sfida të shtetësisë së saj në rrafshin ndërkombëtar, me synim për t’u anëtarësuar në NATO, BE dhe OKB.

Presidenti Thaçi ka thënë se Kosova ka qenë dhe do të mbetet mirënjohëse përjetë për kontributin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të shteteve të Bashkimit Evropian dhe të NATO–s për lirinë dhe pavarësinë që sot e gëzojmë.