Presidenti Thaçi udhëton për në Bjellorusi, merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Minsk

Prishtinë, 30 tetor 2018 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me ftesë të Shefit të Konferencës së Sigurisë së Munihut, Wolfgang Ischinger, ka udhëtuar për në Minsk të Bjellorusisë, ku do të marrë pjesë në Takimin e Grupit Kryesor të Konferencës së Sigurisë të Munihut, një ngjarje e nivelit të lartë që mbledh protagonistë kryesorë rajonalë, krerë shtetesh dhe të organizatave ndërkombëtare, ministra, deputetë, drejtues të OJQ-ve dhe gazetarë, për të diskutuar për çështje rajonale dhe globale të sigurisë.

Presidenti Thaçi do të marrë pjesë edhe në pritjen e Ambasadorit të Republikës Federale të Gjermanisë në Bjellorusi, Peter Dettmar, si dhe shefit të konferencës, Wolfgang Ischinger, si nikoqirë të kësaj konference.
 
Të mërkurën, presidenti Thaçi pritet të mbajë një fjalë rasti në një panel me Kryeministren e Serbisë, Ana Brnabiq, me moderator ish-ambasadorin Ischinger, ndërkaq panelin do ta hapë Ministri i Punëve të Jashtme të Bjellorusisë, Vladimir Makei.
 
Në mesin e pjesëmarrësve në takimin e Konferencës së Sigurisë së Munihut në Minsk do të jenë edhe presidenti bjellorus, Aleksander Lukashenko, kryeministri bjellorus Sergei Rumas, Presidenti i Armenisë, Armen Sarkissian, Kryeministri i Moldavisë, Pavel Filip, Ministri i Punëve të Jashtme i Polonisë, Jacek Czaputowicz, Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikola Dimitrov, Ministri i Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane i Republikës Sllovake, Miroslav Lajcák, Zëvendësministri i Jashtëm i Federatës Ruse, Alexander Grushko, Zëvendësministri i Jashtëm i Gjeorgjisë, Lasha Darsalia, Sekretari Parlamentar i Shtetit në Ministrinë Federale të Mbrojtjes të Gjermanisë, Thomas Silberhorn, ish-Zëvendësministri i Parë i Punëve të Jashtme të Ukrainës, ambasador Oleksandr Chalyi, Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme nga radhët e Grupit Parlamentar të CDU/CSU në Bundestagun gjerman, Norbert Röttgen, Zëvendëskryetari i Parë i Komisionit për Punë të Jashtme të Këshillit të Federatës pranë Parlamentit të Federatës Ruse, Sergey Kislyak, ish-Ministri francez për Evropë, Pierre Lellouche, ish-Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Presidentit të SHBA-së dhe ish-Komandanti Suprem i NATO-s për Evropë, James L. Jones, ish-Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Alexander Vershbow, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Thomas Greminger, anëtari i Komisionit për Çështjet e Bashkimit Evropian nga radhët e Grupit Parlamentar FDP në Bundestagun gjerman, Michael Georg Link, Presidentja dhe Kryeshefja Ekzekutive pranë Fondacionit SHBA-Rusi, Celeste Wallander, Drejtori i Përgjithshëm i Këshillit të Çështjeve Ndërkombëtare Ruse, Andrei V. Kortunov, Sekretari Ekzekutiv i Organizatës së Traktatit për Ndalimin Gjithëpërfshirës të Provave Bërthamore, Lassina Zerbo, etj.
 
Presidenti Thaçi do të flasë edhe për përpjekjet për të ndërtuar paqe të qëndrueshme dhe për të forcuar perspektivën euroatlantike për Kosovën dhe rajonin.
 
Temat e tjera që do të diskutohen në takimin e Konferencës së Sigurisë të Munihut që do të zhvillojë punimet në Minsk të Bjellorusisë janë siguria energjetike, siguria transnacionale, inteligjenca, Procesi i Minskut, marrëdhëniet Lindje-Perëndim, kontrolli i armëve dhe ndërtimi i mirëbesimit, si dhe konfliktet rajonale.