Presidenti Thaçi priti përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell

Prishtinë, 30 janar 2020 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Presidenti Thaçi ka thënë se vizita e parë e Borrellit në Kosovë dhe më pas në vendet e tjera të rajonit tregon rritjen e vëmendjes për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor nga ana e BE-së.

Presidenti Thaçi ka thënë se orientimi strategjik i Kosovës është shumë i qartë.

“z. Borrell e informova në veçanti sa i përket procesit të liberalizimit të vizave, ku Kosova është trajtuar padrejtësisht, sepse i kemi implementuar në tërësi të gjitha kriteret që të ndodhë liberalizimi i vizave për Kosovën. Edhe sot nuk mund të mos shpreh zhgënjimin e institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës me mos marrjen e vendimit nga ana e Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën. Në veçanti kur kemi parasysh se kemi të bëjmë me një vlerësim jo të standardeve të njëjta me vendet e tjera në rajon, përderisa disa prej atyre vendeve kanë probleme me funksionim të demokracisë, të sundimit të ligjit, të të drejtave të njeriut, të funksionimit të lirë të mediave dhe trajtohen në mënyrë më të afirmuar se Kosova, e cila është shembull i demokracisë në rajon”, u shpreh presidenti Thaçi, duke thënë se Bashkimi Evropian ka bërë gabim strategjik me mosliberalizimin e vizave për Kosovën.

“Ky izolim dhe diskriminim i Kosovës është krejt i padrejtë, sepse po e pengon të ardhmen evropiane”, shtoi presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së kanë diskutuar edhe për mundësinë e arritjes së marrëveshjes finale në mes të shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë.

“z. Borrell ka përvojë si njeri i politikës dhe diplomacisë, një përvojë jetësore të cilën unë e vlerësoj lartë dhe kam besim që së bashku me ekipin e tij, në koordinim me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, do të punojmë fuqishëm në garantimin e një procesi transparent, një dialogu që do të sjellë rezultate për dy vendet dhe popujt tanë, që sjellë paqe, stabilitet dhe të ardhme evropiane të sigurt”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ai theksoi se çelësi i arritjes së marrëveshjes finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është uniteti evropian dhe koordinimi i ngushtë mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, theksoi se Bashkimi Evropian nuk është i kompletuar pa Ballkanin Perëndimor.

“Bashkimi Evropian nuk është i kompletuar pa Ballkanin Perëndimor. Stabiliteti në regjion është stabiliteti juaj. Dhe, siguria, prosperiteti, liria e secilit shtet në Evropë është prioritetit i yni. Nuk mund t’i lejojmë vetës që ta kemi Ballkanin të ndarë”, u shpreh Borrell.

Si zëvendëskryetar i Komisionit Evropian, ai konfirmoi edhe një herë që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

“Është koha e duhur që të lëvizet dhe të përfundohet me kërkesat teknike dhe dëshiroj të them që është çështje e ditur se kosovarët dëshirojnë të udhëtojnë të lirë nëpër vendet tjera të Evropës, por po insistoj se nuk mund të premtoj, por mund t’ju siguroj se nga ana e Komisionit Evropian një vendim i tillë do të merret shumë shpejt, për secilin shtet”, ka thënë Borrell.

Sa i përket dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, presidenti Thaçi potencoi para përfaqësuesit të BE-së se pret edhe nga Brukseli, edhe nga Uashingtoni, një përpjekje të shtuar dhe të koordinuar që të përmbyllet me sukses ky proces.