Presidenti Thaçi pranoi kredencialet nga ambasadori i ri i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë

Prishtinë, 5 shtator – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pranuar sot kredencialet nga ambasadori i ri i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ambasadori Nicholas Abbott.

Duke shprehur mirënjohje për përkrahjen që Britania e Madhe i ka dhënë Kosovës gjatë historisë, presidenti Thaçi u shpreh se “Britania është partner strategjik i Kosovës” dhe se “liria dhe pavarësia e Kosovës është e lidhur me rolin aktiv të Britanisë së Madhe”.

Ambasadori Abbott u shpreh se do të vazhdojë të ndërtojë marrëdhëniet e mira, tradicionale, historike, miqësore në mes të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Presidenti Thaçi u shpreh se mbështetja e Britanisë së Madhe mbetet thelbësore edhe në sfidat që i ka përpara Kosova, nga konsolidimi i plotë ndërkombëtar i shtetësisë së Kosovës e deri te anëtarësimi në mekanizmat euro-atlantikë.