Presidenti Thaçi për Qamil Ilazin – Komandant Bardhin: Ishte sintezë e etikës së lartë dhe shpirtit luftarak

Kaçanik, 14 maj 2019 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në Akademinë Përkujtimore në 20 vjetorin e rënies së Komandantit të Brigadës 162 “Agim Bajrami”, Qamil Ilazit – komandant “Bardhi”, si dhe bashkëluftëtarëve të tij Selim Shehu, Rizvan dhe Xhezair Bela, Sakip Mulaku, Ejup Dushkaja, Burhan Zeneli dhe Hesat Axhamisi.

Presidenti Thaçi ka thënë se nuk ka mbetur asnjë muaj nga koha kur Kosova do ta shënojë 20 vjetorin e çlirimit dhe ëndrra shekullore e shumë gjeneratave për liri dhe pavarësi nuk do të bëhej realitet pa mundin, përkushtimin, sakrificën dhe gjakun e dëshmorëve, si dhe pa përkrahjen gjithëpopullore.

“Këtë realitet që e jetojmë nuk do ta kishim pa rënien heroike të Qamil Ilazit dhe të bashkëluftëtarëve të tij, pa rënien e dymijë dëshmorëve dhe mijëra martirëve në vitet 1998-1999. Ndjehem shumë krenar që Kaçaniku ka qenë një nga trevat që mbështeti fuqishëm Ushtrinë Çlirimtare. Çdo shtëpi e Kaçanikut me rrethinë ishte bazë e UÇK-së”, u shpreh presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit theksoi se sot e kujtojmë rënien e heroit të Kosovës, Qamil Ilazit, komandant “Bardhi”, i cili ishte atdhetar, mësues, veprimtar, luftëtar dhe komandant i paepur, që ra në ballë të luftës për liri.

“Nuk është asgjë e rastit në këtë akt sakrifice supreme. Qamil Ilazi në vazhdimësi ishte pjesë e jetës politike dhe organizative në shërbim të lirisë së Kosovës. Si edukator i shumë gjeneratave, i burgosur politik, veprimtar i palodhshëm, ai mezi priti radhitjen aty ku e kërkonte koha, në strukturat e UÇK-së në Zonën Operative të Nerodimes. Qamil Ilazi, siç e përkufizojnë edhe bashkëluftëtarët e tij, ishte sintezë e etikës së lartë dhe shpirtit luftarak. Është dukuri e theksuar dhe tipar origjinal i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës rënia e disa komandantëve në altarin e lirisë. Ishte Adem Jashari, Fehmi Lladrovci, Mujë Krasniqi, Ilaz Kodra, Agim Bajrami dhe Qamil Ilazi që vërtetuan faktin se në luftë për liri atdhetarët më parë se komandues janë luftëtarë, janë prijës betejash”, ka thënë presidenti Thaçi.

Këta komandantë, ashtu si dëshmorët e shumtë të Kaçanikut, ashtu si invalidët që dhanë pjesë të trupit për lirinë e Kosovës, presidenti Thaçi tha se na bëjnë jo vetëm krenarë, por mbi të gjitha përgjegjës për ta çuar përpara amanetin e tyre.