Presidenti Thaçi në Ditën e Forcës: Ushtria e Kosovës do të jetë krah për krah me ushtritë botërore në misione të ndryshme

Prishtinë, 27 nëntor 2019 - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në shënimin e Ditës së Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Presidenti Thaçi ka thënë se Dita e Forcës e gjen Republikën e Kosovës në ditë zie, pasi tërmeti i djeshëm mori dhjetëra jetë të vëllezërve dhe motrave tona në Shqipëri, duke shkaktuar edhe dëme të mëdha materiale.

“Kosova dhe bota po solidarizohen në mënyrë të paparë me tragjedinë shqiptare”, ka thënë presidenti.

Ai ka thënë se Ditën e Forcës po e shënojmë si Ditë të Ushtrisë së Republikës së Kosovës, e cila është në shërbim të të gjithë qytetarëve të saj.

Kreu i shtetit ka shtuar se nga këtu u japim kurajo ushtarëve tanë në Shqipëri, kontingjentit që është pjesë e operacionit humanitar në ndihmë të autoriteteve shqiptare, për të sanuar dëmet dhe për të mbështetur në tejkalimin e situatës.

“Jemi bashkë, ashtu siç kemi qenë gjithmonë. Siç kanë qenë edhe breza të tërë para nesh, bashkë në ditë të vështira dhe në ditë të mira, gjithmonë përkrah njëri-tjetrit, gjithmonë bashkë Shqipëria dhe Kosova”, ka thënë ai.

Ai ka theksuar se Forca e Sigurisë së Kosovës, me të gjitha efektivat e saj, ka bërë vazhdimisht punë të mrekullueshme, ka ngritur nivelin e profesionalizmit dhe përgatitjes në shkallën më të lartë, si dhe ka kryer me përgjegjësi, me profesionalizëm, me paanshmëri, çdo detyrë që i është dhënë deri më tash.

“FSK-ja është bërë forcë që gëzon besim nga të gjithë qytetarët. Është bërë institucion që kontribuon për paqen dhe stabilitetin në Kosovë, si dhe për jetë të qetë dhe të sigurt për të gjithë ne”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se kudo që kanë qenë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, së fundmi edhe në garat ushtarake prestigjioze në Britani, kanë shkëlqyer me punën profesionale dhe angazhimin e tyre.

I pari i vendit ka thënë se në radhët e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë djemtë dhe vajzat më të mira të të gjitha komuniteteve.

“Ju jeni një prej vlerave më supreme të shtetit tonë, vlerave më sublime të Republikës së Kosovës. Jeni fuqia jonë dhe garanca më e mirë e sigurisë, stabilitetit dhe e qëndrueshmërisë së Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi ka theksuar se Forca e Sigurisë së Kosovës, në fillim të këtij viti ka nisur procesin e transformimit, bazuar në Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit.

“Si President i Republikës së Kosovës dhe Komandant Suprem, sipas strukturës së re, i kam dekretuar gjeneralët e Forcës së Sigurisë së Kosovës. E kam dekretuar stemën e re, dukjen e re të uniformave të ushtarëve tanë, emblemat e njësive dhe gradat e Forcës së Sigurisë së Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se me përkrahjen e partnerëve strategjikë, Forca e Sigurisë ka ndërtuar qendra të cilat kanë kapacitete të mjaftueshme arsimore dhe trajnuese, sikurse është Qendra Trajnuese për Kërkim-Shpëtim, Qendra për Studime Universitare dhe shumë të tjera.

“Ndërsa, tash, në fazën finale të planifikimit të ndërtimit është edhe Qendra e Mirëmbajtjes së autoblindave amerikane, me të cilat jemi furnizuar, e që do të jetë qendër regjionale në shërbim të të gjitha vendeve të rajonit. Po ashtu, më vjen mirë që me rekrutimet e fundit në Forcën e Sigurisë është rritur ndjeshëm edhe numri i femrave dhe i pjesëtarëve të komuniteteve si ushtarë të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi ka përsëritur se Republika e Kosovës është e përkushtuar për paqe, siguri, stabilitet dhe bashkëpunim me të gjithë.

“Synimi ynë është integrimi në NATO dhe jemi të bindur se paqja e përhershme në Ballkan arrihet vetëm me anëtarësimin e çdo shteti të rajonit tonë në NATO”, ka thënë presidenti Thaçi.

Bashkëpunimi me KFOR-in dhe NATO-n, sipas presidentit Thaçi, është në nivelin më të lartë në aspektin e komunikimit dhe koordinimit të aktiviteteve, duke shtuar se beson në thellimin e mëtejmë të këtij bashkëpunimi edhe në të ardhmen.

“Edhe me kapacitetet e tashme, Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme t’i përkrahë partnerët dhe aleatët tanë të NATO-s në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe demokracisë, çdo kund në botë, sa herë që partnerët dhe aleatët tanë kanë nevojë për përkrahjen tonë”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi ka falënderuar të gjitha shtetet partnere, në krye me SHBA-në dhe NATO-n, për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë dhe po vazhdojnë të japin në zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Presidenti Thaçi ka thënë se kemi punuar me përkushtim dhe të bashkuar për ta bërë popullin dhe vendin tonë me ushtri dhe ky ishte shembulli më i mirë edhe për lidershipin politik, sepse kur ne jemi të bashkuar drejt një qëllimi, të gjithë dalim fitues.

“Bërja e ushtrisë ka qenë ëndërr e brezave dhe sakrificë e të gjitha gjeneratave, prandaj duke mbështetur Forcën e Sigurisë, respektojmë edhe të kaluarën tonë të lavdishme Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, që është baza e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Liria, shteti i pavarur dhe ushtria na japin identitetin dhe krenarinë e lirisë dhe demokracisë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Si Komandant Suprem, presidenti Thaçi në fund u ka kërkuar ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, që të punojnë edhe më shumë, të jenë edhe më të përkushtuar, sepse shumë shpejt do të jeni krah për krah me ushtri të shumta në misione të ndryshme botërore.