Presidenti Thaçi mori pjesë në inaugurimin e programit “Women in Energy” dhe në shpalljen e vitit akademik “Viti i Kosovës” në kolegjin e Des Moines

Des Moine, Iowa, SHBA – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në inaugurimin e programit “Women in Energy”, dhe në shpalljen e vitit akademik 2019/2020 në “Des Moines Area Community College” (DMACC) si Viti i Kosovës.

Presidenti Thaçi, në fjalimin e tij në këtë ceremoni që u mbajt në kampusin e DMACC në Des Moines, Iowa, u shpreh i lumtur me programin “Women in Energy”, dhe me përfshirjen e 28 vajzave nga Kosova si studente që do të specializohen në sektorin e energjisë.

“Ky program është i veçantë në shumë rrafshe”, u shpreh presidenti Thaçi, duke shtuar më tej se “E para, ofron përgatitje profesionale për një sektor të rëndësishëm në Kosovë, pra për sektorin e energjisë. E dyta, përkrah përfshirjen më të madhe të gruas në sektorin e energjisë duke kontribuar kështu në fuqizimin e përgjithshëm të gruas në shoqërinë kosovare. Dhe e treta, shënon zgjerimin e bashkëpunimit në mes Iowas dhe Kosovës në një sektor tjetër të rëndësishëm, atë të energjisë”, tha Presidenti Thaçi.

Duke i​u drejtuar 28 studenteve nga Kosova, presidenti Thaçi u tha se dëshiron që të përfundojnë me sukses studimet dhe të marrin rolin që u takon në shoqëri.

“Dëshiroj t’i përfundoni me sukses studimet, dhe të merrni rolin që u takon në industrinë dhe në shoqërinë në Kosovë. Ju do të jeni inspirim edhe për vajza e gra tjera në Kosovë”, ka thënë presidenti.

Presidenti Thaçi falënderoi edhe MCC të Kongresit Amerikan, projektin e tyre në Kosovë të udhëhequr nga Petrit Selimi si dhe “DMACC” për fillimin e këtij programi.

Në ceremoninë inauguruese, folën edhe Guvernatorja Kay Reynolds, Presidenti i DMACC Robert Denson, Nënkryterja e MCC Lana Stoll, Sara Olmstead dhe Petrit Selimi nga MCC në Kosovë.