Presidenti Thaçi: Forca e Sigurisë është e mishëruar me dëshirën për liri dhe me gatishmërinë për ta mbrojtur atë

Prishtinë, 13 qershor 2019 - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e 20 vjetorit të lirisë u është adresuar dhe ka inspektuar ushtarët e Republikës së Kosovës.

Presidenti Thaçi ka thënë se këto ditë po shënojmë 20 vite të përfundimit të gjenocidit dhe spastrimit etnik të shtetit të Serbisë, 20 vite të lirisë e të paqes.

“Shënojmë 20 vjetorin e kthimit të 1 milion qytetarëve të Kosovës në shtëpitë e tyre në Kosovë, rindërtimin e jetëve dhe të shtëpive tona, mbylljen e kapitullit të tragjedive e vuajtjeve dhe hapjen e kapitullit të shpresës dhe angazhimit për një jetë më të mirë”, u shpreh presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka thënë se Forca e Sigurisë e Kosovës është e mishëruar me dëshirën për liri dhe me gatishmërinë për të mbrojtur këtë liri, për çdo qytetar të Kosovës, në çdo kënd të Kosovës.

“Forca e Sigurisë së Kosovës sot është forcë profesionale e standardeve të NATO-s, forcë shumetnike, që në mënyrën më të mirë pasqyron Kosovën që e kemi ndërtuar së bashku. Këto ditë kujtojmë të kaluarën, por shikojmë edhe kah e ardhmja. Kemi arritur shumë në këto 20 vite. Kemi ndërtuar institucionet e shtetit dhe kemi rindërtuar shoqërinë. Kemi vënë bazat e zhvillimit ekonomik dhe të sundimit të ligjit”, ka thënë presidenti Thaçi.

I pari i vendit ka thënë se e kemi realizuar aspiratën për liri dhe aspiratën për shtet të pavarur, kurse tani po punojmë për anëtarësim në NATO dhe në BE.

“Rruga nuk do të jetë e lehtë dhe as e shpejtë. Duhet të përfundojmë reformat në ekonomi, në drejtësi dhe në politikë. Duhet të përmbyllim konsolidimin ndërkombëtar të shtetit, duke fituar anëtarësimin në Kombet e Bashkuara. Kemi ndërtuar marrëdhënie të mira me fqinjët tanë, me Shqipërinë, me Malin e Zi dhe me Maqedoninë Veriore. Po punojmë për marrëveshje paqësore, finale, gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme, me Serbinë. Dëshirojmë të mbyllim kapitujt e konfliktit dhe tragjedive të shekujve të kaluar. Të hapim kapitullin e shekullit të ri, të jetës në liri, në barazi, në zhvillim, prosperitet”, u shpreh ai.

Presidenti Thaçi ka thënë se kjo është aspirata dhe detyra jonë e përbashkët.

“Ky është zotimi ynë për qytetarët e Kosovës. E gëzofshim lirinë!”, përfundoi presidenti Thaçi.