Presidenti takoi guvernatoren e Tokios, i kërkoi binjakëzim me Prishtinën

Tokio, 13 shtator – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi është pritur në takim nga guvernatorja e Tokios, Yuriko Koike.

Presidenti Thaçi fillimisht e ka falënderuar atë për mbështetjen që ajo, deputetë të Parlamentit dhe Qeveria japoneze i ka dhënë popullit të Kosovës në vitet më të vështira të luftës.

“Jemi shumë mirënjohës që gjatë dhe menjëherë pas luftës ju personalisht keni ndihmuar refugjatët e Kosovës”, ka shtuar ai.

Guvernatorja Koike ka kujtuar si ka organizuar dorëzimin e shtëpive që janë përdorur nga popullata japoneze pas tërmetit në Kobe në vitin 1995.

Ajo ka thënë se ende mban në mend pamjet e luftës dhe të refugjatëve të Kosovës.

Ndërkaq presidenti Thaçi ka theksuar se mbështetja në ditët më të vështira të luftës është bazament i fortë i bashkëpunimit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Japonisë.

“Në frymë të zgjerimit dhe forcimit të këtyre marrëdhënieve, do të ishte në interes të përbashkët që të kemi një binjakëzim të dy kryeqyteteve tona. Përvoja e Tokios do të ishte përcaktuese për zhvillimin e kryeqytetit tonë”, ka shtuar ai.

Presidenti Thaçi, po ashtu ka përgëzuar guvernatoren, Yuriko Koike për përgatitjet që janë bërë në organizmin e Lojërave Olimpike më 2020, ku Kosova pritet të përfaqësohet nga shumë atletë.

“Jam i bindur se Kosova edhe kësaj radhe do të fitojë medalje”, ka shtuar ai.

Ndërsa, guvernatorja e Tokios, Yuriko Koike iu ka uruar atletëve kosovarë suksese në këto gara, sidomos xhudistëve kosovare.