Presidenti në Forumin e Frankofonisë: Kosova me mundësi të shumta për investitorët e huaj

Prishtinë, 26 tetor 2018 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në Forumin e Frankofonisë, i cili në Prishtinë ka mbledhur shumë përfaqësues të bizneseve ndërkombëtare nga hapësira frankofone.

Presidenti Thaçi në këtë forum ka thënë se Kosova është shtet i ri, me mundësi të mëdha dhe legjislacion të standardeve më të larta evropiane, ku ka shumë mundësi investimi për investitorët ndërkombëtarë.
 
“Ky takim sot është një mundësi e re, e pashfrytëzuar deri më tani për investitorët dhe afaristët e huaj. Këtu në sallë sot shoh njerëz të suksesit, njerëz të punës, njerëz që kanë pasur sukses edhe në vende tjera të rajonit, por edhe më gjerë, që janë shembull i suksesit në botë”, ka thënë presidenti Thaçi.
 
Sipas kreut të shtetit, të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës do u dalin në ndihmë investitorëve ndërkombëtarë, derisa forumi është një mundësi, e cila duhet të shfrytëzohet maksimalisht.
 
“Kjo mundësi do të jetë një shtytje e madhe edhe për afaristët e tjerë që të vijnë në Republikën e Kosovës, t’i shikojnë të gjitha mundësitë e investimeve. Disa prej jush veç keni filluar dhe keni pasur sukses, disa jeni në procese të këtyre sukseseve”, ka thënë ai.
 
Presidenti Thaçi e ka falënderuar Francën dhe presidentin Macron për mbështetjen që i kanë dhënë Kosovës në dy dekadat e fundit.