Presidenti: Autostrada “Arbën Xhaferi”, projekt madhor i shtetit tonë

Han i Elezit, 29 maj 2019 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në ceremoninë e hapjes zyrtare të autostradës "Arbën Xhaferi".

Presidenti Thaçi ka thënë se sot është një ditë e veçantë për Kosovën, për shtetin tonë, për shoqërinë tonë, por edhe për tërë rajonin.

“Sot po përurojmë një nga projektet më madhore të shtetit të Kosovës, urën më të gjatë në rajonin tonë. Është një investim i fuqishëm, por që ia ka vlejtur, sepse një Kosovë e lirë dhe e pavarur edhe duhet të zhvillohet. Prandaj, nëse dje kemi ëndërruar që të kemi një Kosovë të tillë, sot e kemi realitet. Nëse dje na është dukur e pamundur që të kryejmë projekte të tilla, sot i kemi realitete. Nëse dje këto përvoja i kemi kaluar në botën perëndimore, sot i kemi në Kosovën e re”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka thënë se kjo është Kosova e re, moderne dhe evropiane.