Deklaratë e Presidentes Atifete Jahjaga pas takimit me liderët e partive parlamentare të Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga zhvilloi sot takime konsultative me liderët e partive parlamentare të Kosovës.

Ajo ka zhvilluar takime të veçanta me kryeministrin, njëkohësisht kryetar i PDK-së, z.Hashim Thaçi, kryetarin e LDK-së, z.Isa Mustafa, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, z.Albin Kurti, kryetarin e AKR-së, z.Behgjet Pacolli, kryetarin e SLS-së, z.Sllobodan Petroviq, dhe kryetarin e KDTP-së, z.Mahir Jagxhillar.

Pas takimeve, Presidentja Jahjaga dha një deklaratë për media, të cilën po e sjellim në vijim:

Sot u konsultova me liderët politikë të Kosovës për nevojën që Republika e Kosovës të bashkëpunojë me bashkësinë ndërkombëtare, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian.

U pajtuam për arritjet tona në zhvillimin e sektorit të sundimit të ligjit dhe bartjes së kompetencave në institucionet e Kosovës. Ne gjithashtu diskutuam rëndësinë e vazhdimit të mandatit të EULEX-it deri në qershor të vitit 2016.

Në letrën drejtuar Baroneshës Ashton do të kërkoj vazhdimin e misionit të EULEX-it dhe nevojën e themelimit të Gjykatës së Kosovës me selitë brenda dhe jashtë vendit, për të adresuar akuzat e ngritura në raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2010.

Krijimi i gjykatës së veçantë reflekton angazhimin e Kosovës për një proces të pavarur dhe të paanshëm për t’u marrë me këto akuza në mënyrë kredibile. Kjo gjykatë do të përqendrohet në individë dhe veprime individuale dhe nuk është gjykim i përpjekjeve kolektive të popullit tonë për çlirim dhe pavarësi.

Ashtu siç u thash edhe liderëve politikë, unë e kërkoj përkrahjen tuaj në ndërmarrjen e këtyre hapave të rëndësishëm për të fuqizuar edhe më tej sundimin e ligjit në Kosovë përmes përkrahjes së EULEX-it, adresimit të akuzave për krime lufte dhe avancimit të aspiratave tona euroatlantike.