Fjalimi i President të Republikës së Kosovës në Konferencën e Sigurisë së Munihut – Takimi i Grupit Bazë, në Minsk, Republika e Bjellorusisë, 31 tetor 2018

Bota ka ndryshuar. Një “botë politike” po vdes dhe një “botë politike” e re është ende në një fazë embrionale, që duhet të lindë. Evropa është në udhëkryq, me shumë zhvillime që ngritin pikëpyetje për të ardhmen. Ballkani Perëndimor ka mbetur i varur në harresë.

Në këtë realitet, Kosova dhe Serbia e gjejnë veten duke kërkuar të arrijnë një marrëveshje përfundimtare të paqes. Ne po eksplorojmë të gjitha mundësitë e realizueshme.

Për sa i përket marrëveshjes, ende nuk jemi marrë vesh për asgjë.

Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është hapi më i ndjeshëm për Ballkanin Perëndimor. Dhe ky proces nuk është i tillë që të kërkojë që njëra palë domosdoshmërisht të jetë humbëse.

A është e mundur kjo? Shumë e vështirë. Ose, pothuajse e pamundur.

Por, edhe në këto rrethana, unë shoh dritë në fund të tunelit. Pse?

Fillimisht, të dy shtetet – për këtë jam i bindur – e dinë se nuk mund të vazhdojnë ashtu siç janë sot.

Status kuo-ja e tanishme, në të dy vendet, nuk mund të mbahet. Konflikti i tanishëm i ngrirë i dëmton të dy vendet, në të gjitha fushat e jetës… në ekonomi, në zhvillim, në siguri, në integrim…

Dialogu ka marrë mbështetje, por edhe disa kritika. Në shoqëritë tona dhe ndërkombëtarisht. Nuk e kam problem këtë. Ishte e pritshme.

Madje është gjë e shëndetshme për debatin e përgjithshëm por edhe për vetë procesin. Posaçërisht për një transparence dhe përgjegjësi më të madhe të lidershipit, në të dy vendet.

Por në këtë proces, gjëja më e lehtë është të kritikosh. Dhe gjëja më e vështirë është të gjesh mënyrën për të arritur deri te marrëveshja.

Duke arritur marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të kemi me pak popullizëm në regjionin tonë. Më pak nacionalizëm. Më pak zëra që thërrasin për luftë dhe tragjedi. Më pak urrejtje dhe hakmarrje.

Po cili është qëllimi kryesor i procesit të dialogut?

1.    Një marrëveshje përfundimtare paqësore për normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe pajtim. Në mes të dy vendeve dhe në mes të dy popujve.

2.    Një marrëveshje e cila është ndërkombëtarisht ligjërisht e detyrueshme.

3.    Një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila nënkupton njohjen e dyanshme në mes të Kosovës dhe Serbisë. Pa njohje, kjo dhe çfarëdo marrëveshje tjetër, nuk do të kenë kuptim. Një marrëveshje për të gjitha çështjet ... personat e zhdukur, të zhvendosurit dhe refugjatët, pronat, të drejtat e komuniteteve, të drejtat për zgjedhje, arsimin dhe kujdesin shëndetësor, Kishën Ortodokse Serbe, bashkëpunimin ekonomik dhe kështu me radhë.

4.    Marrëveshja duhet të jetë përfundimtare, jo e përkohshme.

5.    Do të jetë një marrëveshje e cila do t’i sjellë më shumë rehati fqinjëve tanë dhe mbare rajonit.

6.    Nuk do të ketë kufij përgjatë vijave etnike.

7.    Nuk do të ketë shkëmbim të popullatës në mes të vendeve.

8.    Do ta ruajmë shpirtin dhe realitetin multi-etnik të Kosovës dhe Serbisë.

Kam dëgjuar se disa po e përmendin pastrimin etnik paqësor. Kjo është qesharake. E kemi dëgjuar të njëjtën në shkurt të vitit 2008, pak para shpalljes së pavarësisë se Kosovës. Se serbët e Kosovës do ta lënë Kosovën në kolona. Në realitet, asnjë familje individuale serbe nuk e lëshoi Kosovën kur e shpallëm pavarësinë.

Në Kosovë ne ishim dhe mbesim të vendosur për të ndërtuar një demokraci qytetare në shtetin tonë.

Disa miq të mi, diplomatë, analistë dhe akademikë, e kanë përmendur Kutinë e Pandorës. Rasti i Kosovës as nuk do ta hapë e as nuk do ta mbyllë Kutinë e Pandorës. Kutia është e hapur tanimë. Por marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të ndihmojë në fillimin e mbylljes së Kutisë së Pandorës në Ballkanin Perëndimor.

Dhe askush nuk mund të vejë paralele në mes të Kosovës dhe Bosnjës. Vetëm nëse e lejojmë themelimin e një Republika Srpska në Kosovë – atëherë do të bëjmë paralele në mes të Kosovës dhe Bosnjës. Unë nuk do ta lejoj këtë. Ne nuk duhet ta lejojmë këtë.

Koha po ikën. Tani është momenti, tani është momentumi për të vepruar. Për të arritur marrëveshjen.

Po çfarë benefitesh do t’i sjellë marrëveshja dy vendeve dhe më gjerë?

Kosova dhe Serbia do ta njohin njëra tjetrën. Të dy vendet do të kenë një perspektive më të qartë dhe më të sigurt europiane. Ne do të prodhojmë më shumë paqe për tërë rajonin. Energjitë tona do të fokusohen në zhvillim, në reforma, ekonomi, edukim, integrim dhe bashkëpunim.

Kosova do të njihet nga pesë shtetet e BE-së të cilat nuk e njohin akoma. Me mundësi reale për anëtarësim të plotë ne Kombet e Bashkuara. Kur Serbia ta njohë Kosovën, askush nuk do të mund të bëhet më serb se Serbia dhe të vazhdojë mos ta njohë Kosovën ose ta bllokojë Kosovën në Këshillin e Sigurimit.

Me Marrëveshjen fiton edhe BE-ja. Edhe SHBA-të. Po ashtu edhe Rusia. Kosova nuk është armik i Rusisë. Ne dëshirojmë njohje nga Rusia. Ne dëshirojmë të kemi marrëdhënie të drejta dhe konstruktive me Rusinë. Por mbi të gjitha, fituesit janë vendet tona përkatëse

Ne kemi nevojë për mbështetjen e secilit nëse dëshirojmë ta bëjmë këtë një sukses. Tani është koha e duhur. E kemi lidershipin, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, i cili e dëshiron një marrëveshje paqeje. Ne e kemi një BE e cila e dëshiron dhe punon drejtë një marrëveshjeje paqeje. Unë këtu shprehë mirënjohjen time për zonjën Mogherini për rolin e saj në këtë proces.

Ne duhet që tani, pa hamendje, të lëvizim përpara.