presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Takime të shumta të Presidentit Sejdiu në Nju-Jork

Nju-Jork, 23 shtator 2010. – Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, i shoqëruar nga zonja e parë, Nezafete Sejdiu, ka takuar një numër të madh kryetarësh të shteteve, në një takim organizuar për kryetarët e shteteve dhe personalitetet me ndikim publik në Fondacionin “Clinton Global Initiative” (Nisma Globale Klinton).

Presidenti Sejdiu shfrytëzoi rastin të falënderojë edhe një herë ish-Presidentin Bill Klinton për angazhimin e tij të vazhdueshëm për vendin tonë, sikur edhe ish-sekretaren amerikane të Shtetit, Medlin Ollbrajt, e cila, sikur edhe z.Klinton, u shpreh se është shumë e angazhuar dhe e interesuar të ndihmojë në procesin e njohjeve sa më të shumta të Republikës së Kosovës nga vende që ende nuk e kanë bërë këtë. Gjatë takimit në “Clinton Global Iniciative”, Presidenti Sejdiu zhvilloi biseda të rastit me përfaqësuesit e vendeve të ndryshme të CARICOM-it, të Afrikës e të Azisë, të cilët i njoftoi me zhvillimet në vendin tonë dhe përsëriti kërkesën për njohjen e Republikës së Kosovës, tashmë pas realitetit të ri të krijuar pas mendimit eksplicit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Presidenti i Panamasë, Rikardo Martinelli, gjatë takimit me Presidentin Sejdiu, u angazhua drejtpërdrejt që të nxisë vendet e ndryshme të Amerikës Latine për të njohur Republikën e Kosovës. Po kështu, Presidenti bisedoi me kryetarët e disa shteteve të Karaibeve, të cilët premtuan hapa pozitivë në drejtim të njohjes së vendit tonë. Presidenti Sejdiu gjithashtu kryeministrin e Greqisë, Papandreu, me të cilin diskutoi për marrëdhëniet mes dy vendeve. Një bisedë të frytshme dhe miqësore, Presidenti Sejdiu pati edhe me ish-komandantin e NATO-s, gjeneralin Uesli Klark, ish-presidentin e Kolumbisë, Alvaro Uribe, ish-presidenten e Irlandës, Meri Robinson, si një varg liderësh e personalitetesh të tjera të rëndësishme botërore, nga të cilët mori zotimin për angazhimin e tyre në mbështetje të Kosovës në të gjitha proceset e rëndësishme që vendi ynë ka para vetes, sidomos për lobimin për njohje të reja.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.