presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Sejdiu priti një delegacion të Parlamentit të Evropës

Presidenti i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu u takua sot me një delegacion të Parlamentit të Evropës të kryesuar nga z. Göran Färm (PES Suedi), të cilin e falënderoi për ndihmën e vazhdueshme dhe përkrahjen që po i jep Kosovës ky institucion në përpjekjet për përcaktimin e statusit të Kosovës, pavarësisë dhe sovranitetit të saj.

Pasi e vlerësoi si garë shumë korrekte fushatën 21-ditëshe parazgjedhore, Presidenti Sejdiu tha se, edhe kësaj radhe, qytetarët dhe subjektet politike të Kosovës dëshmuan kulturë të lartë politike. Duke shfaqur shpresën se kjo frymë e respektit të ndërsjellë do të vazhdojë edhe ditën e zgjedhjeve, Presidenti Sejdiu pohoi se menjëherë pas konstituimit të institucioneve të reja, Parlamentit dhe Qeverisë së Kosovës, pak ditë pas 10 dhjetorit, Kosova do ta rikonfirmojë vendimin për pavarësi dhe do të kërkojë njohje ndërkombëtare. Ndërsa, z. Göran Färm, tha se Parlamenti i Evropës e ka shprehur tashmë mbështetjen e vet për Kosovën. “Ne jemi këtu për ta ritheksuar këtë mbështetje, me shpresë se zgjidhja e statusit të Kosovës do të arrihet shpejt, në mënyrë që të ecet drejt zhvillimeve ekonomike, të cilat janë tepër të rëndësishme për stabilitetin dhe perspektivën e secilit vend”, tha ai. Po ashtu, z. Färm shfaqi bindjen se zgjedhjet e së shtunës do të dëshmojnë se Kosova tashmë ka arritur progres konkret në organizimin e proceseve demokratike kaq të rëndësishme si zgjedhjet e lira lokale, nacionale dhe ato për kryetarë komunash.

This site is registered on wpml.org as a development site.