presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Sejdiu priti ne takim z. Robert McDougall, Ambasador i Kanadës në Beograd

Presidenti i Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu, është takuar sot me z. Robert McDougall, Ambasador i Kanadës në Beograd dhe z. Patrick Herbert, Konsull, në një takim që kishte për qëllim shkëmbimin e pikëpamjeve për proceset aktuale në Kosovë.

Në takimin e zhvilluar, Ambasadori kanadez ka shprehur përkrahjen e Kanadës duke shpresuar për një proces sa më konstruktiv që do të rezultojë me një zgjidhje që do të sjellë stabilitet në rajon. Ai ishte i interesuar të dinte si u prit propozimi i Ahtisaarit dhe çfarë pritet në ditët dhe muajt në vijim. 

Presidenti Sejdiu tha se jemi në fazën finale dhe më të rëndësishme. “Pakoja e Ahtisarit tanimë i është prezentuar palëve dhe si tërësi është e pranueshme për ne. Megjithatë, vërejtjet në aspekte të caktuara do të paraqiten gjatë konsultimeve në Vjenë, të cilat fillojnë gjatë kësaj jave”, theksoi Presidenti Sejdiu. Ai gjithashtu tha se vërejtjet e palës kosovare nuk kanë për qëllim dhe nuk synojnë rihapjen ose rinegociimin e pakos si tërësi. Presidenti Sejdiu përsëriti se Kosova ka besim në Presidentin Ahtisaari dhe në Grupin e Kontaktit. “Presim që çështja e Kosovës të arrijë në Këshillin e Sigurimit sa më shpejtë. Mbështetja e propozimit të Ahtisaarit nga Bashkimi Evropian gjithashtu ka rëndësi shumë të madhe dhe tregon elemente të një konsensusi paraprak”, tha ai.

Presidenti shtoi se Kosova kurrë nuk do të heq dorë nga koncepti i pavarësisë, dhe do të punohet shumë për ndërtimin e një shteti funksional. Ai përmendi si sfida të veçanta zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe integrimin e qytetit të Mitrovicës. “Parimet e Grupit të Kontaktit për mosndarje të Kosovës janë edhe pjesë e propozimit të Ahtisaarit dhe përputhen me vizionin e popullit të Kosovës për një Kosovë të integruar brenda kufijve të saj aktual. Prezenca civile ndërkombëtare do të ndihmojë në këtë aspekt, ashtu siç do të ndihmojë edhe në integrimin e Kosovës në strukturat euro-atlantike”, përfundoi Presidenti Sejdiu.

This site is registered on wpml.org as a development site.