presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Sejdiu ngushëlloi familjen Gjerqeku dhe Ashak-un

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu u ka dërguar telegrame ngushëllimi familjes Gjerqeku dhe kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, akademik Rexhep Ismajlit, me rastin e vdekjes së poetit Enver Gjerqeku, anëtar i rregullt i kësaj akademie.

Në këto telegrame, Presidenti Sejdiu ka shprehur ngushëllimet e tij më të sinqerta për ndarjen nga jeta të bashkëfamiljarit të familjes Gjerqeku, poetit tonë të mirënjohur, akademik Enver Gjerqeku.

“Lajmin e hidhur për vdekjen e tij e morëm me pikëllim të thellë, por jemi të bindur se jeta dhe vepra e Enver Gjerqekut do të kujtohen me pietet nga qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës, ndërsa shëmbëlltyra e tij do të mbetet model për brezat e ardhshëm të vendit.

Krijuesi Enver Gjerqeku u dallua si studiues, përkthyes dhe historian i letërsisë. Veprat e tij me poezi janë një pasuri më vete e  artit tonë letrar dhe e kulturës sonë në përgjithësi, kurse çmimet e shumta me të cilat është nderuar një dëshmi e vlerave të përbotshme të kësaj vepre.

Vdekja e tij është një humbje e madhe për familjen, për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe për tërë vendin.

Shpirtërisht jemi me Ju dhe bashkëndjejmë dhembjen Tuaj.

Zoti e bekoftë Enver Gjerqekun!”, – thuhet në telegramin e Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu.

This site is registered on wpml.org as a development site.