presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Komente të Presidentit Fatmir Sejdiu për rezultatet e Konferencës së donatorëve

Komisioni Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shumë vende nga Evropa dhe bota kanë zotuar sot shuma të konsiderueshme për Kosovën gjatë konferencës së donatorëve që u mbajt në Bruksel.

Shfrytëzoj rastin që në emër të Kosovës, të institucioneve dhe të popullit të Republikës sonë, t’u shpreh mirënjohjen organizatorëve të Konferencës dhe në radhë të parë qeverive që kanë njoftuar për zotimet e tyre gjatë ditës së sotme në Bruksel. Natyrisht, çmoj punën që kanë bërë dikasteret qeveritare të Kosovës në përgatitje të kësaj Konference.Kosova ka nevojë për të zhvilluar potencialet e veta të konsiderueshme. Për ta bërë këtë, na duhet infrastrukturë dhe zhvillim i sektorit energjetik, që do të mundësojnë zhvillimin e përgjithshëm ekonomik dhe krijim të vendeve të punës. Konferenca e Donatorëvë është një impuls shumë i rëndësishëm për zhvillimin tonë. Mirëpo, duhet theksuar se në afat të gjatë, rritja ekonomike dhe zhvillimi ynë I përgjithshëm bëhen të mundshme vetëm duke shfrytëzuar racionalisht resurset natyrore dhe njerëzore që ka vendi ynë.  Orientimet strategjike të Republikës sonë janë të njohura: energjetika, agrikultura, arsimi dhe shëndetësia. Këto fusha që prekin indin ekonomik e jetësore të shtetit tonë duhet të bëhen vepër me punë, dije e përkushtim të të gjithëve.Anëtarësimi ynë në Bankën Botërore dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar do të na e krijojë mundësinë që të kemi qasje në institucionet financiare ndërkombëtare, për mungesë të së cilës, si dhe të paqartësisë së statusit në kohën e para-pavarësisë, ne nuk kemi mundur të krijojmë bazë të shëndoshë për zhvillim dhe rritje ekonomike. Ne kemi nevojë për asistencë makro-ekonomike, të cilën e presim në radhë të parë nga vendet e Unionit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara. Mirëpo, ne u jemi mirënjohës të gjithëve, të gjitha vendeve nga e gjithë bota, për bujarinë e tyre të treguar në këto vite të pasluftës. Qeveria e Kosovës, nivelet e ndryshme të pushtetit dhe agjencitë e ngarkuara për të realizuar projekte që do të gëzojnë mbështetje financiare të përfituar në Konferencën e Donatorëve, do të jenë përgjegjës dhe të përgjegjshëm para të gjithëve: në radhë të parë para dhuruesve dhe popullit të Kosovës për mënyrën se si shpenzohen mjetet e dhuruara.Republika e Kosovës, e njohur nga 43 shtete, ka marrë një njohje të rëndësishme përtej diplomatike sot në Bruksel: besimin e vendeve të ndryshme se ne jemi të zotët ta qeverisim Kosovën si shtet të pavarur dhe demokratik, si vend që respekton vlerat e lirisë e të ekonomisë së tregut.Unë besoj fuqishëm se si shtet i pavarur jemi të përgatitur për ta shpënë Kosovën në rrugën e zhvillimit strategjik. Ka kaluar koha e mbijetesës dhe e rindërtimit inicial shoqëror dhe institucional të Kosovës pas lufte. Tash nis koha e rimëkëmbjes së plotë, e rilindjes së vërtetë të Kosovës në të gjitha rrafshet jetësore e ekonomike, për të mirën e të gjithë qytetarëve të Republikës. Zotimet që na vijnë nga Konferenca e Donatorëve në Bruksel le të jenë në nismë të kësaj rruge të gjatë, me sprova të shumta, por me pritje realiste për sukses.

This site is registered on wpml.org as a development site.