presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Deklaratë e përbashkët e institucioneve të Republikës së Kosovës

Shprehim keqardhje që Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka votuar të kërkojë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë një mendim këshilldhënës në lidhje me ligjshmërinë e shpalljes se pavarësisë së Kosovës.

Ne dhe përkrahësit tanë të shumtë ndërkombëtarë kemi thënë vazhdimisht se çështja e pavarësisë së Kosovës është e zgjidhur dhe e pakthyeshme. E kuptojmë të drejtën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të bëjë këtë referim, ndonëse ky vendim nuk do t’i ndihmojë përpjekjet për të promovuar stabilitet afatgjatë në Kosovë dhe rajon.Afër 50 vende, përfshirë shumicën e anëtarëve të BE-së dhe NATO-s, të tërë G7-ën dhe shtete të tjera nga çdo pjesë e botës, kanë njohur Kosovën. Kemi besim se me kalimin e kohës do të ketë njohje të tjera, dhe se ky referim në GJND nuk do t’i pengojë vendet të vlerësojnë përparimin e vazhdueshëm në Kosovë dhe të vendosin për njohje. Tashmë kemi parë veprime konkrete, madje edhe nga vendet që nuk e kanë njohur Kosovën formalisht ende, të pranimit zyrtar të pasaportës së Republikës së Kosovës, dhe që po gjejnë mënyra për të akomoduar realitetin e një Kosove të pavarur. Synojmë të marrim pjesë aktivisht në prezantimin e rastit tonë para GJND-së, dhe presim që shqyrtimet e saj të jenë të drejta dhe të paanshme. Po ashtu, besojmë se do të rikonfirmohet pozicioni ynë.Çfarëdo që gjykata të thotë në fund në lidhje me pyetjen e cila i është parashtruar, ne do të ndjekim rrugën e zhvillimit dhe përparimit në Kosovën e pavarur, së bashku me partnerët dhe miqtë tanë ndërkombëtarë. Kemi filluar procesin e anëtarësimit në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore, dhe do të punojmë aktivisht për njohje të mëtejme bilaterale nëpërmjet aktivitetit diplomatik dhe aktivitetit ndërkombëtar të sektorëve të ndryshëm të shoqërisë së Kosovës.

This site is registered on wpml.org as a development site.