presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Krasniqi në BBC: Organizim konspirativ në zgjedhje

Presidenti në detyrë i Kosovës, Jakup Krasniqi thotë për BBC-në se zgjedhjet e përgjithshme të 12 dhjetorit kanë pasur edhe një të ashtuquajtur organizim konspirativ.

Sipas zotit Krasniqi, në këtë ‘konspiracion’ në shumë vendvotime kanë marrë pjesë të gjitha partitë politike dhe komisionarët e tyre si dhe, në njëfarë forme, edhe shoqëria civile. Për më tepër, ai ka thënë se përgjegjësi ka edhe policia e Kosovës. Në fakt, sipas zotit Krasniqi, një përgjegjësi të ndjeshme e kanë të gjitha strukturat e shoqërisë së Kosovës të cilat, siç thotë ai, nuk kanë arritur të ruajnë vlefshmërinë e votës dhe vullnetin e qytetarëve. “Në çdo vendvotim kanë ekzistuar komisionarët e partive politike, të shoqërisë civile. Në një masë të madhe këtë proces është dashur ta ruajë policia e Kosovës, drejtorët e shkollave apo menaxherët e objekteve të tjera ku janë mbajtur votimet. Me një fjalë, të gjitha këto kanë ndihmuar që ky proces të dëmtohet”, tha zoti Krasniqi. “Prandaj unë kam kërkuar që institucionet e Kosovës të kenë besim në institucionet e pavarura siç është KQZ-ja dhe Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, të cilat do të vendosin jashtë të gjitha ndikimeve politike dhe në favor të zgjidhjes së parregullsive”, tha për BBC-në ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Duke vlerësuar procesin në tërësi, zoti Krasniqi ka thënë se ai personalisht është i kënaqur me punën që ka bërë KQZ-ja dhe me aspektin teknik të organizimit të këtyre zgjedhjeve. I pyetur që të komentojë kërkesat e disa partive politike për përsëritjen e votimeve, ai u përgjigj:“Kosova është në një situatë të tillë që ka ndodhur një problem, ka ndodhur një defekt dhe ky defekt nuk duhet të shërbejë për të shkatërruar gjithçka, por ne kemi obligim si institucione, qytetarë dhe njerëz të politikës që të korrigjojmë këtë proces dhe të ecim përpara. Në fund të fundit, ne kemi krijuar institucione që t’i korrigjojmë gabimet dhe ne duhet të kemi besim në ato që do ta bëjnë këtë”, u shpreh z.Krasniqi. Presidenti në detyrë, Jakup Krasniqi, ka vlerësuar se procesi i zgjedhjeve në Kosovë akoma është në fazën e zhvillimit të tij dhe se tash për tash duhen pritur vendimet e KQZ-së, për ankimimin e rezultateve dhe certifikimin e tyre, e më vonë ai do t’i kryejë detyrat e tij si president dhe do ta ngarkojë mandatarin për krijimin e qeverisë së re. Zoti Krasniqi ka shprehur shpresën se nuk do të ketë probleme që do ta bllokojnë këtë proces dhe që institucionet që do të dalin nga zgjedhjet e 12 dhjetorit, do të krijohen brenda afatit kushtetues.  

This site is registered on wpml.org as a development site.