presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Jahjaga: Zvicra vazhdon të jetë përkrah shtetit të Kosovës

Intervistë e Presidentes Atifete Jahjaga për “Dialogplus.ch”

Zonja Presidente, ku ishin shqiptarët dje dhe ku janë sot?

Shqiptarët sot janë në rrugën e sigurt të integrimeve evropiane, së bashku me të gjitha vendet e tjera të Evropës Juglindore. Edhe Kosova, edhe Shqipëria, edhe çdo vend tjetër i kësaj pjese të Evropës ndan të njëjtin qëllim dhe ambicie: integrimin në BE, një prej projekteve më të rëndësishme që i ka ndihmuar popujt e Evropës në procesin e zhvillimit, edhe politik, edhe ekonomik, që ka arritur pajtimin ndërmjet tyre dhe që ka hapur mundësitë e lëvizjes së lirë për të gjithë. Pra, i gjithë rajoni i Evropës Juglindore sot ka ndryshuar: Kosova është shtet i pavarur që prej shtatë vjetësh, dhe ky realitet është pranuar përgjithësisht. Ky rajon më nuk është vatër e krizës dhe luftërave, por e marrëveshjeve, e dialogut dhe hapave të ndërtimit të fqinjësisë së mirë dhe rrugëtimit të përbashkët drejt integrimeve euro-atlantike.
Mërgata shqiptare gjithandej është potencial i fortë.

A mendoni se po krijohet një Kosovë e dytë?

Kosova e ka një numër të konsiderueshëm të qytetarëve të saj, që jetojnë dhe punojnë në shumë shtete të Evropës dhe posaçërisht në Zvicër. Kjo mërgatë ka qenë një urë lidhëse ndërmjet dy shteteve tona dhe njëkohësisht ka qenë lidhja e fuqishme me vendlindjen e tyre. Pavarësisht numrit që sot jeton në Zvicër, mërgata nga Kosova ka kontribuuar jashtëzakonisht shumë për vendin e vet, qoftë në periudhën e luftës, të çlirimit dhe gjithnjë e më shumë edhe në ditët e sotme. Proceset e zhvillimit të Kosovës janë të lidhura me mërgatën e saj dhe me ndihmën që ajo i ka dhënë vendit të vet. Kjo lidhje e fuqishme me vendlindjen i ka bërë ata edhe qytetarë të devotshëm të shtetit të Zvicrës, apo kudo ku jetojnë dhe njëkohësisht dhe ambasadorët e vendit të tyre jashtë. Zvicra ka qenë gjithnjë në përkrahje të Kosovës, në të gjitha proceset e zhvillimit të vendit ka treguar një bujari të madhe kur i ka hapur kufijtë e saj për t’i ndihmuar qytetarët e Kosovës në periudhën më të vështirë për ta dhe vazhdon të kontribuojë në ruajtjen e paqes në Kosovë nëpërmjet pjesëmarrjes në forcat paqeruajtëse të NATO-s. Zvicra ka qenë dhe vazhdon të jetë përkrah shtetit të Kosovës.

Këtu duhet ta kemi parasysh se vetëm në Zvicër e kemi një Prishtinë të plotë…

Zvicra, si shumë shtete të tjera të Evropës, por edhe në botë, e ka pranuar një numër të konsiderueshëm të qytetarëve të Kosovës në periudhat më të rënda të historisë së Kosovës. Dhe, të gjitha këto shtete që u kanë dhënë strehim i kanë ndihmuar ata. Qytetarët tanë, që jetojnë në vendet e Evropës, janë sot shtetas të respektuar të vendeve ku jetojnë dhe gjithashtu edhe, siç e thashë, një urë lidhëse e fuqishme ndërmjet Kosovës dhe vendeve ku jetojnë. Por, lidhja e Diasporës së Kosovës me vendin e tyre duhet të shihet edhe në një mënyrë tjetër: të investohet në Kosovë, duke mundësuar edhe zhvillimin e vendit dhe natyrisht duke hapur perspektivë për gjeneratat e reja. Njëkohësisht ne në Kosovë duhet të garantojmë dhe ta sigurojmë një klimë të mirë dhe të besueshme biznesi.

Do të duhej një përfaqësim i përbashkët diplomatik i shqiptarëve nëpër vendet e ndryshme të Evropës. A ka ardhur koha që të mendohet për këtë?

Kosova është shtet i pavarur, ashtu siç janë të gjitha shtetet e tjera, përfshirë këtu edhe ato të rajonit të Evropës Juglindore. Si e tillë është e pranuar nga më shumë se gjysma e vendeve anëtare të OKB-së, nga 23 vende anëtare të BE-së dhe nga institucionet më të rëndësishme financiare ndërkombëtare dhe evropiane. Si e tillë, Kosova po synon anëtarësimin në BE dhe në NATO, e në OKB. Pra, një shtet i ri, që po kontribuon në paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë, një shtet që po e zhvillon fqinjësinë e mirë me të gjithë dhe që ka bashkëpunim të fuqishëm me pothuajse të gjitha vendet e rajonit të Evropës Juglindore. Rrjedhimisht, Kosova si shtet i pavarur po punon në përmbushjen e të gjitha standardeve në rrugën e saj të integrimeve evropiane dhe në këtë mes bashkëpunimi ndërmjet të gjitha vendeve në rajon është i natyrshëm, sepse kjo do të ndihmojë në përshpejtimin e kësaj rruge integruese.

Diaspora shqiptare, posaçërisht ajo në Zvicër, me gjeneratën e tretë dita-ditës po shndërrohet në një faktor shumë të rëndësishëm në jetën politike dhe shoqërore të Zvicrës. Kemi gjashtë-shtatë lojtarë që e përfaqësojnë Kombëtaren zvicerane në futboll. Si e vlerësoni këtë?

Të gjithë jemi krenarë për rezultatet dhe punën e të gjithë atyre qytetarëve tanë që i kanë arritur majat e suksesit. Të gjithë janë ambasadorë të fuqishëm të shtetit të tyre, të integruar në shoqëritë ku jetojnë dhe të respektuar si njerëz punëtorë e qytetarë të devotshëm. Jemi krenarë që këta të rinj tanë kanë arritur ta dëshmojnë talentin e tyre dhe të tregojnë me punën e madhe vlerat e mëdha që kanë. Ne e kemi një rini të jashtëzakonshme, të talentuar dhe të mirë, që po tregon se është e përkushtuar për ta dëshmuar veten në skenën ndërkombëtare, duke përfaqësuar jo vetëm shtetin ku jeton, por edhe Kosovën si vendin e vet të lindjes. Besoj fuqishëm në këta të rinj e të reja si një shembull i jashtëzakonshëm për bashkëmoshatarët në Kosovë. Dhe, prandaj, Kosova duhet ta ketë mundësinë e prezantimit në skenën ndërkombëtare, t’u ofrohet mundësi të gjithë atyre të rinjve dhe të rejave që ta dëshmojnë talentin e tyre dhe të tregojnë se vlera e tyre është e madhe, jo vetëm për shtetin e tyre, por edhe për skenën ndërkombëtare.

Si e vlerësoni punën që ka bërë dhe që po bën Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Zvicër dhe në gjithë Diasporën?

Një punë e mirë në edukimin e brezave të rinj do të japë rezultate dhe do t’i ndihmojë të gjithë fëmijët që ta njohin vendlindjen e prindërve të tyre dhe ta duan atë. Si prindër dhe si arsimtarë e kemi për obligim që fëmijëve tanë, kudo që jetojnë, t’ua mësojmë traditat dhe gjuhën, t’ua mësojmë edhe kulturën dhe t’i edukojmë në frymën e dashurisë për vendin e tyre. Para së gjithash, t’i edukojmë në frymën e dashurisë për vendin ku jetojnë aktualisht, kudo në Evropë.

Ka ndonjë strategji për kthimin e «trurit»?

Secili shtet krijon politika dhe strategji për mbajtjen në vend të të rinjve të tij. Ne po përpiqemi që të krijojmë politika të mirëfillta zhvillimore që do ta mbanin rininë e Kosovës brenda dhe që do ta hapte perspektivën për ta brenda shtetit të Kosovës. Ne kemi pasur një lëvizje të qytetarëve në të kaluarën dhe këto kohët e fundit po përballemi me një trend të ri të migrimit ilegal. Janë një numër arsyesh, por kryesisht ndërlidhen me gjendjen e zhvillimit ekonomik të vendit, me nivelin e papunësisë, me një perspektivë jo të qartë për ta në Kosovë. Ne kemi humbur kohë të konsiderueshme në krijimin e institucioneve të vendit dhe kjo u ka dhënë hapësirë edhe grupeve të caktuara kriminale që të përfitojnë në kurriz të qytetarëve tanë. Institucionet e Kosovës tani duhet të angazhohen fuqishëm në rimëkëmbjen ekonomike të vendit, që do të gjeneronte vende të reja të punës dhe gjithashtu në krijimin e një klime më të mirë e më të sigurt të biznesit. Ne duhet të dëshmojmë se jemi një shtet i ri me kapacitete të fuqishme, me resurse natyrore dhe njerëzore. Prandaj, është koha e fundit që të gjithë së bashku, e gjithë shoqëria në Kosovë të angazhohet fuqishëm në ruajtjen e potencialit njerëzor dhe në zhvillimin e përgjithshëm të vendit, ku do të ketë më shumë mirëqenie, ligj dhe rend dhe ku të gjithë do të jenë të barabartë përpara ligjit.

A po shkojnë Shqipëria dhe shqiptarët vendosmërisht drejt Bashkimit Evropian – krijohet një përshtypje në këtë drejtim se Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët e Maqedonisë po ecin shumë ngadalë?

Të gjitha shtetet e rajonit e kanë dinamikën e përcaktuar në procesin e integrimeve në BE. Për dallim nga vendet e tjera, Kosova ka vetëm shtatë vjet që e ka shpallur pavarësinë dhe ne jemi në rrugë e sipër për ta kryer procesin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe në rrugë të mbarë për ta marrë liberalizimin e vizave për qytetarët tanë, një proces i vonuar shumë deri tani. Sikur çdo shtet tjetër i rajonit të Ballkanit, edhe Kosova ka standarde për të plotësuar dhe kritere për të përmbushur. Por, le të jemi të qartë, këto standarde dhe kritere duhet të jenë vlera të shoqërisë sonë, sepse ato përmbushen, jo vetëm për hir të BE-së, por për hir të qytetarëve tanë, për hir të mirëqenies së tyre dhe për hir të zhvillimit të shtetit.

Zonja Presidente, cilat janë, sipas jush, sfidat kryesore për Kosovën, gjatë vitit 2015?

Zhvillimi ekonomik i vendit, ulja e papunësisë, krijimi i një shteti të së drejtës, ku sundon ligji dhe rendi dhe ku të gjithë do të jenë të barabartë përpara tij. Pra, një vend ku do të hapet perspektiva për secilin qytetar pa dallim, dhe ku të gjithë do të mund të shohin mundësi të përparimit pa kërkuar një të ardhme jashtë Kosovës. Na duhet shumë mund dhe punë për ta krijuar shtetin e zhvilluar të Kosovës, që gjithashtu përmbush edhe detyrimet e tij ndërkombëtare dhe bëhet një forcë shtytëse e stabilitetit dhe paqes, jo vetëm në rajon.

A do ta keni ndonjë vizitë në Zvicër?

Besoj se së shpejti do ta vizitoj Zvicrën dhe do të takoj, përveç udhëheqësve shtetërorë, edhe përfaqësues të afarizmit nga Kosova dhe Zvicra, por edhe qytetarë tanë.

Cili është mesazhi juaj për mërgatën?

Të jenë qytetarë të ndershëm dhe të respektuar të vendeve ku jetojnë dhe ku janë pranuar prej kohësh. Të kontribuojnë për familjet e tyre dhe për vendin ku jetojnë, sepse njëkohësisht do të kontribuojnë edhe për shtetin e Kosovës dhe do ta fuqizojnë edhe më shumë lidhjen me të. (dialogplus.ch)
 

This site is registered on wpml.org as a development site.