presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentes Jahjaga në Takimin inaugurues të KMDHS

Nën udhëheqjen e Presidentes së Republikës së Kosovës, Zonjës Atifete Jahjaga, sot u mbajt takimi inaugurues i Këshillit Kombëtar për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë Luftës. Në takim marrin pjesë Jakup Krasniqi, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Bujar Bukoshi Zëvendëskryeministër i Kosovës, Zyrtarë të Lartë të Institucioneve të vendit dhe Ndërkombëtar, Anëtarë të Komisioneve Parlamentare, Anëtarë të shoqatave të Rrjetit të Grave, përfaqësues të shoqërisë civile.

Në vijim po e sjellim fjalën e Presidentes Jahjaga në Takimin inagurues :

Dëshiroj t’ju uroj mirëseardhjen në takimin inaugurues të Këshillit Kombëtar për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, të cilin e kam themeluar me dekret të veçantë, me synim bashkërendimin e aktiviteteve të institucioneve dhe agjencive, në kuadër të kompetencave dhe fushëveprimit të tyre, për të rehabilituar të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.

Të nderuar pjesëmarrës,
 
Dëshiroj t’ju uroj mirëseardhjen në takimin inaugurues të Këshillit Kombëtar për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, të cilin e kam themeluar me dekret të veçantë, me synim bashkërendimin e aktiviteteve të institucioneve dhe agjencive, në kuadër të kompetencave dhe fushëveprimit të tyre, për të rehabilituar të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.

Në rrugën drejt realizimit të së drejtës për të jetuar të lirë dhe të barabartë, shumë jetë u shuan, shumë ëndrra u lanë përgjysmë.

Ne gjetëm forcën e përkushtimin dhe morëm përsipër që të ndërtojmë një shtet ku të gjithë qytetarët të jetojnë të lirë e të barabartë. U betuam që ta shndërrojmë Kosovën në një vend të mundësive të mëdha për të gjithë qytetarët e saj pa dallim.

Pesha e vuajtjeve dhe pasojave të luftës vazhdon të rëndojë ende sot mbi të gjithë ne. Pa dyshim që kjo peshë është edhe më e rëndë për të gjithë ata burra e gra dhe për familjet e tyre që ishin viktima e pre të torturave mizore.

Ne tashmë kemi hapur kapitullin e paqes në vendin tonë. Jemi duke ndërtuar një shoqëri që në themel të saj ka parimin qytetar, që beson në të drejtat e njeriut dhe i mbron ato dhe që nuk lë prapa askënd.

Janë të njëjtat parime që na udhëheqin të vazhdojmë përpjekjet tona të pareshtura për t’ju dhënë vendin e duhur dhe për t’i nderuar të gjithë ata që u sakrifikuan, që ne sot të jetojmë në një Kosovë të lirë dhe në paqe.

Dhe këtë, jam e bindur se do e bëjmë më së miri duke harmonizuar përpjekjet tona dhe duke i adresuar denjësisht dhe brenda mundësive ligjore dhe materiale, nevojat e kategorive që u prekën më së shumti nga lufta.
 
Të nderuar të pranishëm,

Jemi mbledhur për të shprehur vullnetin e mirë dhe përkushtimit tonë për të adresuar pasojat e luftës mbi viktimat civile të dhunës seksuale.

Pasi dhuna seksuale dhe forma të tjera të dhunës të ushtruara mbi civilë gjatë konflikteve të armatosura përbëjnë krim të luftës dhe janë thyerje e drejtpërdrejtë e Konventës së Gjenevës dhe Protokollit të parë, e cila është e inkorporuar në Kushtetutën e Kosovës.

Pasojat e rënda të këtij mjeti lufte që u përdor për të cenuar dinjitetin e viktimave, për të ngjallur ndjenjën e frikës dhe të shtypjes, për të nxitur shpërnguljen dhe për të zhveshur një shoqëri të tërë nga vlerat e saj njerëzore, po vazhdojnë të rrënojnë jetën e viktimave dhe familjarëve të tyre.

Mund të them pa hezitim që pesëmbëdhjetë vite pas përfundimit të luftës, tema e viktimave të dhunës seksuale mbetet ende një temë tabu për t’u adresuar.

Të mbijetuarit e dhunës seksuale vuajnë ende nga një gjendje e rëndë psikologjike, sociale dhe ekonomike, prandaj kanë nevojë për mbështetjen e institucioneve dhe shoqërisë për t’u përballur me një realitet të rëndë në të cilin e gjejnë veten, jo për fajin e tyre.

Nuk kemi akoma një numër të saktë të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, por mendohet që numri i tyre të jetë deri në 20.000. Dhe është pak e rëndësishme se sa është numri i tyre, sepse qoftë edhe një viktimë e kësaj dhune kërkon vëmendjen tonë.

Shoqëria civile dhe organizatat ndërkombëtare kanë bërë një punë të konsiderueshme në krijimin e mekanizmave që ofrojnë qasje në shërbimet e nevojshme psiko-sociale, ligjore, ekonomike dhe shëndetësore, me synim rehabilitimin, riintegrimin dhe risocializimin e kësaj kategorie të viktimave civile të luftës.

Institucionet qeveritare kanë ofruar ndihmën e tyre dhe janë formuar grupe punuese dhe institute, të cilat kanë për synim të hulumtojnë krimet e luftës dhe të ballafaqohemi me të kaluarën.

Përtej këtyre përpjekjeve ende sot kjo kategori e viktimave të luftës mbetet tejet e stigmatizuar, për të thënë më e stigmatizuara, duke e gjetur veten nën kurthet e paragjykimeve dhe fajësimeve të padrejta dhe të pavenda.

Statusi ligjor i kësaj kategorie nuk është njohur akoma, ndërsa ka mbizotëruar një kulturë e pandëshkueshmërisë së përgjegjësve të këtyre krimeve.

Në Parimet e Prishtinës, që dolën nga Samiti Ndërkombëtar i Gruas, të cilin e mbajtëm në Tetor të vitit 2012 dhe me Rezolutën e kaluar më tej në Kuvend mbi këto Parime, kërkuam rehabilitimin, riintegrimin dhe luftimin e stigmatizimit social të viktimave të luftës, duke njohur statusin e tyre ligjor si viktima civile dhe duke njohur publikisht përjetimet e tyre e duke kërkuar që përgjegjësit të ndiqen penalisht.

E bëmë këtë duke e lidhur ngushtë progresin e shoqërisë së pasluftës dhe ndërtimin e paqes me përgjigjen shoqërore dhe institucionale ndaj kategorive më të prekura të luftës.

Me mbështetjen dhe gatishmërinë e Ministres së Integrimeve Evropiane znj. Vlora Çitaku, iniciova këtë nismë për të krijuar këtë platformë koordinimi dhe bashkërendimi institucional dhe shoqëror. Për të shprehur përkushtimin tonë që kjo kategori e krimeve të mos konsiderohet si krim më i lehtë dhe të mbetet i pandëshkuar.

Jam e bindur se kjo qasje gjithëpërfshirëse e koordinuese do të mundësojë forcimin e mekanizmave ekzistues, ngritjen e vetëdijes shoqërore, identifikimin dhe koordinimin e aktiviteteve që përkrahin rehabilitimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, si dhe përcaktimin e prioriteteve e politikave për zbatimin e agjendës legjislative në përkrahje të të mbijetuarve, duke adresuar më mirë nevojat e viktimave të dhunës seksuale dhe përgjigjen tonë ndaj tyre.

Ky Këshill do të jetë i kufizuar në kohë dhe puna e tij do të kontribuojë në dokumentet ndërkombëtare dhe strategjitë kombëtare që e adresojnë këtë lloj të dhunës.

Nisma jonë zë fill në një kohë kur e gjithë vëmendja ndërkombëtare është kthyer ndaj kësaj kategorie të viktimave civile të luftës. Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, z. William Hague prej gati dy vitesh ka filluar iniciativën për parandalimin e dhunës seksuale në konflikte. Nga kjo iniciativë ka përfituar edhe Kosova. Për të cilën dua të falënderoj Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar dhe për mbështetjen e tyre të pakursyer që po i ofrojnë nismës sonë.

Kosova nuk është vend anëtar i Kombeve të Bashkuara, por ne kemi dhënë mbështetjen tonë për nismën e Sekretarit Hague dhe për Deklaratën e përkushtimit për të ndaluar dhunën seksuale në konflikte, e dalë nga kjo nismë, duke marrë përsipër obligimet tona dhe duke u përkushtuar për të përmbushur pjesën tonë, si shoqëri e prekur drejtpërdrejt nga forma më serioze e shkeljes dhe abuzimit të të drejtave të njeriut, dhunës seksuale.

Ne tashmë japim kontributin tonë në hartimin e Protokollit Ndërkombëtar të kësaj nisme globale, që do të ndihmojë Kosovën dhe të gjithë vendet e botës të prekura nga ky mjet i luftës, në dokumentimin dhe nxjerrjen para drejtësisë të përgjegjësve të këtyre veprave mizore.

Ne jemi bërë pjesë e kësaj nisme që synon jo vetëm rehabilitimin e viktimave të dhunës seksuale, por marrjen e të gjitha masave të nevojshme për të parandaluar këtë krim.

Padyshim që përsëritja e krimeve të tilla mund të parandalohet vetëm kur të ketë vëmendjen tonë, kur përgjegjësit e këtyre krimeve të dalin para drejtësisë, kur ne të gjykojmë si shoqëri dhe si institucione përgjegjësit e veprave dhe jo viktimat.

Vetëm para disa orëve u mbajt ceremonia e lansimit të planit të veprimit të Rezolutës 1325 të Kombeve të Bashkuara, mbi Gratë, Paqen dhe Sigurinë, një hap i rëndësishëm që bën thirrje për t’i dhënë fund pandëshkueshmerisë së përgjegjësve të krimeve të luftës ndër të tjera, të atyre krimeve që janë të lidhura me dhunën seksuale dhe llojet e tjera të dhunës ndaj grave dhe vajzave                                                                                                                                                                                                                                                                                            

Ne nuk mund të ndryshojmë të kaluarën e tyre, por mund të sigurohemi që e ardhmja të mos përcaktohet nga kjo e kaluar e hidhur, që e ardhmja e familjeve të tyre, e fëmijëve të tyre, të mos përcaktohet nga një krim i kryer padrejtësisht mbi to.

Duhet të heqim njëherë e mirë perden e stigmës që ka mbuluar këto viktima të dhunës, të thyejmë heshtjen që ka mbizotëruar dhe të heqim fajin prej tyre e ta kalojmë aty ku duhet, te përgjegjësitë e këtyre krimeve.

Me një synim të vetëm, atë të ndërtimit të paqes së qëndrueshme dhe të një shoqërie të shëndoshë, ku të gjithë qytetarët gëzojnë të drejtën për të jetuar të lirë dhe në paqe.
 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.